MENU
klinika

Kushtet e kandidatëve

Kuvendi hap aplikimet për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese

23.09.2020 - 16:02

Kuvendi i Shqipërisë hapi ditën e sotme (23 shtator) aplikimet për një vend vakant për anëtar në “Gjykatën Kushtetuese”.

Kjo është me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të shkarkimit nga detyra nga KPK të gjyqtarit Fatos Lulo për mos justifikimin e pasurisë. Ky i fundit është nën hetimin pasuror të SPAK.

Të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë për vendin vakant duhet të plotësojnë disa kritere si:

–      të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

–         të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

–         të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

–         të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

–         të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

–         të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

–         të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i  së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

–         të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

–         të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:

–         vjetërsisë në profesion;

–         përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;

–         kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;

–         treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;

–         ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;

–         informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.