MENU
klinika

Ndikimi në buxhetin e shtetit në 5 vitet e fundit

Largimet e padrejta nga puna, një kosto prej 90 mln dollarësh

21.09.2020 - 08:34

Shkarkimet e padrejta nga puna në administratën publike janë kostoja më e re në detyrimet që ka për të paguar buxheti i shtetit. Sipas raportit të buxhetit faktik të vitit 2019 të dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, detyrimet e prapambetura për vendime gjyqësore, ku dominojnë ato të largimeve nga puna, arritën 34 milionë dollarë.

Për herë të parë borxhet e prapambetura të qeverisë, po dominohen nga faturat e largimeve nga puna, dhe jo nga kostot e projekteve në infrastrukturë.

“Për vitin 2019, detyrimet e prapambetura për vendime gjyqësore rezultuan në rreth 3.4 miliardë lekë ose rreth 42% e stokut total të detyrimeve të prapambetura qendrore. Këto vendime kanë kryesisht në sfond largimet e padrejta nga puna të ish-punonjësve, të cilat në çdo rast implikojnë kosto buxhetore të paparashikuara”, thuhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Sipas raportit të detyrimeve të prapambetura të pjesës së parë të këtij viti, kjo faturë është rritur në 40 milionë dollarë edhe gjatë periudhës së pandemisë.

Në të dhënat e audituara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, rezulton se thesari ka paguar në vitet 2016, 2017 dhe 2018 nga llogaria shpenzime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për largime nga puna 50 milionë dollarë fatura, ku nëse i shtohen edhe 40 milionë dollarë të tjera detyrime, shpenzimet e taksapaguesve për këto vendime arrijnë në 90 milionë dollarë për 5 vite.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN