Sot mori udhë Liga Unike e Basketbollit, kampionati mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku nga 4 skuadra secila do të garojnë për të nxjerrë vetëm një fitues mes 2 shteteve dhe 1 kombi.
Në ceremoninë inaguruese mori pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përshëndeti këtë dhe “bekoi” këtë ligë, për t’u hapur rrugë të tjera projekteve të përbashkëta mes dy shteteve shqiptare.
“Liga e përbashkët e Basketbollit, Shqipëri-Kosovë, është një ëndërr shumëvjeçare tashmë bëhet realitet. Liga Unike e Basketbollit është vetëm dallëndyshja e parë, e shumë bashkëpunimeve të ngjashme që do të ndodhin në sporte të tjera.
Hapi i radhës është shtrirja e programit të masivizimit të sportit në shkolla në të dy anët e kufirit. Në këtë mënyrë, fëmijët tanë, vëllezër të të njëjtit gjak, do të kenë mundësinë që të njihen dhe bashkëpunojnë përmes sportit që në hapat e parë të jetës së tyre” – u shpreh ndër të tjera Rama.
Po ashtu, është zgjedhur edhe bordi drejtues, 2 anëtarë të Bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga 2 sekretarë të përgjithshëm të të dyja federatave. I pranishëm në mbledhje ishte presidenti i FIBA Europe, Turgai Demirel.
Shqipëria do të përfaqësohet në këtë ligë me Teutën, Goga Basket, Vllazninë dhe Partizanin, ndërsa Kosova me Sigal Prishtinën, Rahovecin, Golden Eagle Ylli dhe Pejën. Kalendari do të vendoset në ditët në vijim dhe ndeshjet do të transmetohet live në të dyja vendet.