MENU
klinika

Artiste e lindur, aktore e paharrueshme

Marie Logoreci përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes

28.09.2020 - 16:38

       Në Muzeun Historik Kombëtar u çel ekspozita me fotografitë e aktores-ikonë, Marie Logoreci. Njëqindvjetori i lindjes së artistes, sjell në vëmendje rolet e saj në kinema dhe teatër, ai aktorja që gdhendi mjeshtërisht portretin e gruas dhe nënës shqiptare.

Në një ekspozitë fotografike në heshtje edhe pa shumë bujë, përkujtohet në Muzeun Historik Kombëtar një ndër pionieret e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Marie Logoreci, në 100-vjetorin e lindjes. Artistja, që i dha shpirtin profesionit, kujtohet përpos të birit, Pjetër Logoreci, i cili ka organizuar së largu gjithçka, në pamundësi për të ardhur, për shkak të pandemisë në Shqipëri, edhe nga një tjetër i afërm, Franko Kovaçi, i cili veç roleve kujton edhe vlerat e saj njerëzore.

“Një datë simbolike për një artistë, që për mua më shumë se artiste, ishte një njeri i ngrohtë që nuk të krijonte strese. Por, përpos aktore ka qenë edhe këngëtare edhe piktore” – thotë i afërmi i saj, Franko Kovaçi.

Përmes artit magjik, aktorja e qindra roleve e konsideruar nga kritika, si ‘realiste edhe me personalitet’ ka gdhendur portretin e gruas dhe nënës shqiptare, të malësores me karakter të fortë, veçmas në zonat e Veriut, si Lokja tek “Detyrë e posaçme”, Alisa tek “Rrënjët e thella”, Gjela te “Përmbytja e madhe”, apo të tjera role në teatër tek “Cuca e Maleve” dhe “Halili dhe Hajëria”.

“Shpresoj që ekspozita të ketë frekuentim, që brezi i ri të njihet më mirë, me disa figura që kanë lënë gjurmë në artin shqiptar. Lokja është një ndër personazhet më të kompletuar të saj. Edhe tek Çucat e Maleve, devotshmëria që shfaqte në interpretim ishte mbresëlënëse” – shprehet Franko Kovaçi, gjatë ekspozitës që do të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar, deri më 2 tetor.

Marie Logoreci, aktorja që u shua para 30 vitesh, mban titujt “Nder i Kombit” dhe “Artiste e Popullit”

Profil

Pa dyshim, ikonë e skenës së teatrit. Një aktore e kompletuar, ndoshta më e madhja e skenës shqiptare. Ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare kryesisht ato të veriut, duke u kthyer vetë në simbol të nënë “Lokes” shqiptare.

Në ekran, para shikuesit shqiptar u shfaq në filmin “Skënderbeu” (1953). Karriera në kinema, do të shtrihet nga vitet 1953 – 1979. Ndërkohë, në teatër ajo do të ketë një karriere më të shkëlqyer, nga 1947 deri në vitin 1977.

Maria do të ketë edhe regjinë e dramës “Drita”, të Mimika Lucës. E filloi aktivitetin artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945, ajo filloi të këndojë në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si edhe me turnetë jashtë vendit, si soliste e Korit të përgjithshëm të Shtetit.

Në repertorin e saj, ishin rreth 100 këngë. Në 1947-ën, fillon punën në Teatrin Popullor (Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj, në skenën e teatrit, ishte Elmira në komedinë “Tartufi” të Molierit.

Biografi

I ati, Palok Çurçia, ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake. Qysh të vogël, Marien e thirrën Tushi. Tushi bëri shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative. Në këtë shkollë, si dhe më vonë në gjimnaz filluan të duken prirjet e para. Ajo vizaton bukur, këndon, madje i shoqëron këngët me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e Besimit.

Por, kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Për fat të mirë, ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe, në të cilat dëshmon një shpirt të butë dhe delikat, si dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent. Në këtë moshë, ajo për një kohë të shkurtër zotëron gjuhët italiane dhe malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë, ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut nëpërmjet malësorëve që bujtnin në shtëpinë e të atit.

Njohja dhe më vonë, studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri, për Tushin. Ajo u largua nga Shkodra, në vitin 1937, në moshën 17 -vjeçare, duke marrë me vete nga familja, përveç frymës atdhetare, talentin, dashurinë për folklorin, mandolinën e saj dhe emrin e shkurtër Tushi, që e shoqëroi gjatë gjithë jetës në familje dhe të afërm.

Maria u martua në Tiranë, me Kolë Logorecin, i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena, ku kishte mbaruar studimet e mesme dhe të larta për ekonomi. Pranë “Miqve të muzikës”, ai kishte ndjekur për pesë vjet, mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”.

Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit), një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve, që përmendet që në vitin 1300, me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve, Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës, me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me bisedat për Luigj Gurakuqin e Mjedën (të cilin, Matia e kishte djalë halle).

Në këtë mjedis, pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore dhe intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi, gjermanishten. Në pasionet e saj, u shtua edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta, shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.

Jeta artistike e Marie Logorecit, nisi si këngëtare në Radio Tirana, në vitin 1945, ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20- minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë, ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto, që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu, në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme.

Në vitin 1947, bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit, me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit. Duke parë aftësinë interpretuese të Maries, kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por, familja e emancipuar dhe i shoqi Kola, luajti një rol të madh, jo vetëm duke qenë dakord, por edhe duke e ndihmuar, duke e liruar nga shumë punë që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj.

Kështu, në nëntor të vitit 1947, për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor. Rruga e saj skenike kaloi me përpjekje, por me kënaqësinë, e përmbushjes së pasionit dhe suksesit. Por, kjo rrugë u pengua nga vështirësitë familjare nga vdekja e të shoqit Kolës dhe detyrimet që e vetme t’i plotësonte gjithçka të birit; që ai në atë kohë të formimit të personalitetit e karakterit të mos ndjente zbrazëtinë që normalisht shkakton mungesa e njërit nga prindërit.

Maria ishte shumë sistematike, gjithmonë e ngarkuar me punë, por gjente kohë që të merrej me kopshtin, me lulet e shumta, me pëllumbat, qentë e macet, të gatuante, të përgatitej për shfaqjen, të lexonte apo dëgjonte muzikë. Nuk thoshte kurrë “u lodha”. Gjithmonë e shihje t’i bënte gjërat shpejt, plot energji e temperament, sa dhe kur ecte dukej sikur vraponte. Kishte një kujtesë që të mahniste, ajo mbante mend vargjet e legjendave tona, faqe të tëra nga “Iliada” e “Odisea”, siç mbante mend tekstet e shfaqjeve që ishin dhënë 30 vjet më parë.

Marie Logoreci ka mbetur në kujtesën e atyre që e kanë njohur ashtu siç ka qenë, e qeshur, e thjeshtë, e sinqertë, e gjallë e plot jetë; një grua me njohuri të gjithanshme, me të cilën kishe dëshirë të bisedoje për çdo gjë e të kërkoje një mendim, një këshillë. Maria ishte në harmoni të plotë me temperamentin dhe specifikën e të gjitha tipareve të natyrës së saj, që kanë gjetur forcën e shprehjes, thellësinë psikologjike dhe pjekurinë artistike në artin e saj.

Me punën e saj krijuese, Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara prej saj, është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale, janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta.

Kujtojmë Alisa Lengton, borgjezen kapriçoze, konservatore, të kamufluar e raciste te “Rrënjët e thella”. Kristina Padera, hipokriten e djallëzuar, kreun e kompllotistëve te “Komplloti i të dënuarve”. Gertruda, mbretëreshën që lufton me vetveten pa rrugëdalje te “Hamleti”. Fatimja, gruan e regjur me intrigat e oborrit, sa servile aq arrogante, te “Halili dhe Hajria”. Bernarda Alba, gruan e zezë me fuqi të ftohtë e tronditëse. Kush e ka parë, nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te “Toka jonë”.

Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj., numri i personazheve të interpretuara dhe numri i madh i figurave artistike të krijuara nga ajo, na japin në tërësi portretin e plotë të kësaj artisteje të shquar. Porteti i saj është veçanërisht shprehës, me tipare të qarta individuale, me ngjyrim të veçantë, me një harmoni të papërsëritshme të brendshme e të jashtme. Karakteri dramatik, ekspresiviteti i lëvizjeve dhe tipareve, temperamenti i flaktë, kanë gjetur shprehje të plotë në të gjithë qënien dhe në vokalin e saj. Ajo di t’i imponojë spektatorit figurën artistike me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk që nga pasuria intonative e zërit, deri te natyra dinamike e ekspresive e tipareve. Ajo ka arritur ta njohë deri në virtuozitet forcën akustike të zërit dhe veprimin e saj mbi spektatorin. Puna e gjatë si aktore e bëri që t’i lindë interesi edhe ndaj regjisë. Aktiviteti i saj si regjisore është i suksesshëm por modest e nuk zë vend me rëndësi në krijimtarinë e saj, por tregon për interesat e saj të gjera, shpirtin krijues që nuk e humbi gjallërinë as nga vitet. Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik.

Rolet e para në kinematografi sigurisht kanë patur vështirësitë e veta, gjë që ajo e ka vënë në dukje duke folur për interpretimin e saj në film. Është e kuptueshme, se ishin hapat e para të kinematografisë sonë, aktorët e teatrit sillnin një farë teatraliteti në interptretim, megjithatë heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën. Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj… atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria. Rolet më të suksesshëm të saj janë:

 

GALERIA NË TEATËR:

Çështja ruse (1947) – Xhesi
Tartufi (1947) – Elmira
Rrënjë të thella (1949) – Alisa Lengton
Komploti i të dënuarve (1950) – Kristina Padera
Halili dhe Hajria (1950) – Fatimja
Gjashtë dashnoret (1952) – Aljona Patrovna
Toka jonë (1954) – Loke
Intrige e dashuri (1957) – Ledi Milford
Shtatë shaljan♪7t (1958) – Triga
Hamleti (1960) – Gertruda
Shtëpia e Bernarda Albës (1961) – Bernarda Alba
Morali i zonjës Dulska (1962) – Tadrahova
Muri i Madh (1966) – Nëna Xhun
Përkolgjinajt (1966) – Mara
Drita (1967) – Manushaqja – regjia: Marie Logoreci
Cuca e maleve (1967) – Prenda
Çatia e të gjithëve (1968) – Plaka
Përmbytja e madhe (1977) – Gjela

 

GALERIA NË KINEMA:

Skënderbeu (1953) – Kontesha
Fëmijët e saj (1957) – Fatimeja
Tana (1958) – Nëna e Stefanit
Detyre e posaçme (1963) –
Toka jonë (1964) –
Oshëtime në bregdet (1966) – Nena
Njësiti guerril (1969) – Nëna
Operacioni Zjarri (1973) –
Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1975) – E ëma e kolonelit Zampa
Dollia e dasmës sime (1978) –
Nga mesi i errësires (1978) –
Çeta e vogël (I pashfaqur në publik) (1979)