MENU
klinika

Praga nderon shkrimtarin botëror

Milan Kundera: Çmimin “Franz Kafka” e pranoj me admirim…

25.09.2020 - 18:03

       Milan Kundera, shkrimtarit që iu ridha shtetësia çeke vitin e kaluar, pasi kishte kaluar më shumë se 40 vjet në mërgim, ka fituar një nga çmimet letrare më prestigjioze në Republikën Çeke, çmimin “Franz Kafka”, sipas “The Guardian”.

Çmimi 10,000-dollarësh, organizuar nga shoqata ‘Franz Kafka’ dhe qyteti i Pragës, zgjidhet nga një juri ndërkombëtare.

Kreu i shoqërisë “Franz Kafka”, Vladimír Železný, tha se Kundera, fitoi për “kontributin e jashtëzakonshëm në kulturën çeke” dhe për “reagimin e padepërtueshëm” në kulturën evropiane dhe atë botërore.

Sikur shprehet Železný, kur Kundera, 91-vjeçar, u telefonua, autori tha se “me gëzim”, e pranoi çmimin, veçanërisht për shkak të admirimit të tij për Kafkën.

Po ashtu, vlen të theksohet se në fund të korrikut të këtij viti, Kundera vendosi të dhurojë bibliotekën dhe arkivin e tij privat, për bibliotekën e qytetit të vendlindjes së tij Brno, në Republikën Çeke, ku ai kaloi fëmijërinë.

Ndër veprat më të famshme të autorit, janë: “Shakaja”, “Mosdija”, “Identiteti”, “Lehtësia e papërballueshme e qenies” etj.

***

Milan Kundera është shkrimtari më i famshëm i brezit të autorëve çekë, njëherazi një ikonë e letërsisë në arenën ndërkombëtare, veprat e të cilit spikatin kryesisht për ndërthurjen e meditimeve filozofike, komenteve politike dhe humorit të zi. Milan Kundera, i lindur në Brno të Çekosllovakisë, vlerësohet gjerësisht si shkrimtari më me ndikim bashkëkohor çek. Përkundër kësaj, autori ka qenë i privuar nga nënshtetësia çeke prej vitit 1979, kohë kur ia hoën, për të qenë prej vitit 1981 një nënshtetas francez. Si student në moshë të re në universitetin “Charles” në Pragë, ai pati një ndikim të madh nga rryma marksiste. Që prej asaj kohe, interesimi dhe përfshirja në Marksizëm ka vijuar të ndikojë në karrierën e tij. Kundera u bashkua me Partinë Komuniste në 1948, u dëbua në 1950 dhe iu bashkua përsëri në vitet 1965 deri në 1970, kur u dëbua përsëri. Mërgimi i tij erdhi pas botimit të romanit vlerësuar me kritika “Shakaja” (1967) dhe pushtimi sovjetik i Çekosllovakisë, në vitin 1968.

Kundera, krahas shkrimtarëve të tjerë të reformës komuniste, u përfshi në “Pranverën e Pragës” 1968, që synonte liberalizimin, çka do të ndikonte më pas në veprat e tij më të mira “Lehtësia e padurueshme e qenies” (1984). Pas pushtimit, e larguan edhe nga posti i pedagogut dhe iu ndalua të botojë çfarëdolloj vepre tjetër në Çekosllovaki. Dy librat e tij: “Jeta është diku tjetër” (1969) i cila fitoi çmimin “Prix Medicis” në Francë dhe “Festa e lamtumirës” (1972) u botuan jashtë vendit, përpara se ai të zhvendosej në Francë në 1975. /Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Stili unik i formës e përmbajtjes

Milan Kundera mes politikës, filozofisë dhe pasionit

Vlerësimi i filozofit francez

Me Kadarenë e Papavramin, meritoni BE-në!

"Pallati i ëndrrave"...

Kadare, Kundera dhe një NOBEL?!