MENU
klinika

Rrëfimi i rrallë i Kaso Hoxhës nga SHBA-ja

“Misteri i të arratisurit që qëndroi 10 vite në Kanada e përfundoi në Spaç”

05.09.2020 - 08:46

Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Memorie.al sjell të gjithë historinë e trishtë dhe të dhimbëshme të Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

                                                 Prolog

                                          Lexues të dashur!

Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.

Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara. Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.

Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!

Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.

Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!

Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!

Kaso Hoxha.

Llavrio, Greqi 1985

                                                Vijon nga numri i kaluar

“Unë isha në qiell dhe tani rashë në fund të humnerës”. Dy lotë i’u shkëputën nga sytë, dhe u rrokullisën mbi faqjen e tij duke lënë një vijë të lagur. Më erdhi kaq keq kur e pashë në atë gjëndje. “S’ke ç’ti bësh jeta është një alternativë vuajtjesh ose fitoresh. Rrota e fatit vërtitet si t’i teket, por ti mos j’i pesimist për atë jetë që të dha Zoti”, vazhdova unë.

“Ah jo Kasëm, tani për mua mori fund gjithçka”, përshpëriti Dilaveri. “Isha 22 vjeç kur u arratisa nga Shqipëria, për në Greqi. Isha mësues fizkulture dhe më pëlqente sporti. Kur dola në Greqi isha tepër i entuziazmuar që dola nga ferri. Kërkova të emigroja në Suedi, dhe brënda tre muajve, u aprovua kërkesa ime për të më dhënë vizën për Suedi. Aty vazhdova një shkollë, Teknikum në degën Elektronike. Më dhanë punë në një fabrikë ku prodhohej telefoni. Më pas u martova me një vajzë suedeze, dhe isha i lumtur. Por fëmijë nuk pata me këtë grua. Jetoja në një shtëpi të bukur në periferi të Stokholmit, dhe herë pas here shkonim me pushime në Greqi, Spanjë, Portugali, Francë, etj. Kur papritur më vdiq gruaja dhe mbeta vetëm! U mërzita sa s’thuhet. Një ditë shkova në ambasadën shqiptare në Stokholm. Bëra kërkesë që të më garantonin kthimin tim në Shqipëri. Ata më premtuan se do të më linin të lirë. Erdha në Shqipëri, duke marrë një pjesë të pasurisë time të tundshme. Paratë që arrinin në vlerë 30 milionë lekë shqiptare. Por këta hajdutë më rropën për së gjalli, duke më marrë dhe rrobat e trupit, dhe orën që kisha në dorë. Tani unë jam këtu me ty Kasëm, në këtë birucë të ftohtë”!

Ky ishte rrëfimi i Dilaverit, dhe në vija të përgjithshme, unë kuptova se në personin e tij fshihej një enigmë e madhe për jetën e tij, dhe bashkëshorten e tij të vdekur. Dilaveri nuk kishte përgjigje për shumë nga pyetjet që i bëra, në lidhje me të kaluarën e tij. Tepër e dyshimtë. Ai u dënua me 20 vjet burgim. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Dilaveri po jetonte momentet më të vështira të jetës së tij, i zhgënjyer dhe pesimist që të dilte gjallë nga kjo humnerë. Tregimet e tij ishin një mësim i mirë për mua që doja të dija gjëra rreth botës.

Pas ca kohësh në Spaç erdhi Kipe A…. Për çudi e koiçidencë, është diçka misterioze që edhe sot e kësaj dite vras mëndjen, sesi ky njeri u gjënd në “Kaushin” tim?! Ky hyri në dhomë bashkë me tellallin e burgut, Jorgji Zgurin i cili, e shoqëronte dhe i tregoi se ku do të flinte. Përshëndeti të gjithë të burgosurit kur hyri në dhomë. “Më quajnë Kipe A…, jam i dënuar me 10 vjet burgim, dhe vij nga Kanadaja”. Kjo më bëri shumë përshtypje, sidomos mënyra e të folurit të tij. Një e folur sikur të kishte të meta dhe probleme psikologjike. Mendova se do të ishte torturuar shumë.

Të gjithë të burgosurit u bënë kuriozë dhe e bombarduan me pyetje. Dikush e pyeste nëse i kishte njohur të afërmit e tij jashtë shtetit, ndërsa një tjetër e pyeste sa ishte rroga e një puntori jashtë shtetit, etj, etj. Një i burgosur e pyeti se nga cila anë e Shqipërisë ishte. “Nga Shalësi i Sarandës”, i tha. Atëherë unë ngrita kokën, sepse isha duke lexuar diçka dhe vura re me kureshtje të burgosurin e ri. Bardhosh Gjonzeneli, e pyeti “A e njeh Kasëm Hoxhën, është nga ana jote”, duke i treguar Kipes krevatin ku flija unë.

Unë e ftova të ulej në fund të krevatit tim, duke i zgjatur dorën. Ai, u ul dhe më pyeti: “A e njeh Selfo dhe Rexhep Hoxhën”? I thash që janë kushërinjtë e mi. “Ku i ke njohur”, e pyes Kipen? “I kam njohur në SHBA-ës, pasi jetova atje nja 10 vjet, dhe pak kohë në Kanada”. Kështu m’u përgjigj me pak ndroje ky burrë që nuk e njihja, se çfarë njeriu ishte. E lashë me kaq, dhe i thashë se tani ne shkojmë në punë (ishim turni i III), por do të bisedojmë ditët e ardhshme. Dhe kështu ndodhi, pasi unë u thashë të gjithë shokëve për ardhjen e Kipe A…, i cili kishte jetuar në Kanada dhe Amerikë.

Ishim tepër kuriozë për jetën e tij në botën perëndimore. Kipja i kishte njohur të gjithë emigrantët shqiptarë dhe kjo gjë më bëri të dyshoj. Kisha dëgjuar se ky njeri ishte i privilegjuar nga regjimi i Enver Hoxhës. Ai punonte në organet e Sigurimit, në Policinë e Elbasanit. Kipja më tregoi se ishte i pakënaqur, dhe prandaj u arratis në Greqi. Më pas emigroi në Kanada, nga ku prej andej u bashkua me grupin e çamëve, që banonin në Çikago të SHBA-së. Atje ai u njoh me të gjithë Markaqotët, se ku banonin dhe se çfarë pune bënin.

Kipja më tha: “Të djelën do të ulemi të të tregoj më më imtësi për jetën e tyre”. Menjeherë e pyeta: “Përse ike dhe erdhe këtu në burg, në një kohë që njerzit bëjnë sakrifica, vënë jetën në rrezik, të dalin në ‘Botën e Lirë”?! Kipja nuk kishte përgjigjie, vuri buzën në gaz dhe duke më rrahur shpatullat, tha: “Do të ta tregoj historinë e jetës sime”. Kipja ishte nga Shalësi, vëllai i Mines, gruaja e Rauf D…, nga Markati. Kur Kipja u arratis, qeveria nuk e preku fare Minen, motrën e Kipes, as Raufin, nuk e cënoi, edhe pse ai ishte një komunist fanatik, i lindur?!

Sidoqoftë, unë prisja me padurim të dielën, për të mësuar për jetën e të afërmëve të mij, Selfo Hoxhës, Rexhep Hoxhës, Zeqo Kolës, kushëriri i parë i nënës sime, për fshatarët, Skënder Xhelo, Selfo Hysa, Bajram Shuaipi, Dragon Idrizi, Met’hat Idrizi, Veiz Sulo, e shumë të tjerë. Pasi hëngrëm drekën, e ftova Kipen të vinte në dhomën time. Kipja ishte tepër i avashtë, pothuaj e kishte humbur fare! Ndoshta nuk e priste këtë trajtim nga regjimi të cilit i shërbeu!

I thashë Kipes: “Dua më parë të më thuash, se çfarë pune bëje para se të ikje nga Shqipëria, për ç’arsye u arratise, ku banoje, ç’farë le nga pas dhe si u arratise e ku shkove”?!

“Ohhh’… u shpreh Kipja, si me habi: “Edhe ti do më bësh tani hetuesi, mjaft vuajta gjashtë muaj”, vazhdoi ai, për të shmangur të kaluarën e tij para se të arratisej. Shpjegimet që më jepte për arratisejn e tij, për mua ishin tepër absurde dhe të pabesueshme!

Rrëfimi i Kipe A…, se si u arratis nga Shqipëria dhe pse u kthye përsëri…?!

“Ishte herët në mëngjez, kur e kalova kufirin në Vërvë, ushtarët më qëlluan me automatik dhe ashtu kot shpëtova. U dorzova në postën greke dhe që andej më dërguan në Kampin e Refugjatëve, në Llavrio, ku bëra dokumentat për emigrim. Unë kërkova të shkoja në Amerikë, për arsye se atje kishte shumë njerëz nga ana jonë. Prita shumë kohë, por nuk më doli viza për në Amerikë, pasi më doli për në Kanada. E pranova. Shkova në Kanada ku Zyra e Emigracionit më stabilizoi në punë. Puna ishte e lehtë, pastroja një bankë natën, në qytetin e Torontos. Më vonë, u lidha me Skënder Xhelon dhe Markaqotë të tjerë, këta banonin të gjithë në Çikago. Një verë shkova dhe i vizitova, më pritën me dreka dhe darka. Bajram Shuaipi punonte bartëndër në një restorant, ku pronarët ishin nga Mursia e Sarandës, vëllezërit, “Hajazi”. Bilal Xhaferri, merret me botimin e revistës, “Krahu i Shqiponjës”, dhe gjithashtu me organizatën “Lidhja Çame”. Kohët e fundit punët nuk shkojnë mirë, pasi ata janë përçarë dhe grindeshin se kush të ishte kryetar?! Në një mbledhje, ku isha dhe unë, nxorrën koburet dhe gati sa s’u vranë me njëri-tjetrin! Kështu më duket se e mbyllën dhe nuk ekzistoin më ajo organizatë. Por Bilali, vazhdon të botoj revistën, “Krahu i Shqiponjës”, megjithëse i bënë atentat për ta vrarë në New York. Kjo është në vija të përgjithëshme, jeta e fshatarëve të t’u në Çikago”, përfundoi Kipja.

“Mirë, po për veten tënde nuk më the asgjë”, ndërhyra unë që doja më tepër të dija, pse ky njeri e la botën e qytetëruar dhe erdhi në “xhehnem”, të punonte si skllav në galeritë e Spaçit. Kipja e ndjeu vetën ngushtë për të më treguar arsyen që e detyroi të ikte nga “parajsa” dhe të futej në “ferr”! Kipe A…, më tha, se: ‘shkak i tërë këtyre vuajtjeve, ishte gruaja e tij, Zuzana’.

Ai më tha se ajo i’a bëri jetën të padurueshme, të pamundur që të jetonte në Kanada. Kipja e bëri edhe më të dyshimtë jetën dhe misionin e tij në ‘Botën e Lirë’. Unë arrita në konkluzionin se: ky njeri, ishte spiun i ndyrë i regjimit të Enver Hoxhës, për të përçarë dhe sabotuar organizatën, “Lidhja Çame”. I thashë Qaniut dhe disa shokëve të ngushtë, që të tregoheshin të kujdesëshëm, kur flisnin me Kipen.

Një ditë, aty ku rrinim e ngroheshim në diell, nuk durova të dëgjoja provokimet e tij dhe i them: “Kipe, kam shtatë vjet që jetoj këtu dhe bëra shoqëri me të gjitha kategoritë e njerëzve, ku mësova shumë gjëra, që vështirë t’i mësosh në universitetet më të dëgjuara të botës. Të lutem, mos u trego ai që s’je, tregohu i sinqertë, me mua dhe shokët e t’u. Ke qenë i dërguar me mision nga Tirana, apo jo?! Kaq dua të di dhe lëri lajkat”, përfundova unë i nervozuar nga provokimet e Kipe A…..

Ai u largua pa thënë asnjë fjalë dhe u tha shokëve, se: “me Kasemin nuk mund të bisedosh”! Për mua nuk kishte fare rëndësi personi i tij me dy faqe. Që nga ajo ditë, ai nuk më fliste dhe ndërronte rrugë kur më shikonte. Ky me siguri do të raportonte organeve të Sigurimit për interesimin tim, që të mësoja mbi jetën e të afërmve dhe gjithë fshatarëve të mij që rronin në Amerikë.

Regjimi i Enver Hoxhës, përdorte forma nga më të ndryshme, më tipike për të mposhtur, thyer, e duke i eliminuar fizikisht të gjithë kundërshtarët e tij. Jo vetëm brenda vëndit, e hodhi vëllanë kundër vëllait, por edhe në ‘Botën e Lirë’, ku rronin emigrantët shqiptarë, dërgonte spiunë dhe agjentë, për t’a mbajtur këtë komunitet të përçarë. Një nga këta ishte dhe Kipe A…, me mision të dështuar dhe për këtë arsye përfundoi në burg të Spaçit.

Por Kipja nuk ishte vetëm, kishte dhe shumë të tjerë që kishin qenë në botën perendimore, ku shumë prej tyre e kishin pohuar me gojën e tyre, se ishin të dërguar me mision të caktuar nga Tirana. Qani Sadiku nuk e besonte se Kipja ishte agjent dhe për këtë e këshillova disa herë që të tregohej i rezervuar jo vetëm me Kipen, por edhe me spiunët e tjerë. Qaniu s’donte t’ja dinte, por të gjithë njëlloj i donte.

Një ditë, Qaniun e kishte thirrur në zyrë, Operativi i Sigurimit i burgut (puna e të cilit ishte të mblidhte informacion për çdo të dënuar, se si mendon dhe se çfarë ka në mëndje çdo i dënuar), dhe e pyet: “Nga je”? “Nga Markati” i përgjigjet Qaniu. “Sa larg është Janjari nga Markati”, e pyeti ky Qaninë, i cili kishte dëgjuar se Operativi i ri, ishte nga Janjari i Sarandës dhe aty për aty, i thotë: “Pse, zotërote, me aeroplan shkoje në Janjar”?! “Kurrë, nuk e ke bërë atë udhë në këmbë”, e pyeti Qaniu. Ai, i ofenduar nga pyetja e Qaniut, i’a kthueu: “Me këtë kokë që ke, do vuash shumë dhe do ta paguash shtrenjtë…”! “Çfarë do, ku e ke hallin”, i’a kthehu Qaniu hazërxhevap.

Si u zbuluan dy organizatat e fshehta në burgun e Spaçit?!

Kështu, mesa kishte kuptuar Qaniu, Operativi i Sigurimit ishte i mirë informuar nga dikush lidhur me veprimtarinë e Qaniut, i cili merrte pjesë në mbledhjet që organizonin një grup të burgosurish që kishin formuar një organizatë të fshehtë, që e drejtonte Xhelal Koprencka dhe Irfan Vrioni.

Organizata ishte me një platformë Demokratike – Konservatore, kurse organizata tjetër që drejtohej nga Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, ishte me tendenca socialiste dhe me frymë nga Lindja.

Ndërkaq, spiunët bënin punën e tyre dhe ndonjë edhe ishte infiltruar brenda rradhëve të këtyre grupeve, duke marrë informata se kush nga të burgosurit bënin pjesë aty, të cilët më vonë u ekspozuan të gjithë.

Dhe me të vërtetë kështu ndodhi. Tellalli i burgut që tashmë ishte Dhimo G…, (nga Mursia e rrethit të Sarandës), kishte një listë në dorë dhe thirri emrat: “Xhelal Koprencka, Irfan Vrioni, Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani. Ata që dëgjuan emrat, të paraqiten tek oficeri i rojës,”, urdhëroi tellalli. Pas pak morrëm vesh që të katër këta, u arrestuan. Dihej shumë mirë që ata nuk ishin vetëm dhe “Kush e ka rradhën tani”, pyesnin të burgosurit veten e tyre?!

Gjendja në burg tashmë ishte tepër e acaruar dhe një grup policësh të armatosur rëndë, patrullonin ditë e natë. Të nesërmen, policia arrestoi 10 të burgosur, ndërmjet tyre dhe Fatos Lubonjën, Vladimir Ballukun, Spartak Ngjelën, Sherfif Merdanin e Bardhosh Gjonzenelin, që gjithnjë mërmëriste: “Rrojnë mizat në bith të kalit, rrojmë edhe ne”?!

Po kështu u arrestuan edhe Qani Sadiku, Gëzim Medolli dhe disa të tjerë që s’i mbaj mënd emrat e tyre. Ndërkaq, edhe unë me shokët e mij, Xhelal Çami, Nazmi Veshi e Rajmond Sejko, prisnim rradhën pasi e kishim të qartë, se nuk i shpëtonim dot eliminimit fizik nga regjimi komunist i Enver Hoxhës!

Njohja me Rajmond Sejkon, të birin e ish-Kundëradmiralit të Flotës

Rajmondi ishte një djalë i urtë, i sinqertë dhe i respektuar nga të gjithë të burgosurit. Rajmondi dinte t’i zgjidhte shokët, ai nuk fliste me cilindo, sepse e dinte mirë që spiunët ishin rrotull. Në kohën e lirë, ne rrinim bashkë, ai ishte dënuar me tetë vjet burg. Diskutonim nëse do të na linin të lirë nëse do ta mbaronim burgun!

Megjithse Rajmondi ishte tepër i rezervuar, ai më tregoi për tragjedinë e familjes së tij. Më dhëmbi thellë në shpirt, kur dëgjova tërë atë dramë. Unë e dija se babai i tij, Teme Sejko, ishte i pafajshëm dhe për këtë unë kisha shkruar se gjyqi i Teme Sejkos ishte i parapërgatitur nga vetë Enver Hoxha për të godituir dhe ekzekutuar “Grupin e Çamëve”, duke i akuzuar si “tradhëtarë që donin të përmbysnin pushtetin popullor”, gjoja me kryengritje të armatosur.

Xhahilët e Enver Hoxhës, përdorën torturat nga më ç’njerzoret që t’i detyronin ata për të pranuar akuzat që u bëheshin, si “agjent të grekëve, jugosllavëve dhe amerikanëve, duke e kordinuar me fuqitë e huaja pushtimin e Shqipërisë”. Në gjyq, u duk qartë se Teme Sejko, lexonte ato që i kishte shkruar xhelati më i poshtër, “Kasapi” i Enver Hoxhës, Arianit Çela, që ishte Prokurori i Përgjithshëm.

Temja pohoi në gjyq, se “ishte në kontakt me amerikanët, jugosllavët dhe grekët” dhe në atë gjyq doli si dëshmitar, Kosta Fili, për të vërtetuar lidhjet me Asfalinë Greke. Teme Sejko pranoi gjithashtu se ishte takuar  me Haki Rrushitin dhe Panajot Plakun që ishin në mërgim. Pas gjyqit, Haki Rrushiti, botoi artikullin e tij të titulluar “Përgënjeshtrim”, ku thoshte se: kurrën e kurrës nuk ishte takuar me Teme Sejkon!

Hakiu shkruante aty se kishte aq lidhje me Asfalinë greke,  sa mund të kishte dhe me komunistët e Tiranës! Teme Sejko, u ekzekutua aty nga mesi i vitit 1961, së bashku me Tahir Demin, Abdyl Resulin dhe Hajri Manen. Dënimi me pushkatim i tyre, u shoqërua dhe me burgimet e dhjetrave të tjerëve me dënime të rënda, por ky nuk do të ishte fundi i tragjedisë shqiptare. Persekutimi vazhdon!

Biseda me Rajmondin, për të vërtetën e tragjedisë së familjes së tij

Me Rajmond Sejkon u njoha aty nga mesi i vitit 1976. Kishte kohë që kishte ardhur në burgun e Spaçit, më tepër se dy muaj, por ai ishte në turn tjetër dhe në zonën e I-rë, kurse unë isha në turn tjetër dhe në zonë e III-të, e kështu që nuk mund të takoheshim. Një ditë të dielë, isha ulur në stol në oborr të burgut dhe po rrija vetëm. M’u afrua një djalë i gjatë, pak i krrusur, fytyrmprehtë, me hundë të gjatë, dy sy poshtë vetullave të zeza që shprehnin zgjuarsi dhe inteligjencë të natyrshme. “Si je Kaso”, më tha dhe më zgjati dorën për toka…!/Memorie.al