MENU
klinika

QAnon???

Mitet konspirative rreth një “elite”

28.09.2020 - 13:04

       Një elitë sekrete, sipas konspiracionit, rrëmben fëmijët dhe dëshiron të sundojë botën. E krijuar në SHBA, lëvizja e internetit, QAnon vepron globalisht, ndërkohë edhe në Europë, sidomos në Britaninë e Madhe dhe Gjermani.

Ata kanë qenë të pranishëm edhe në protestat e fundit kundër koronës në Londër – përkrahësit e miteve konspirative të QAnon. Të shtunën e kaluar, kur u grumbulluan mijëra vetë në sheshin “Trafalgar Square”, për të demonstruar kundër masave të qeverisë londineze për kufizimin e pandemisë, ata mbanin lart pllakate ku shkruhej “Liri në vend të frikës”, apo “Ndaloni tregtinë me fëmijët”.

Elita e fshehtë

Slogani i fundit është një tregues i qartë për QAnon. Sipas lëvizjes së krijuar në internet, një elitë ndërkombëtare pedofile rrëmben dhe keqtrajton fëmijët për të fituar drogën e rinimit nga gjaku i tyre. Tek kjo elitë bën pjesë Hillary Clinton dhe investitori amerikan, George Soros, sipas tyre, dhe përpiqet të arrijë sundimin botëror. Sipas mitit, elita ka një qeveri në hije, i njohur edhe si “deep state”, që vepron pas kuintave në SHBA dhe në botë. Nga ana tjetër, ana e “pozitive” qëndron presidenti, Donald Trump, që e ka filluar luftën kundër “deep state.”

Këto janë pretendimet kryesore të QAnon, që tirren edhe më tej me mite antisemitiste. Jakob Guhl nga Instituti I Londrës për Dialogun Strategjik, ISD, e quan “QAnon si tofu të lëvizjeve online. Masa e sojës mund të marrë shije të ndryshme, varësisht, se me çfarë e trazon.”

Bashkim me lëvizjen Alt-Right, esoteristët dhe anarkistët

Shembulli më i fundit është lidhja e QAnon me lëvizjen që beson, se masat e Coronës janë tejet të ekzagjeruara apo se virusi është një shpikje për të manipuluar të gjithë popullsinë me vaksinën. Kjo është vënë re në protestat në vende të ndryshme, ku krahas kundërshtarëve të vaksinës shihje edhe ezoteristë, djathtistë dhe përkrahës të QAnon. Kriza e Coronës, sipas një studimi, i ka dhënë një hov të madh lëvizjes. Nga marsi deri në qershor të këtij viti, në mediat sociale si kurrë më parë ka pasur një dendësi postimesh të lidhura me QAnon.

Sipas Guhl “edhe pse shumica e postimeve kryhet në SHBA, dimensioni i saj ndërkombëtar është rritur. Së fundmi është Britania e Madhe, vendi i dytë ku shpërndahen më së shumti postimet e QAnon.” Pastaj vijnë në radhë Kanadaja, Australia, dhe në vend të pestë Gjermania. Sipas studiuesit të ekstremizmit, kjo është domethënëse, sepse “QAnon është e fokusuar në Amerikë dhe në anglisht. Ka spekulime, se kjo përhapje e madhe në Gjermani krahasuar me vende të tjera, jo anglishtfolëse, lidhet edhe me skenën e zhvilluar të miteve konspirative dhe lëvizjeve si ajo e anarkistëve të perandorisë, ku QAnon mund të gjente terren.”

Q – gjoja punonjësi i shërbimit të fshehtë

Në tetor 2017 një përdorues anonim nën emrin Q e ofroi në forumin 4chan në internet narrativin që krijoi QAnon. Aty ai tjerr më tej mitin e ofruar në fushatën zgjedhore në vitin 2016, e njohur si Pizzagate, ku në një piceri në Uashington vepron një rrjet pornografik me fëmijë, ku është e përzier edhe Hillary Clinton – ky pretendim, që nuk sillte asnjë fakt, u cilësua si i besueshëm edhe nga këngëtari britanik, Robbie Williams.

Q pretendonte, si punonjës i shërbimit secret, se kishte njohuri të brendshme dhe se Hillary Clitnon do të arrestohet së shpejti. Kjo nuk ndodhi, por postimet e tij gjetën përhapje të gjerë. Që atëherë tezat e Q janë shpërndarë me shpejtësi në forume në internet, pastime, video, në mediat sociale, Telegram, Facebook, Twitter, Instagram e Youtube.

Ndjenja dalldisëse të jesh prezent

Narrativa e QAnon fokusohet aty ku ka relevancë lokale. Eksperti Guhl thotë, se QAnon funksionon “si një lloj miti metakonspirativ”, që integron në vetvete mite të tjera. Aty mund të futen pikëpamjet e anarkistëve të perandorisë, apo në Britaninë e Madhe të përkrahësve të Brexitit. Në protestat pro Brexit, shihje përkrahës të lëvizjes QAnon, që e tregonin Boris Johnson, si aleat të shpëtimtarit të botës, Trump.

Eksperti gjerman i internetit, Sascha Lobo shkruan në një opinion për “Der Spiegel”, se ingredienti që i sjell suksesin QAnon është mundësia për t’i zhvilluar idetë e QAnon dhe bashkosh vetë ato që gjoja quhen si pjesët e rebusit. Ai e quan QAnon „një nga ideologjitë konspirative më të suksesshme dhe më të rrezikshme në rrjet.”

Sado të çuditshme të jenë idetë e mitit të QAnon, këtu bëhet fjalë për më shumë se një fenomen në internet. Pasi përkrahësit e lëvizjes kishin planifikuar dhe kryer akte të dhunshme, FBI në vitin 2019 e ka futur QAnon në kërcënimin potencial terrorist.

Në Gjermani terroristi që kreu vrasjen me sfond ekstremist të djathtë në Hanau, ku humbën jetën 9 vetë, në një pamflet të tij shfaqte të gjithë botëkuptimin racist dhe konspirativ. Ai nuk flet drejtpërdrejt për QAnon, por raporton për një shërbim sekret që vepron në botë dhe që i komandon njerëzit nga larg. Në fund ai vrau nënën e tij dhe veten.

Përkrahës të QAnon-Anhänger – pjesë e politikës?

Rreziku i radikalizimit dhe dhunës është njëra anë. Eksperti Guhl kujton se në zgjedhjet presidenciale në nëntor, mbështetës të QAnon kanë dalë në zgjedhje si për republikanët edhe si kandidatë të pavarur për kongresin amerikan. „Njerëz që besojnë, se një elitë sekrete e dhunuesve të fëmijëve do të rrëzojë Trumpin, do të votohen me gjasë dhe do të kenë ndikim në ligjvënie.”

Facebook dhe Twitter bllokuan në verë mijëra profile të përkrahësve të lëvizjes. Në Gjermani, i ngarkuari i qeverisë gjermane kundër antisemitizmit, Felix Klein kërkon që platformat sociale të kufizojnë më shumë përhapjen e QAnon. Jakob Guhl e shikon këtë masë si të rëndësishme, por kujton problemin kryesor të algoritmeve në rrjetet sociale që favorizojnë përmbajtjet kontroverse. Prandaj ai kërkon që „të forcohet kompetenca për mediat sociale dhe informacionet e gabuara.”/DW