MENU
klinika

Thaçi reagon për publikimin e dosjeve të rrjedhura në Hagë

“Mund t’i përdorin si pretekst. Do na dëmtojnë mundësinë…”

24.09.2020 - 16:36

Presidenti Thaçi paralajmëroi të mërkurën në mbrëmje se publikimi i atyre që pretendohet se janë dosje të rrjedhura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë mund të dëmtojë mundësinë e të paditurve për t’u mbrojtur kundër akuzave për krime lufte.

“Kjo rrjedhje e informatave të klasifikuara mund të paragjykoj procedurat penale që do të mund të zhvillohen atje dhe në dëm të të pandehurve. Kjo për shkak se kjo ngjarje mund të (keq)përdoret si pretekst për kufizuar të drejtat e të pandehurve gjatë procedurës penale, qoftë duke u kufizuar atyre të drejtën e lëvizjes apo duke ju kufizuar atyre të drejtën për të marrë në pyetje në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse dëshmitarët kundër tyre”, tha Thaçi për kanalin televiziv T7.

Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pretendon se i janë dorëzuar në mënyrë anonime tre grupe me dosje që përmbajnë dokumente të gjykatës dhe u ka kërkuar mediave të Kosovës që t’i botojnë ato pa zbuluar emrat e dëshmitarëve.

Por Thaçi tha se “kjo rrjedhje e informatave të klasifikuara është tejet shqetësuese sepse dëmton arsyen kryesore pse ishte vendosur zhvendosja e këtyre institucioneve jashtë Kosovës”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës priten të gjykojnë ish-luftëtarë të UÇK-së të paditur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime të kryera gjatë dhe pas luftës nga viti 1998 deri në vitin 2000, krime që përfshijnë vrasje, torturë dhe ndalime të paligjshme.

Ato janë të dyja pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë staf ndërkombëtar. Ato u krijuan nën presionin e madh të aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ishte aq i fuqishëm sa të gjykonte çështje kaq të ndjeshme dhe të mbronte dëshmitarët.

Po qe se vërtetohet se informatat e klasifikuara që kanë rrjedhur janë autentike, pres që autoritetet përkatëse të këtyre institucioneve të kryejnë hetime penale në lidhje me këtë ngjarje dhe që personat përgjegjës për këtë rrjedhje të informatave të klasifikuara, kushdo qofshin ata, të dalin para drejtësisë”, tha Thaçi.

Thaçi, i cili është ish-lideri politik i UÇK-së, është ndër ata që mund të rrezikojë të dalë në gjyq. Aktualisht, është në pritje për konfirmim një aktakuzë që e akuzon atë për krime të ndryshme, por ai mohon çdo keqbërje.

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se dokumentet duhet të publikohen për të treguar se gjykata e Hagës është e njëanshme ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Avokati për Organizatën e Veteranëve të Luftës, Tome Gashi, u shpreh gjithashtu të mërkurën se publikimi i komunikimeve të rrjedhura midis Dhomave të Specializuara dhe institucioneve serbe do të ishte i ligjshëm, për sa kohë që nuk kompromentohen identitetet e dëshmitarëve.

“Nuk besoj se është krim të bësh publike komunikime të kryera midis Serbisë dhe Dhomave të Specializuara”, tha Gashi për T7.

Por Thaçi tha të mërkurën se Organizata e Veteranëve të Luftës “po keqpërdorte qëndrimin e saj publik kundër Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar”.

Prokuroria e Specializuar u shpreh gjithashtu se Organizata e Veteranëve të Luftës ka vepruar kundër interesave të drejtësisë.

Ekspertët kanë paralajmëruar se rrjedhja e informacioneve mund të komprometojë seriozisht punën e prokurorëve dhe gjykatës së Hagës.

Mark Ellis, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve me qendër në Londër, tha për Radio Evropa e Lirë të enjten, se “kjo është një kanosje e dhe sulm i qartë ndaj gjykatës, procesit, gjykimit të drejtë”.

“Nëse jeni në një mjedis ku grupe ose individë ofrojnë informacion mbi emrat dhe adresat e dëshmitarëve, atëherë i gjithë procesi, në thelb, shembet”, tha Ellis.

Mbrojtja e dëshmitarëve nga kanosja ka qenë një problem kryesor në të kaluarën në gjyqin e anëtarëve të UÇK-së në Hagë dhe në Kosovë. Ellis tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet ta bëjë të qartë se do të ndërmarrë masa ndaj atyre që e bëjnë publik këtë informacion dhe të sigurojnë se “kjo nuk do të ndodhë më”. Deri më tani, mediat në Kosovë nuk kanë publikuar asnjë nga dokumentet, por stacioni televiziv shqiptar Top Channel ka deklaruar se do ta bëjë diçka të tillë.

Kosova një hap më pranë anëtarësimit në KiE,

Petkoviç: Pranimi i Prishtinës zyrtare, gjest armiqësor karshi Serbisë

Vuçiç dhe Dodik trazojnë sërish Ballkanin

Dy liderët bashkojnë forcat për të shpallur “Botën Serbe”

“Serbia do shpallet shtet gjenocidal!”

Deklarata ‘bombë’ e Vulin: Dodik do arrestohet

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe reagon ashpër ndaj KiE

“Anëtarësimi i Kosovës, një gjest armiqësor ndaj nesh”