MENU
klinika

Nga Presidenti tek Ministrja e Shëndetësisë

Ndarja nga jeta e Profesor Brokajt/ Reagojnë figurat politike

13.09.2020 - 09:39

Presidenti i Republikës, Ilir Meta reagon pas ndarjes nga jeta të profesorit të njohur Sabit Brokaj.

Duke e konsideruar një humbje të pazëvendësueshme, Presidenti Meta i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes.

Postimi i plotë:

Trishtues lajmi për ndarjen nga jeta të Profesor Sabit Brokaj, mjekut dhe intelektualit të shquar, gjithmonë të angazhuar në çështjet kombëtare edhe si deputet e ministër.

Ngushëllimet më të ndjera familjes Brokaj, të afërmve dhe miqve të tij për këtë humbje të pazëvendësueshme që na lëndoi të gjithëve ne që e njohëm nga afër.

I paharruar kujtimi i Profesor Sabitit!”

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi familjes së Sabit Brokaj, pas ndarjes nga jeta të profesorit dhe politikanit të njohur.

Në mesazhin ngushëllues, Kreu i Kuvendit thotë se Sabiti do të kujtohet si një ndër politikanët më parimorë, më të urtë dhe më të mençur të Shqipërisë, bashkëthemelues i të majtës shqiptare.

Teksa rendit të gjithë cilësitë e tij në të gjitha fushat ku ka shërbyer, Ruçi thotë se Sabit Brokaj do ti mungojë të gjithëve.

“Të dashur Mira, Inesa dhe Krenar,

Me dëshpërim e dhimbje të thellë mora vesh lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Sabitit, bashkëshortit e prindit tuaj të shtrenjtë dhe kolegut e shokut tim të dashur.

Sabit Brokaj ishte një ndër personalitetet e mjeksisë shqiptare, me një kontribut të pakrahasueshëm në zhvillimin dhe konsolidimin e shërbimit të kardiologjisë, dhe për të cilin ka fituar mirënjohjen e kolegëve dhe të qytetarëve.

Sabiti do të kujtohet si një ndër politikanët më parimorë, më të urtë dhe më të mençur të Shqipërisë, bashkëthemelues i të majtës shqiptare dhe mbartës e përçues i vlerave më të mira të saj, si edhe i vyrtyteve më të larta të shqiptarëve.

Si deputet për disa legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë, shkëlqeu për përkushtimin e pashoq, arsyetimet e thella, logjikën e pakundërshtueshme, oratorinë dhe elokuencën, por edhe thjeshtësinë mbresëlënëse dhe lidhjet e pandshme me njerëzit.

Si dekan i Fakultetit të Mjeksisë, profesor Sabiti kontribuoi për modernizimin e mësimdhënies e të formimit të mjëkëve të rinj shqiptarë me dijet e shprehitë bashkëkohore.

Si Ministër i Shëndetësisë, u shqua për drejtimin e mençur përballë sfidave të mëdha që kërkonte mbrojtja e shëndetit të popullit, në rrethana tepër të vështira.

Si Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë në një ndër periudhat më kritike për vendin, kontriboi në modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe rritjen e bashkëpunimit të saj me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe vendet e BE-së.

Sabiti do të na mungojë gjatë të gjithëve, por boshësinë e krijuar me ikjen e tij të parakohshme, do të mbushin kujtimet e respekti dhe nderimi për këtë bir të shquar të Shqipërisë e të Labërisë, për këtë trim të mendjes e të veprimit, për këtë patriot të madh, për këtë njeri të jashtëzakonshëm, që u shërbeu familjes, atdheut dhe njerëzve deri në çastet e fundit të jetës.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në letrën e ngushëllimit drejtuar familjes së Profesorit Sabit Brokaj.

Për ndarjen nga jeta të profesor Sabit Brokajt ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Në një postim në rrjetet sociale, ministrja thotë se kontributi i tij do të mbetet i vlerësuar ndër breza.

“E hidhëruar për lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Sabit Brokajt.

Prof. Brokaj shërbeu si Ministër I Shëndetësisë në një periudhë tranzicioni të vështirë, në vitin 1991, por karriera e tij e gjatë si mjek në fushën e kardiologjisë, la gjurmë në mjekësinë shqiptare. Kontributi profesional dhe shoqëror i prof. Sabitit do të mbetet i vlerësuar ndër breza.

Ngushëllime familjes, kolegëve dhe miqve të shumtë!

U prehtë në paqe”, shkruan ministrja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN