MENU
klinika

Muzika në zi!

Ndërron jetë këngëtarja e hitit feminist “I am a woman”!

30.09.2020 - 11:01

Helen Reddy, këngëtarja e himnit feminist të viteve ’70, “I am a woman”, ka ndërruar jetë të martën, në moshën 78-vjeçare.

“Me trishtim të thellë njoftojmë për vdekjen e nënës sonë të dashur, Helen Reddy, pasditen e 29 Shtatorit 2020 në Los Angeles. Ajo ishte një nënë e mrekullueshme, gjyshe dhe një grua me të vërtetë e respektuar”, thanë në një deklaratë fëmijët Traci dhe Jordan.

Këngëtarja australiane ishte e njohur edhe për këngët “Delta Dawn” dhe “Ain’t No Way to Treat a Lady”.

Një biografi filmike e ngritjes në karrierë të Reddy-t, nga një nënë beqare në New York City, në një artiste hitesh si ai “I am a woman”, u transmetua muajin e kaluar.

Filmi luhet nga Tilda Cobham-Hervey dhe përmban edhe një këngë të re nga mbesa e Reddy-t, Lily Donat.

“I am a woman” u publikua në 1971, por nuk arriti në numrin 1 në Billboard Hot 100 deri në dhjetor të vitit të ardhshëm.

Pastaj, në 1973 Reddy fitoi Grammy-n e saj të parë për këngën, sipas faqes Recording Academy GRAMMY Awards.

“Unë do të doja të falënderoja Zotin, sepse ai bën gjithçka të mundur,” tha Reddy në fjalimin e saj të shkurtër asokohe.

Ajo u nominua edhe për një tjetër Grammy në vitin 1976.

“Zemrat tona janë thyer”, thuhet në deklaratën e publikuar nga fëmijët e saj. “Por ne ngushëllohemi me njohurinë që zëri i saj do të jetojë përgjithmonë”!