MENU
klinika

Nga Lorenc Vangjeli

Në prill ka vetëm votë pro apo kundër Edi Ramës

18.09.2020 - 12:30

Nga Lorenc Vangjeli

Ka një keqkuptim të jashtëzakonshëm nga opozita shqiptare në ngutin e saj drejt të përpjetës së pushtetit. Edhe opozita e djeshme socialiste kishte konsumuar të njëjtin keqkuptim, sipas të cilit, beteja politike e katër vjetëve, është si luftrat në mesjetë: fiton ushtria që vret komandantin e ushtrisë rivale. Socialistët e kanë bërë më parë për Berishën duke e sulmuar nga mëngjezi në darkë, duke e konsideruar fajtor që nga manipulimi i zgjedhjeve tek lopatat me dhe’ që vidheshin në rrugën e Kombit, nga tragjedia në Gërdec tek vrasjet fatzeza në Bulevard. Jo se ishte gabim të hidhej nga një gur përditë mbi kokën e ish-kryeministrit dhe për t’i numëruar me gurë mëkatet e çdo dite, por sepse socialistët llogarisnin me shpirt t’i thyenin kokën në gur edhe kur Shqipëria hynte në NATO apo BE i liberalizonte lëvizjen e lirë. Absolutisht e njëjta strategji ndeshjeje është edhe me Edi Ramën, i cili për opozitën është më i zi se djajtë që torturojnë të penduarit, është kryebaroni evropian i drogës, është grabitësi i çdo qindarke në buxhetin disa miliarda eurosh të vendit dhe është koka e vetme që a meriton mbi kokë çdo gur të Shqipërisë shkëmbore.

Të besosh në një lloj komunikimi të tillë fëminor, naiv, të përciptë dhe sipërfaqësor, që ngjan si dy anët e të ndenjurave me mënyrën  dikurshme komuniste të propagandës, krijohet bindja se në Shqipëri, varësisht përkatësisë partiake, njëra gjysmë e publikut jeton në Eldorado, gjysma tjetër digjet në ferr. Mohimi total pa pohim, urrejtja e verbër pa size racionaliteti, monotonia e të zezës duke refuzuar qoftë edhe nuancën e grisë, bën që në konkurrimin e të vërtetave relative, e vërteta të ketë shumë fytyra si perëndia e teatrit. Dhe vetë teatri absurd i Tiranës, është pastaj alkimia që e shndërron cilëndo tragjedi të drithëruese, në farsë komike të pabesueshme.

Shtatë vjet më parë me Berishën dhe sot edhe me Edi Ramën, kjo lloj propagande nuk është më shumë se një shërbim masturbimi për kryeministrit të rradhës. Vetëm kujtesëshkurtërit nuk kujtojnë si shkonte në ekstazë dje Berisha, për të mos dalluar se në të njëjtën yjësi lundron edhe Rama kur mizëria e kundërshtarëve të tyre vihen në garë për të gjetur epitetin më të lig për ta edhe kur kanë pasur vërdallë ndonjë punë të mbarë. Eshtë kjo zhurmërimë urrejtjeje pakushte që e ka shndërruar ambientin politik të vendit në një qenef aq të pështirë sa edhe zhurma e zorrëve të çdo ngjyre, tashmë nuk ndjehet fare nga një publik i mpirë totalisht. I mpirë për faj të tyre!

Ky është shkaku kryesor që në mëngjezin e 25 prillit të vitit tjetër askush nuk do të zgjohet nga gjumi duke menduar për vendin e ri të punës së Lulzim Bashës, për koordinatën në pushtet të Monika Kryemadhit, për Ilir Metën apo Sali Berishën. Fatkeqësisht, për shkak të kësaj katërsheje të keqkuptuar dhe gjithë përkrahësve të tyre, shqiptarët do të shkojnë në votime duke pasur parasysh vetëm portretin atipik të Edi Ramës. Dhe vota e publikut do të ketë vetëm një ngjyrë dhe një motiv të vetëm. Ajo do të nënshkruhet në emër të dashurisë apo urrejtjes për Edi Ramën. Do të votohet pro apo kundër atij. Për ta rilindur sërish apo për ta ndëshkuar politikisht. Për ta mbajtur lart e rikonfirmuar apo për ta përzënë dhe rrëzuar poshtë. Ky identikit i votës së pahedhur ende është ndëshkimi më i madh që i jepet paradhënie një opozite që synon të vijë në pushtet.

15 vjet më parë, stili “Gjithë fajin e ka Fatosi” funksionoi dhe PD morri qeverisjen e vendit, jo si konfirmim të Berishës, por si një ndëshkim të Nanos. Ish-kryeministri që pati fatin kontravers të ishte burrë i pjekur në adoleshencë dhe u shndërrua në adoleshent në kohën e pjekurisë së thellë, ishte fati i keq i vetes. Lulzim Basha shpreson të ketë të njëjtin rezultat përballë Ramës. Edhe mund të ndodhë. Por kanë ndryshuar rrethanat, kohët dhe vetë njerëzit. Nuk rrjedh dy herë i njëjti ujë nën këmbët e të njëjtës urë. Dhe për më shumë, ai ende nuk ka paguar faturën e gafave të njëpasnjëshme që ka bërë në aktet më të rëndësishme politike të tij. Përfshi edhe aftësinë e pabesueshme për të zgjedhur e mbledhur rreth vetes njerëzit më të gabuar të mundshëm dhe që i përfshiu në politikë. E që për më keq akoma, shpesh e në shumicë, i vetmi tipar që i identifikon, edhe mendjemadhësia prej prezervativësh: meqënëse kanë leje të hyjnë brenda Tempullit, mburren e binden se po bëjnë seks.