MENU
klinika

Vaso Pasha, gurthemeli i rimëkëmbjes shqiptare

“O moj Shqypni, e mjera Shqypni’… Rama, thërret etërit e kombit”

17.09.2020 - 14:52

O MOJ SHQYPNI

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.

Kryeministri Rama, përkujtoi sot, përmes rubrikës “Homazh”, Pashko Vasën:

Është dhe do të mbetet, një nga Etërit më të lavdishëm të kombit tonë, të cilin e begatoi aq shumë me dashuri, përkushtim e një trashëgimi të pazëvendësueshme letrare” – shkruan, Kryeministri.

“Pashko Vasa është një gur këndor i rimëkëmbjes shqiptare në shekullin XIX, pesha e të cilit mbetet e admirueshme sot e gjithë ditën. Shkrimtar e publicist, diplomat e nëpunës i lartë civil e mbi të gjitha, një shqiptar kolos, me shumë dhunti e me shqipen dykrenare në zemër, ai i flet sot e gjithë ditën ndërgjegjes së kombit tonë” – shkruan, Rama.

Pashko Vasa (1825, Shkodër-1892, Beirut, Lebanon) also known as Vaso Pasha, Wasa Pasha or Vaso Pashë Shkodrani, as a Governor of Lebanon (1882-1892).
Pashko Vasa Shkodrani si guvernator i përgjithshëm i Libanit,(1882-1892).
Images Credit: Wikimedia Creative Commons

Kryeministri theksoi se “veprat e shkruara të shkodranit të talentuar që lindi në kryeqytetin e vjetër të ilirëve, më 17 shtator 1825, në familjen mirditore të Hilë Gjokë Vasës dhe Drande Gjegjës, kanë bërë epoke dhe janë xhevahirë atdhetarie në tekstet shkollore e në çdo librari”.

“Drithëron epika dhe njëkohësisht lirika e tij poetike që lajmëron ardhjen në letërsi të një Fishte, të një Shiroke e të një Mjede; fryma elegjiake me rënkimet në një gegnishte të hyjshme e lartësojnë në nivelin e autorëve më të mirë europianë; kultura, intelekti dhe njohja e thellë e ngjarjeve, i japin dorë të rendisë fjalën fluturake të artit krijues, me lehtësinë e një Petrarke e një Torquato Tasso, poetë aq domethënës për të. A mjafton vepra e shkruar për të rrokur Pashko Vasën, Vaso Pashën? “Brenda meje, shumë personazhe”, pat shkruar Shekspiri, a thua se ka lënë epigrafin e jetës së shkodranit” – citon, Kryeministri.

Ai theksoi, se “katoliku shqiptar, në realitet fort besimtar e aspak supersticioz, realist e praktik, i shërbeu perandorisë së gjysmë hënës me një luajalitet që, në këmbim, i mundësoi të peshonte si pak të tjerë në favor të çështjes shqiptare”.

“Revolucionari dhe një nga “socialistët” e parë europianë, që pagëzimin e luftës e mori në betejat për bashkimin e Italisë qysh 22 vjeç, shkëlqeu si vali dhe pasha në shekullin e Abdyl-Hamidit II, duke qeverisur rajonin më delikat e të vështirë të kohës, Malin Liban (Mont-Liban), ku përplaseshin e tërhiqeshin si batica e zbatica deti, interesat me divergjente të fuqive të mëdha, në mozaikun më të koklavitur fetar, mes maroniteve, melkiteve, sunnitëve, druzëve, alauiteve dhe shitëve; meritë e padyshimtë e shqiptarit të madh, oriental por aspak levantin, që kjo shkapërdarje e patreguar gjeti një « modus vivendi» në kohën kur triumfonte revolucioni industrial, në zemër të Belle époque dhe të nacionalizmave të shfrenuar” – përshkruan ai.

Rama, vazhdon më tej, se “pushtetari perandorak, ishte nga ana tjetër dhe më shumë se çdo gjë tjetër, shqipua i paepur i maleve, që tërhoqi fort pas vetes një mori vëllezërish myslimanë e të krishterë në Stamboll për t’i dhënë dum çështjes kombëtare”.

“Themelues i Komitetit të fshehtë të Stambollit dhe i Shoqërisë së Shkronjave, ai është në fakt i parëlinduri dhe maja e ajsbergut e një morie shqiptarësh mjerisht ende të panjohur stambulliote, që ftilluan atë rrjet të padukshëm e tejet efikas ndikimesh e ndërveprimesh, që mu në zemër të perandorisë, ringriti flamurin e kombësisë dhe të mbrojtjes së integritetit të trojeve tona” – cilëson, Kryeministri Rama.

“Elegant, galant, burrëror e gjithaq i ndjeshëm, reflektoi me thellësinë e qetë të një romantiku syçelët, plagët e shumta dhe gëzimet e pakta me të cilat e sajdisi fati gjatë një jete ku morti, por edhe shpresa, iu bënë mysafirë të përhershëm. Fisniku Pashko Vasa është dhe do të mbetet një nga Etërit më të lavdishëm të kombit tonë, të cilin e begatoi aq shumë me dashuri, përkushtim e një trashëgimi të pazëvendësueshme letrare” –  ka përfunduar kështu, edhe misionin e vet atdhetar e mirënjohës me përulësi për etërit e kombit, Edi Rama. / Konica.al

***

Vaso Pasha (Shkodër, 17 shtator 1825 – Bejrut, 29 qershor 1892) ishte njëri ndër rilindësit më të spikatur të Shqipërisë dhe njëri ndër iluministët e ndritur të kombit. Ai, gjithë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes së çlirimi të Shqipërisë, arsimimit, kulturës, diturisë.

Pashko Vasa, lindi në Shkodër më 17 shtator të vitit 1825. I ati quhej Hilë Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite dhe ishin shvendosur në qytet, n’atë shtëpi ku sot është shtëpia-muze e Pashko Vasës. Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 gjer më 1847, ku pati mundësinë me përmirsuar dijet e tij në gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht.

Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtari të dendur për çështjen kombëtare zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa ishte autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasa i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865).

Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).

Ai zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Nën vijën muzikore, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).

Që nga viti 1883 e derisa vdiq, në qershor të vitit 1892, Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat tij u sollën në Atdhe në kohën e regjimit komunist të Shqipërisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"O moj Shqypni e mjera Shqypni"

Pashko Vasa thërret edhe pas 140 vjetësh


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit