MENU
klinika

Çfarë do të sjellë koronavirusi?!

Pa epidemitë e shekujve 16-17, nuk do të kishim botën moderne

21.09.2020 - 13:01

       Jo rrallëherë, pandemia e koronavirusit është krahasuar me shumë sëmundje ngjitëse të mëparshme, përfshirë murtajën e madhe dhe pandeminë e gripit spanjoll, në vitin 1918. Megjithatë, ngjarja më domethënëse historike e sëmundjes është marrë fare pak në konsideratë. Siç dihet, bota moderne nuk do të kishte ekzistuar pa epidemitë që përfshinë Amerikën në shekujt 16-të dhe 17-të, epidemi që formësuan botën moderne. Menjëherë pas udhëtimeve eksploruese të Kristofor Kolombit, në Amerikë mbërriti një numër gjithnjë në rritje evropianësh. Me vete, ata sollën një sërë virusesh, të tilla si: lia, gripi, fruthi, shytat apo lia e dhenve, ndaj të cilave vendasit amerikanë, as nuk ishin ekspozuar më parë dhe as kishin imunitet. Historianët, epidemitë që rrodhën i quajtën “epidemitë e tokës së virgjër”. /Konica.al

Koronavirusi ka demonstruar qartë ndikimin, që një epidemi mund të ketë mbi një popullatë të ndjeshme. Në mënyrë të ngjashme, epidemitë e tokës së virgjër përfshinë me shpejtësi, komunitetet autoktone amerikane. Shoqëritë ishin mbingarkuar. Befas u sëmurën të gjithë: nuk kishte kush të kujdesej për të sëmurët dhe kush të mbillte ose të korrte prodhimin.

Ndikimi i epidemive qe gjithëpërfshirës. Në njëfarë mënyre, ato larguan njerëzit që mund t’i kishin rezistuar zgjerimit evropian. Disa studime sugjerojnë, që popullsia e Amerikës mund të ketë qenë deri në 100 milionë para kontaktit me evropianët. Në shumë rajone, përgjatë një shekulli nga ekspozimi ndaj këtyre sëmundjeve, 95% e popullsisë vdiq. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për perandoritë asteke dhe inca, por shoqëri të ngjashme, edhe pse jo kaq komplekse, ekzistonin diku tjetër. Kur Hernando de Soto eksploroi së pari, në vitet 1540, atë që në ditët e sotme njihet si Shtetet e Bashkuara jug-lindore, gjeti popullsinë lokale që jetonte në qytete të mëdha, të cilat mund të ngrinin ushtri me mijëra burra. Kur eksploruesit anglezë hynë në rajon në fund të shekullit vijues, ata gjetën vetëm disa fise të shpërndara. Për vite me radhë, historianët e vunë në dyshim vlefshmërinë e të dhënave të ekspeditës së De Soto-s. Sidoqoftë, aktualisht arkeologjia ka verifikuar shumë nga përshkrimet që sollën pas njerëzit e tij. Këto shoqëri u zhdukën nga epidemitë e tokës së virgjër, edhe pse kontakti i tyre i drejtpërdrejtë me evropianët ishte i kufizuar. Këto epidemi vranë jo vetëm njerëzit, por shkatërruan njëherazi edhe kulturën e moralin. Shumica e shoqërive amerikane vendase ishin analfabete – ato nuk kishin gjuhë të shkruar. Si pasojë, kur pleqtë vdiqën brenda një kohe të shkurtër, shumë nga kultura dhe njohuritë e komunitetit u zhdukën bashkë me ta. Kjo disfatë hyri në një cikël dëshpërimi dhe demoralizimi, çfarë minoi rezistencën e amerikanëve vendas, duke siguruar kështu një justifikim për zgjerimin evropian. /Konica.al

Pashmangësi e dukshme

Disa vëzhgues në Azinë Lindore e shohin dështimin e qeverive perëndimore për të kontrolluar koronavirusin si dëshmi të dobësisë dhe brishtësisë së demokracisë perëndimore. Në mënyrë të ngjashme, në shekullin e 16-të, evropianët i panë epidemitë e tokës së virgjër, si provë të epërsisë së tyre morale dhe biologjike. Ato ishin dëshmi, se Zoti synonte që evropianët të merrnin kontrollin e Amerikës. Në vitin 1620, kur pelegrinët mbërritën në Anglinë e Re, popullatën lokale e gjetën thuajse të asgjësuar nga sëmundja. Përgjatë bregdetit kishte fshatra të tëra të braktisura, që siguronin vende perfekte vendbanimesh. Ishte sikur Zoti të kishte bekuar misionin e pelegrinëve. Vetë epidemitë ndihmuan për të nxitur kolonializmin – ishte vullneti i Zotit, në fund të fundit. Ato i lejuan euro-amerikanët që t’i përvetësonin tokat vendase, duke i zhveshur nga çdo lloj përgjegjësie, si dhe ta shikonin imperializmin e tyre, si një “fat të qartë”, të paracaktuar, hyjnor.

Ende nuk dihet, se, sa të mëdha dhe afatgjata do të jenë efektet shoqërore dhe ekonomike të koronavirusit, por epidemitë e tokës së virgjër patën pasoja të papritura. Shumë nga aventurierët e hershëm evropianë parashikonin që amerikanët vendas do të siguronin punën për të punuar në fushat e tyre. Me prodhimet kryesore fitimprurëse, si sheqeri, kafeja dhe duhani, u rrit edhe kërkesa për krahë pune. Tashmë, pa popullatë lokale për ta shfrytëzuar, evropianët u kthyen në Afrikë, për të siguruar fuqinë punëtore atje.

Tregtia e skllevërve në Atlantik

Në forma të ndryshme, tregtia e skllevërve kishte ekzistuar prej kohësh, veçse në shekujt e 17-të dhe 18-të u përshkallëzua, metodat që u përdorën dhe arsyetimet që u dhanë ishin të pashembullta. Pronësi absolute e qenieve njerëzore – skllavëria konsiderohej si plaçkë – e justifikuar nga konceptet e epërsisë racore ishte, në shumë aspekte, rezultat i epidemive të tokës së virgjër. Ndërsa “historia alternative” mund të jetë e vështirë dhe e rrezikshme, është dukshëm e qartë, se, nëse epidemitë e tokës së virgjër nuk do ta kishin përfshirë Amerikën, bota moderne do të ishte zhvilluar shumë ndryshe. Kombet amerikane, ca më pak SHBA-ja, nuk do të kishin ekzistuar në formën e tyre aktuale. Racizmi dhe sensi i epërsisë evropiane i përcaktuar qartë, që u shfaq në shekullin e 18-të dhe që prej asaj kohe ka pllakosur botën mbarë, nuk do të ishin zhvilluar në të njëjtën mënyrë. Po ashtu, mund të konsiderojmë se qoftë edhe pa përfitimet nga pasuria natyrore e Amerikës, Evropa do të ishte bërë kaq mbizotëruese në botë. /Konica.al

Pa epidemitë e tokës së virgjër, bota do të kishte qenë shumë e ndryshme. Gjithashtu, mbetet të shihet se sa do ta transformojë koronavirusi, botën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Makth... çlirim!

“Bota nën Covid-19”