MENU
klinika

Trajneri Reja për sfidën e nesërme

“Pa eufori ndaj Lituanisë, do të ketë debutues”

06.09.2020 - 17:37

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edy Reja, kërkon 3 pikë edhe ndaj Lituanisë. Në konferencën e sotme për shtyp, Reja është shprehur se do të jetë një ndeshje e vështirë pasi Lituania luan mirë me topin.

“Do jetë një ndeshje e vështirë, Lituania ka një skuadër që luan mirë me topin dhe janë shumë të shpejtë. Kam besim te ekipi im. Nuk e di si do jetë gjendja e lojtarëve. Mund të bëjmë 3-4 ndryshime. Më duhet të jem i kujdesshëm në zgjedhjet e mia.”

NDRYSHIMET E MUNDSHME – Lituania humbi ndeshjen e parë, por pas humbjes do kërkohet një rezultat pozitiv. Për sa i përket sulmit, Cikalleshi është i lodhur dhe ka probleme fizike. Për mbrojtjen nuk kam shqetësim, pasi mbrojtësit nuk janë lodhur shumë. Kam edhe Mihajn, i cili është kandidat për të luajtur.

Për mesfushën, Bare dhe Abrashi janë lodhur shumë dhe po shikoj për të bërë ndonjë ndryshim. Nuk e di nëse Hysaj do të jetë në formë të mirë siç ishte ndaj Bjellorusisë. Duhet të jem i kujdesshëm për të mos i rrezikuar.

FITORJA E PARË – Ndaj Bjellorusisë isha i kënaqur me rezultatin, por rruga nuk do jetë e lehtë. Nuk besoj se do ketë eufori. Do të mbajmë insitet të lartë. Nuk isha i lumtur me sulmin që nuk ndihmuan në prapavijë. Në fillim nuk u bë ndeshja që ne donim, pasi jemi mësuar të bëjmë presing.

Ne kishim shumë muaj pa luajtur bashkë dhe ishte e vështirë për ta përgatitur ndeshjen. Jam i kënaqur me lojtarët që shpenzuan shumë energji, ndaj Bjellorusisë, që ishin në fushë prej një kohe të gjatë.

ROSHI NË SULM? Roshi është nga ata lojtarë që futet në lojë dhe zgjidh ndeshjen. Unë do doja që të luajë më shumë ai, por është problem i modulit. Unë nuk mund  të ndryshoj dot modulin në këtë kohë. Kam kohë që luaj me këtë modul dhe ekipi është përshtatur me këtë modul. E kam provuar me Roshin, por kam frikë se skuadra mund të humbasë me rikuperimin.

DËMTIMET – Ka disa probleme fizike. Më vjen shumë keq për Ramadanin dhe Ismajlin, por nuk mund të jenë gati për ndeshjen. Mua më duhen 22 lojtarë për 2 ndeshje, për fat të mirë kemi lojtarë shumë të mirë. Kam parë Çekiçin, Laçin, të cilët janë në një formë shumë të mirë.

Çepele dhe Broja gjithashtu kanë treguar formë të mirë. Broja më ka pëlqyer shumë, pasi ishte shumë mirë në anën fizike. Çepele është shumë i ri, por duket si një lojtar me eksperiencë.

DEBUTUES NESËR? – Sigurisht që mund të kemi debutime nesër. Disa lojtarë mund të luajnë nga fillimi, por edhe nga stoli. Në sulm mund të bëj ndonjë ndryshim, kam 24 orë kohë dhe mund të vendos më pas për gjithçka”, – u shpreh trajneri Reja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN