MENU
klinika

“Poeti më i madh i shekullit XX”

Pablo Neruda: Mos ia mohoni vetes lumturinë

30.09.2020 - 13:25

        Nga Kili, që ka përjetuar ditë edhe më të zymta se ato të Libanit, poeti i kurorëzuar me çmimin “Nobel” në letërsi, vijon ende t’u përcjellë të gjallëve, dyzet e shtatë vjet pas vdekjes, nevojën për të qenë i lumtur dhe për të luftuar për lumturinë. Nuk është një mësim për ta marrë jetë lehtë apo pa kokëçarje, por për mençurinë dhe harmoninë. / Konica.al/ Një kujtesë e vogël e zërit dhe karrierës së një aktivisti të madh për kauzën njerëzore, shoqëruar me aftësinë e një politikani diplomat për të ruajtur gjithmonë, pavarësisht andrallave dhe fatkeqësive të shumta, një mendje të kthjellët…

Pablo Neruda vdiq në Santiago më 23 shtator 1973… Zyrtarisht, poeti vdiq në moshën 69-vjeçare nga kanceri i prostatës, por polemikat vijojnë të bëjnë jehonë, pasi disa besojnë se ai është viktimë e helmimit në Kili, edhe më i trazuar dhe i shqetësuar se vendi i Kedrit sot… Poeti i Amerikës Latine dhe jo vetëm i lëndinave kiliane, Pablo Neruda është një pseudonim i marrë nga romanet aventureske të Conan Doyle. I dashuruar pas gjuhës frënge, për të cilën fillimisht imitoi me zell dhe origjinalitet parnasianët, në një gjuhë iberike melodioze dhe sensuale, autori i “Vargjeve” të kapitenit kishte një dëshirë të zjarrtë për jetën. Tri martesa, një dashuri idilike dhe një pasion për gruan e fundit, e cila e frymëzoi të shkruante poezitë e tij më të bukura të dashurisë me një hijeshi të jashtëzakonshme, të cilat i përmblodhi në koleksionin “Njëqind dashuri”. E vetmja pikë e zezë dhe vështirë e pranueshme (ai, të cilit nuk i mungoi kurrë guximi!) në jetën e tij, si Zhan Zhak Rusoi për pasardhësit e tij, ishte braktisja dhe mosnjohja e vajzës së vetme lindur hidrocefale, domethënë një kokë e mbushur me ujë…

Qe mik me Federiko Garsia Lorkën, mbajti postin e konsullit në Spanjë, shkoi në Meksikë, Kubë, Peru. Anëtar i Partisë Komuniste në Kili, ai do të sfidonte pushtetin e ardhur në fuqi, për të vijuar më pas jetën e mërgimtarit në Evropë. Pasuan peregrinime të gjata nga Rusia në Poloni, përmes Hungarisë, Italisë dhe Indisë, shoqëruar me imazhe të shumta të mrekullueshme, ndjenja komplekse dhe emocione të forta, saqë do t’i derdh në verbin e tij me një lirizëm të fuqishëm dhe të përflaktë. Në vitin 1955, së bashku me Pikason do të nderoheshin me Çmimin Ndërkombëtar të Paqes. Me ardhjen në fuqi të diktaturës së Augusto Pinoçetit, u ndje i diskredituar, me shtëpinë që i rrënohej para syve. Dhe tashmë sëmundja ose helmi i injektuar në trupin e tij po bënte përparime të mëdha… /Konica.al

Princi i Parnasit

Ky princ i vërtetë i Parnasit mbetet sot folja kumbuese, fjalët e zbukuruara me të gjitha ngjyrat e ylberit, muzikaliteti i butë dhe i rrjedhshëm i një melodie të ëmbël, imazhet e huazuara nga horizontet e universit të përmbledhjeve të tij me poezi. Veçanërisht “Njëzet poezi”, prej nga po citojmë disa vargje të paharruara:

Vdes ngadalë ai që nuk udhëton, që nuk lexon, që nuk dëgjon muzikë, që shpërfill botën mbarë, i beson vetëm vetëkënaqësisë dhe nuk pranon ndihmë.

Vdes ngadalë ai që bëhet skllav i zakonit, i cili përsërit përditë të njëjtën rutinë, nuk guxon të ndryshojë asgjë në veshjet e tij ose ngjyrën e tyre, apo ka frikë se çfarë do të thonë të tjerët…

Vdes ngadalë ai që ndrydh dashurinë dhe largohet nga intensiteti i ndjenjave që sjellin shkëlqim në sy dhe shërojnë zemrat e lënduara.

Jeto të përditshmen tënde, ji i guximshëm, mos e shtyni për të nesërmen, mos lejoni që të vdisni ngadalë, mos e privo veten nga lumturia.

Kjo nuk është vetëm një filozofi e jetës, por edhe rekomandime jetike për t’i shpëtuar burgut që ngre çdo shoqëri. Dhe paqja, për këtë finsik të paqes, atëherë do të mbretërojë.

Me punën e tij të përkthyer në shumë gjuhë të huaja, Pablo Neruda konsiderohet një ndër poetët më të mëdhenj të shekullit XX. Nobelisti Gabriel Garsia Markez e ka quajtur “Poeti më i madh i shekullit XX”. /Konica.al

Nuk të dua si kristal kripe rozë, as si gur të çmuar
E as si shigjetë karafilash që përhap zjarrin:
Të dua siç duam ca gjëra të errëta,
Fshehtas, ndërmjet hijes dhe shpirtit.
Të dua si bima që nuk lulëzon
Dhe e mbart në vete, të fshehur, dritën e këtyre luleve,
E falë dashurisë tënde në trupin tim jeton aroma
E errët dhe e fortë që ngjitet nga toka.
Të dua pa e ditur si, kur dhe nga ku,
Të dua troç, thjesht e pa mburrje :
Të dua kështu se unë s’di të dua ndryshe,
Në mos në këtë mënyrë pa qenë unë e pa qenë ti,
Aq pranë sa dora jote mbi gjoksin tim është e imja,
E aq pranë sa sytë e tu mbyllen mbi timen ëndërr.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Në tokën e ashpër, plot dashuri..."

Kur Pablo Neruda i thurte vargje Shqipërisë…

Nobelisti për shkrimtarin shqiptar

Letra që Ernest Heminguej i dërgoi Petro Markos

"Njëqind vjet vetmi" flet spanjisht

Netflix zgjedh realizmin magjik