MENU
klinika

OSBE për procesin zgjedhor

“Partia pro-perëndimore në Mal të Zi përfitoi padrejtësisht”

01.09.2020 - 07:43

Partia pro-perëndimore në Malin e Zi ka gëzuar përparësi të padrejtë gjatë zgjedhjeve parlamentare për shkak të qasjes në burimet shtetërore dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, kanë thënë vëzhguesit perëndimorë.

Partia Demokratike e Socialistëve, që ka udhëhequr për 30 vjet, ka përfituar edhe nga mbulimi më i mirë medial, ka thënë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE), përmes një deklarate.

Megjithatë, Fronti Demokratik pro-serb dhe dy koalicione tjera opozitare kanë pretenduar se kanë fituar në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit.

Rezultatet preliminare jozyrtare kanë treguar se opozita ka fituar 41 ulëse në parlamentin me 81 të tilla. Presidenti Millo Gjukanoviq, lider i Partisë Demokratike të Socialistëve ka thënë se partia e tij do të respektojë rezultatin ndonëse ende nuk e ka pranuar atë.

“Kjo ka qenë fushatë e ashpër, mirëpo partia në pushtet ka përfituar nga një pozicion i pabarabartë”, ka thënë nënpresidentja e Asamblesë Parlamentare të OSCE-së, Margareta Cederfelt.

Kjo Organizatë ka përmendur faktin se marshet politike janë ndaluar për shkak të pandemisë me koronavirus pavarësisht pse nuk ka pasur gjendje të jashtëzakonshme brenda shtetit.

Vëzhguesit perëndimorë kanë vënë fajin edhe te mungesa e mbulimit të pavarur medial të kandidatëve dhe partive, që është thënë të jetë rezultat i interesave biznesore të lidhura me politikën, që kontrollojnë mediat kombëtare.