MENU
klinika

Nga Enver Robelli 

Përherë duke përqafuar Putinin

09.09.2020 - 15:13

Nga Enver Robelli 

Çka i shtynë disa politikanë të majtë gjermanë që ta mbrojnë autokratin rus me çdo kusht? Madje edhe kur ka akuza të rënda se Kremlini mund të jetë i involvuar në helmimin e opozitarit Aleksej Navalni.

Gerhard Schröderi ka qenë kancelar i Gjermanisë. Socialdemokrat. I majtë, por modern. Nga reformat e tij të tregut të punës ka përfituar Gjermania, madje politikisht ka përfituar edhe Angela Merkel. Pasi humbi zgjedhjet më 2005, Schröder mori një post udhëheqës në koncernin rus Gazprom, pra ish-kancelari gjerman u bë punëtor i Vladimir Putinit. Dhe i tillë është edhe sot. Schröder ka hyrë në histori me një marrëzi gjuhësore, kur ka thënë se Putini është “demokrat i pastër si loti”.Ndonëse Putin e ka dëshmuar të kundërtën disa herë, Schröder i ka qëndruar besnik marrëzisë së tij gjuhësore. Kur në vitin 2014 Putini pushtoi Krimenë ukrainase, Schröder tha se kjo nuk është aq tragjike, fundja “edhe ne më 1999 e kemi shkelur të drejtën ndërkombëtare në Kosovë”. Krahasimi mes dy konflikteve është i paqëndrueshëm, por Schröder, propagandist me pagesë, nuk përton të tregojë përralla. Nganjëherë edhe në Beograd, kur e takon Aleksandar Vuçiqin për të diskutuar mbi cilësinë e verës dhe për ta lavdëruar Serbinë, duke e fshirë historinë.

Këto ditë Schröder po hesht, ndërsa shumë politikanë gjermanë po flasin. Po flasin të tmerruar pasi një spital në Berlin konstatoi se opozitari rus Aleksej Navalni është helmuar me një helm të prodhuar në Bashkimin Sovjetik. Navalni humbi vetëdijen ndërsa po fluturonte nga Tomsku (pjesa perëndimore e Sibirisë) në Moskë. Me gjasë helmi noviçok iu hodh në çaj. Pas presionit të madh perëndimor, autoritetet ruse lejuan transferimin e tij në Berlin për trajtim mjekësor. Çfarë zbuluan mjekët gjermanë, nuk habiti askënd: si shumë opozitarë apo kundërshtarë të ashpër të regjimit edhe Navalni ishte viktimë e helmimit.

Navalni ndërkohë është zgjuar nga koma, por Schröder nuk është zgjuar nga gjumi. Nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë rast. Në një “podcast” që e ka startuar së fundi (si plak i pasur Schröder duket se ka mjaft kohë) ai flet për krizën dhe koronën, tregon se gruaja e tij (e pesta apo e gjashta?) tani punon në Korenë e Jugut, “andaj duhet të jetojmë ndaras për një kohë”, sepse si në rast të shkuarjes në Korenë e Jugut ashtu edhe në rast të kthimit në Gjermani do të duhej të qëndronte në karantinë. Kjo është “pak e tepërt për mua”, tregon Schröder me ton babaxhani. Ndoshta Schröder nuk ka kohë të merret me çikërrima siç është helmimi i Navalnit. Nga ana tjetër: kur ka qenë kancelar Schröder pati kohë të padisë një stiliste, e cila kishte pretenduar se Schröder po i ngjyros flokët. Punë prioritetesh.

Një propagandist tjetër i Kremlinit në Gjermani është Gregor Gysi, lider shumëvjeçar i partisë së majtë “Die Linke”, e cila është trashëgimtare e partisë komuniste gjermanolindore SED. Për dallim nga Schröder, Gysi është një intelektual i nivelit bukur të lartë, orator brilant, autor librash, polemist i shkathtë. Të gjitha këto talente do të shkëlqenin më shumë sikur Gysi të mos ia mbante anën Putinit edhe në momentet kur nuk ka asnjë argument. Në lidhje me rastin e opozitarit Navalni, Gysi shprehu dyshimet e tij nëse pas helmimit qëndron Putini. Duhet të jetë “hajvan” nëse e ka bërë këtë, tha Gysi. Pastaj e vazhdoi me teori komploti, duke thënë se ndoshta Navalnin e ka helmuar një kundërshtar i gazsjellësit rus në drejtim të Gjermanisë. “Ose një kundërshtar i porositur, i cili e dinte: nëse inskenohet një vrasje e tillë, për të cilën mund të akuzohet pastaj qeveria, atëherë kjo çon në përkeqësimin e marrëdhënieve”. Gjermania dhe Rusia janë duke ndërtuar gazsjellësin “Nord Stream 2”, i cili – duke anashkaluar Ukrainën – do të sjellë gaz në Gjermani. Sidomos vendet e Europës Lindore janë kritike ndaj këtij projekti gjerman. Kritike janë edhe SHBA-të, por në radhë të parë për shkak se edhe vetë duan t’i shesin gaz Gjermanisë. Gregor Gysi nuk është aq i çmendur t’i akuzojë SHBA-të se mund të kenë porositur dikë që të helmojë Navalnin dhe kështu të përkeqësojë raportet e Berlinit me Moskën dhe si rrjedhojë e kësaj të dështojë edhe projekti i gazsjellësit. Por në partinë e majtë “Die Linke” ka mjaft hajvanë që merren me këso insinuatash. Deputeti majtist Klaus Ernst pyeti: “Kush ka interes t’i turbullojë raportet, sidomos ato ekonomike, mes Gjermanisë, BE-së dhe Rusisë?” Kush? Dihet: SHBA-të, sipas konspiracionistëve majtistë gjermanë. Gregor Gysi mbahet në mend si politikani gjerman që në prill të vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, vizitoi Serbinë, ku u takua me Sllobodan Millosheviqin dhe ia prezantoi një plan pesëpikësh për të ndërprerë luftën. Nga ky mision Gysi u kthye pa ndonjë sukses.

Deputetët e partisë “Die Linke” janë kundërshtarë besnikë të pavarësisë së Kosovës. Sa herë që në parlamentin gjerman zhvillohen debate për rajonin, ta zëmë për vazhdimin e pranisë së trupave gjermane në Kosovë, deputët majtistë e përshkruajnë Kosovën si “shtet mafioz” dhe theksojnë se NATO ka shkelur të drejtën ndërkombëtare duke sulmuar Serbinë më 1999. Antiamerikanizmi i kësaj partie është konsekuent. Kjo ka qenë arsyeja që asnjëra nga partitë kryesore gjermane (CDU e Angela Merkelit dhe socialdamokratët, SPD) nuk kanë qenë të gatshme të lidhin koalicion në nivel qendror me “Die Linke”. Por me dobësimin e madh të socialdemokratëve ka sinjale që një koalicion mes tyre dhe “Die Linke” (plus të Gjelbrit) së paku nuk përjashtohet.

Sipas gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” politika e jashtme në grupin parlamentar të “Die Linke” përcaktohet nga ultra-majtistët, të cilët shtyhen mes veti se kush po e urren më shumë Amerikën, kush po e do më shumë Venezuelën dhe kush po gjen më shumë arsyetime për të shfajësuar Vladimir Putinin. Kur para dy vitesh agjentët rusë e helmuan në Britaninë e Madhe agjentin e dyfishtë Sergej Skripal, majtistët gjermanë u përpoqën ta marrin në mbrojtje Rusinë. Një deputet i “Die Linke” e quajti ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Mass një “gut gestyl­ten Nato-Strich­jun­gen”, që në shqip i bie pak a shumë kështu: një djalosh i pispillosur që ofron shërbime seksuale për NATO-n, me fjalë të tjera: një prostitutë mashkullore. Kështu flasin përkëdhelësit e autokratëve dhe përbuzësit e NATO-s në Gjermani.