MENU
klinika

Njihuni me rregullat e reja

Plani i FIFA-s, revolucion në botën e futbollit

15.09.2020 - 12:34

Pas vitit 2022, bota e futbollit mund të pësojë një revolucion të vërtetë. Kjo është idea e lindur në zyrat e FIFA-s, me presidentin e saj Gianni Infantino, i cili mendon që të shmang turnetë e gjatë, të lodhshëm për tifozët dhe rraskapitës për lojtarët.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Republica”, numri 1 i futbollit botëror pohoi se po mendohet të rritet spektakli në sportin më popullor në glob: një plan i ngjashëm me atë të Kupës së Botës dhe Europianit.

Në rast se një gjë e tillë do të miratohej, çdo kampionat do të zhvillohej me një fazë të vetme, ku dy skuadra do të ndesheshin vetëm në një rast gjatë gjithë sezonit. Më pas, për të shpallur kampionin dhe skuadrat që shkojnë në Europë, ekipet do të kalonin në një raund play-off.

Qëllimi është që kampionatet të bëhen më të paparashikueshme, të afrojnë më shumë njerëz dhe për pasojë edhe sponsorë. E njëjta gjë vlen për të drejtat televizive. Pas Kupës së Botës 2022, mund të bëhet një revolucion total, edhe për sa i përket kalendarëve: secila periudhë është e rezervuar për një konkurs.

Pesë muaj për kampionatet, një muaj për pushimet e lojtarëve, një muaj e gjysmë për kampionatet botërore-evropiane dhe pjesa tjetër për playoff-et dhe kupat evropiane. Një muaj e gjysmë që do të mbetet do të përdoret për Kombëtaret.

Ato që do të përfitonin në këtë mes janë padyshim skuadrat e vogla. Këto të fundit do të kishin mundësi më të mëdha të kapnin objektiva madhor dhe rrjedhimisht edhe të ardhura më shumë nga të drejtat TV, reklamat, por edhe shitja e biletave. Deri më tani mbetet thjesht një ide dhe në ditët e ardhshme pritet të marr edhe formë zyrtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


E pësojnë klubet e mëdha

Pritet revolucion i FIFA-s në merkato