MENU
klinika

Stafeta vijon... në Theth

Rozafa-Zâ Fest-festival-film-Online

27.09.2020 - 14:06

      Pandemia ka mbajtur gjithsesi, radhën e aktiviteteve virtuale… Ato kulturore, si në mbarë botën edhe në Shqipëri, kanë vijuar me mënyrat spontane, apo ato të kushtëzimit të distancimit social. 

Situata e krijuar nga covid-19, ishte një nga pengesat më të mëdha, me të cilën u përballëm, por pikërisht në një vit si ky, atëherë ku njerëzit kanë më shumë nevojë për shpresë, emocione dhe art, Zâ Fest, nuk mund të mungonte.

Edicioni i katërt i festivalit do të transmetohet online dhe magjia e tri ditëve me muzikë, poezi dhe aktivitete, do t’i përcillet publikut të Zâ Fest, përmes një filmi, premiera e të cilit është më datë 27 shtator, ora 18:00 në YouTube e faqen e Facebook-ut të Zâ Fest, mbështetësit kryesor Delegacioni e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Iceberg Communication.

Ishte besimi i mbështetësve besnikë dhe bashkëpunëtorëve, që ndajnë largpamësinë e të gjitha përfitimeve që buron nga ky aktivitet, ato qëi dhanë shpresë drejtorit artistik Vlashent Sata, të besonte se edicioni i katërt i Zâ Fest, nuk duhet të mungonte. Ndonëse interesi ishte shumë i lartë dhe gjithëkush priste të përjetonte magjinë e Thethit, duke respektuar rregullin që ndalon grumbullimet, festivali u organizua në datat 14, 15 dhe 16 gusht në mungesë të publikut të gjerë.

Shkodra ka qenë gjithnjë shtëpia e Zâ Fest, por këtë vit, për të parën herë, skena e festivalit u ngrit dhe në Kalanë e Rozafës, një monument mijëvjeçar edhe një trashëgimi e vendit tonë. Mes atyre mureve që mbartin histori të jashtëzakonshme, magjikja mori formëe vendi u elektrizua nga performanca e artistit Vlashent Sata. Për herë të parë, në atë skenë u ngjitën gjithashtu “Shkodra Elektronike” dhe “Sytë” – dy grupe të reja, muzika e të cilëve karakterizohen nga stili dhe rryma e veçantë.

Zâ Fest ka si qëllim, jo vetëm rizgjimin e vlerave shqiptare, kultivimin e artit, zhvillimin e ekonomisë lokale e më gjerë, por edhe përcjelljen e mesazheve të forta. Në vendet më të bukura të Thethit ishte artistja Ilire Vinca, me një karrierë prej më shumë se 3 dekada në fushën e pedagogjisë, kinematografisë dhe në skenën e teatrit, e cila performoi poezi dhe përçoi mesazhe për të drejtat e grave e jo vetëm. Ilir Kaso, pedagog në Akademinë e Arteve, mik i Zâ Fest, ishte gjithashtu një ndër të ftuarit, i cili përmes performancës së tij me gurë të mbledhur anembanë Shqipërisë, përcolli mesazhepër ruajtjen e natyrës dhe ndërgjegjësimin ndaj saj.

Si çdo vit, nuk munguan aktivitetet, takimet dhe “Një kafe në Muzeun Etnografik të Dukagjinit” organizuar nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në bashkëpunim me Zâ Fest, pati si qëllim diskutimin dhe shtrimin e mundësive që ky muze të shndërrohet në një vatër komunitare edhe në një portë hyrëse, ku takohet vizitori me traditën e krahinës së Dukagjinit.

Në gusht të 2017-s, kohë kur artisti Vlashent Sata organizoi edicionin e pare të Zâ Fest, qëllimi i tij ishte që festivali të ishte i përvitshëm, e pas edicionit të katërt, me bindje themi se ky festival është një nga ngjarjet më të rëndësishme mbi kulturën, trashëgiminë dhe natyrën e vendit tonë.

Mendim i mirë… Rri me ne edhe këtë herë!