MENU
klinika

Hoti: Unë mirëprita propozimin e Grenell

Serbët e Kosovës vendosin në Ujman tabelën “Liqeni Trump”

27.09.2020 - 14:28

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka mirëpritur një propozim për të ndërruar zyrtarisht emrin e liqenit të Ujmanit dhe për ta quajtur atë, “Liqeni Trump” në nder të presidentit amerikan.

Të enjten, Hoti shkroi në Twitter se i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte propozuar që Liqeni i Ujmanit (në shqip) ose Liqeni Gazivoda (në serbisht) të marrë emrin Donald Trump në nder të “rolit të tij në arritjen e një marrëveshje historike për normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në shtator”.

“Unë e mirëprita propozimin e ambasadorit Grenell”, shkroi Hoti në Twitter.

Megjithatë, vendimi për ta riemërtuar liqenin pas presidentit Trump ka befasuar zyrtarët e Kosovës, pasi ata nuk janë në dijeni për një ndryshim të tillë. Serbia gjithashtu nuk ka dhënë pëlqimin e saj për t’i vënë liqenit emrin e Trump-it, ndërsa një zyrtar i BE-së e quajti atë një shaka.

Uran Haxha, një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë dhe Mjedisit të Kosovës, tha për BIRN të premten se ai këtë vendim e kishte dëgjuar vetëm nga mediat.

“Unë di aq sa keni lexuar edhe ju në rrjetet sociale të kryeministrit”, tha ai. Ai shtoi se ministria “nuk ishte në dijeni të një procesi zyrtar për të ndryshuar emrin”.

BIRN kontaktoi zyrën e kryeministrit të Kosovës duke kërkuar më shumë sqarime, por ajo nuk dha asnjë përgjigje, duke pretenduar se kreu i kabinetit ishte me pushime.

Të enjten disa serbë të Kosovës vendosën në urën mbi liqen pankarta me mbishkrime që uronin presidentin Trump për marrëveshjen e Uashingtonit. “Presidenti Trump, serbët e Kosovës ju falënderojnë që sollët paqen”, shkruhej në njërën prej tyre. Pranë liqenit u vendos prej tyre gjithashtu një tabelë ku shkruhej “Liqeni Trump”.

Vetë Grenell shkroi në Twitter se “të dy palët kanë rënë dakord për një emër të ri: “Liqeni Trump” – edhe pse në të vërtet nuk është bërë ende asnjë marrëveshje zyrtare për emrin e liqenit.

Pasi Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për normalizimin ekonomik nën kujdesin e Trump më 4 shtator, Grenell e përshkroi konfliktin midis dy vendeve si një luftë kryesisht për “simbolikën, mbiemrat, foljet dhe emrat”.

Duke cituar shembullin e liqenit të Ujmanit, ai tha se “të dy palët po luftojnë për mënyrën se si do ta quajnë liqenin” dhe pastaj sugjeroi që ai të quhej “Liqeni Trump”.

I shtrirë në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë, Liqeni i Ujmanit, që njihet edhe si Liqeni i Gazivodës, është ujëmbledhësi më i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Ujmani ka sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë dhe kur është plotësisht i mbushur me ujë, ka rreth 370 milionë kub ujë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 9.2 kilometra katrorë janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 në atë të Serbisë.

Penda e Ujmanit është e lartë 107 metra. Pa ujin e Liqenit të Ujmanit, Kosova do të mbetej pa rrymë brenda pak orësh. Uji i tij përdoret për ftohje dhe destinacione tjera në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Planet për rindërtimin e termocentralit tjetër të ri, të njohur si “Kosova e Re”, varen nga furnizimi me ujë nga ky liqen. Me ujë nga ky liqen furnizohet edhe kompleksi metalurgjik “Ferronikeli” në Drenas.

I ndërtuar mes viteve 1979-1984, Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh akumulues në Kosovë. Rreth 35 për qind e banorëve të Prishtinës furnizohen nga ky rezervuar përmes fabrikës së re të ndërtuar për përpunimin e ujit në Shkabaj, pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit. Komunat e tjera që furnizohen me ujë janë: Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Gllogoci, Obiliqi dhe Fushë Kosova.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Liqeni midis Kosovës dhe Serbisë

Ujmani ‘pagëzohet’ me emrin Trump