MENU
klinika

Nga Alba Malltezi

Shqipëria ka nevojë për një presidente grua. Qoftë dhe si Jozefina Topalli

19.09.2020 - 16:46

Maksimumi i agresivitetit që një grua si Jozefina Topalli, politikane karriere në një parti si Partia Demokratike, ishte “kapini për zhelesh…” për të nxjerrë jashtë Kuvendit opozitën e atëhershme, Partinë Socialiste.

Një tjetër politikane, Mesila Dode, mbahet mend për artikulimin e saj të ashpër që kërkonte “të vareshin tek palmat në boulevard”, kundërshtarët. Janë fjalë të rënda, por mbetet më e rënda fjalë dhe vetëm fjalë që një grua ka shprehur në politikë.

Dhe sa ndryshe, e lire dhe e guximshme eshte Jozefina Topalli jashte ndikimit te PD-se. Por asgjë nga këto nuk mund të krahasohet me veprime, dhunë e nxitje për dhunë që shumë eksponentë burra të politikës shqiptare vazhdojnë të ushqejnë e të fryjnë përditë mbi shqiptarët.

Dhe shqiptarët qënkan një popull i jashtëzakonshëm. Ku ka shembuj të tjerë të ngjashëm në politikë në vendet e qytetëruara, që eksponentë kaq të rëndësishëm si këta në krye të Shtetit shqiptar, duke nisur nga Presidenti, deri te liderë partish kryesore, të bëjnë thirrje për grushte shteti, revolta, dhunë, e deri në kërcënime e përndjekje, e një popull të mos i ndjekë. Shqiptarët qënkan engjëj!

Të fshikulluar nga ofendime, shpifje, gënjeshtra, intriga, edhe popuj më të stërvitur, të ditur e me demokraci solide kanë rrëshkitur në hone që ende nuk dimë se ku kanë për t’i nxjerrë. Më vijnë në mendje ngjarje në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara.

Apo italianët që i besuan në shumicë e me zemër fejbuksit Beppe Grillo, duket qartë që tashmë janë penduar. Rezultatet zgjedhje pas zgjedhjeve po izolojnë gjithnjë e më shumë atë që shkëlqeu nga rrjetet sociale, të famshmen Lëvizje 5 yje.

Kur them një grua për president, kam në mendje të gjitha gratë shqiptare në fusha nga më të ndryshmet që janë pakrahasueshmërit të cënuara në krahasim me disa kolegët e tyre. Në drejtësi, në media, në politikë, analiste nëpër studio televizive, në mjekesi, në arsim, në art, etj. etj.

Asnjë grua shqiptare nuk ka shkelur vijën e kuqe e të pakapërcyeshme që ka të bëjë me cënimin e lirisë së mendimit dhe të zgjedhjeve personale si dhe paprekshmërinë fizike të individit. Shqipëria është plot me burra të vrazhdë, agresivë në politikë. Nuk është më koha e lodhshme, e rrezikshme, e çmendur e tyre.