MENU
klinika

Përurohet "Trëndafili i bardhë"

Sislej Xhafa rizgjon lagjen e vjetër prishtinase

25.09.2020 - 15:33

        Mes pëllumbave, do të zërë vend edhe një “trëndafil i bardhë” – vepra që së fundmi, gjen hapësirë të veçantë në kryeqytetin e Prishtinës

Diku në një vend modest, artisti i përmasave të mëdha Sislej Xhafa, ka përuruar veprën e tij “Trëndafili i bardhë”, pikërisht aty ku kujdesen për pëllumbat, në mjediset e Shoqatës për Kultivimin dhe Mbrojtjen e Pëllumbave.

Vetë artisti, ka thënë para të pranishmëve, se kjo vepër nuk do të ishte e plotë, sikur mos të ishte vendosur këtu, duke përcjellë më shumë ngrohtësi, për kalimtarët e rastit dhe dyqanet e vogla përreth.

“Ne bëjmë pyetje por unë nuk kam përgjigje, po ta kisha pas përgjigjen nuk do të kisha bërë art, kështu që vepra me të vërtetë është një pyetje”, u shpreh Sislej Xhafa, i cili, veprën “Trëndafili i bardhë”, e publikoi në praninë e shumë miqve dhe artistëve.

Një vepër e artit bashkohor në hapësirat publike, për Xhafën, mes veprave të mëdha në shumë vende të botës, është një mundësi për të afruar artin me njerëzit e thjeshtë.

Sikur raportojnë mediet në Kosovë, piktorja Zake Prelvukaj, artistin Xhafa e ka vlerësuar si një artist që ushqen komunitetin me performancat dhe veprat e tij.

“Një vepër e Sislej Xhafës, për mua është një përfaqësim shumë i mirë i një artisti, i cili është me përmasa botërore” – ka thënë Prelvukaj.

Ndërsa, për kreun e Shoqatës për Kultivimin dhe Mbrojtjen e Pëllumbave, Mustafë Berisha, ky moment është shumë i veçantë, sepse përurimi i një vepre arti, nga një artist kaq i njohur, pranë shoqatës së tyre, tash e tutje i jep një dimension tjetër kësaj hapësire të kryeqytetit.

“Kjo vepër artistike do të mbetet kujtim përgjithmonë, është trashëgimi, sepse do të vijnë gjenerata e gjenerata dhe do ta shohin.

Arta Agani, ish-drejtore e Galerisë Kombëtare të Arteve të Kosovës, ka thënë se ndihet e mrekulluar me veprën, por edhe me vendin ku ajo është vendosur.

“Pozita ku gjendet kjo vepër arti është paksa e çuditshme, por unë  e kuptoj si një riaktualizim të njërës prej lagjeve më të vjetra të Prishtinës, që ka shumë rëndësi për qytetin” – tha Agani.


Me “Trëndafilin e bardhë”, artisti trajton unitetin, diversitetin dhe kompleksitetin e gjendjes njerëzore, duke hulumtuar sesi bota jonë mund të shfaqë ironi dhe realitet të fortë. Ajo është një skulpturë që krijon një fërkim mendor për shikuesin, duke ngritur pyetje të rëndësishme ndërsa krijon harmoni midis pranisë njerëzore dhe identitetit të saj, si hapësirë për artin. Njëkohësisht, paraqet edhe gjendjen e fuqishme psikologjike të melankolisë dhe lehtësisë. “Trëndafili i bardhë” është një nderim për bukurinë e popullit tonë, tokës, komunitetit të rrethuar nga përmbysjet globale, për njerëzit e saj dhe unitetin e të cilës, përfaqësojnë.

Kjo, vjen si vepra e parë e projektit “Art në Hapësirë Publike” financuar nga Komuna e Prishtinës, që u vendos në rrugën “Andrea Gropa”, te “Shoqata për Kultivimin dhe Mbrojtjen e Pëllumbave.

***

Sislej Xhafa

I lindur në vitin 1970 në Pejë dhe tani me vendbanim në New York, ShBA. Sislej Xhafa është i njohur për hetimet e tij artistike në realitetet shoqërore, ekonomike dhe politike që lidhen me ndërlikimet e shoqërisë moderne, si turizmi global dhe paligjshmëria e detyruar.

Punimet e Xhafës janë minimale dhe subversive derisa sfidojnë shikuesit të njohin ndërrimet dhe çarjet në shoqërinë bashkohore globale. Ai operon në media të ndryshme, nga skulptura dhe vizatimi te performance dhe fotografia.

Xhafa ka ekspozuar punën e tij në arenën ndërkombëtare në Bienale të Venedikut, Venedik, Itali (1997,1999, 2005, 2013, 2017); Museo Nacional de Bellas Artes de Cuba Rosa Azul, Havana, Cuba (2018); GAK Galeria Kombëtare Kosovë, Prishtine, Kosove (2018); Galleria Continua, Les Moulins, France, and San Gimignano, Italy, (2012, 2016); ZAC, Palermo (2017); MAXXI Museum, Rome, Italy (2016); BWA Sokol Gallery of contemporary art, Nowy Sacz, Poland (2016); Centro de arte contemporáneo Wifredo Lam, Havana, Cuba (2015); the François Pinault Foundation, Palazzo Grassi, Venice, Italy (2011); Hardau Park, Zurich, Switzerland (2009); The Power Plant Contemporary Art Gallery, Toronto, Canada (2011); PRISM Misericordia, West Hollywood, California (2010); GAMeC, Bergamo, Italy (2010); Modern and Contemporary Art Museum of Trento and Rovereto, Italy (2008); PAC Padiglione d’Arte Contemporanea, Milan, Italy (2010); Museum of Contemporary Art MADRE, Naples, Italy (2011); Havana Biennial, Havana, Cuba (2009); Modern art Oxford, Oxford, England (2009); MOCAD, Detroit Museum of Contemporary Art, Michigan (2008); Schirn Kunsthalle, Frankfurt, Germany (2008); Istanbul Museum of Modern Art, Istanbul, Turkey (2001); International Contemporary Art Biennial of Gothenburg, Gothenburg, Sweden (2007); Mori Art Museum, Tokyo, Japan (2007); PERFORMA05, Performance biennial, New York, New York (2005); I Seville Biennial of Contemporary Art, BIACS Foundation, Monastery of the Cartuja of Santa María de las Cuevas, Seville, Spain (2004); Museum of Contemporary Art, Saint Louis, Missouri (2016); Tate Modern, London, England (2014); Stedelijk Museum, Amsterdam, the Netherlands (2004); North Dakota Art Museum, Grand Forks, North Dakota (2004); La Caixa Foundation, Espai Montcada, Barcelona, Spain (2004); Haifa Art Museum, Haifa, Israel (2004), Palais de Tokyo, Paris, France (2003), Gwangju Biennale, Gwangju, South Korea (2002); Istanbul Biennial, Istanbul, Turkey (2001); S.M.A.K., Gent, Belgium (2000); MoMA PS1, New York, New York (2001); Manifesta III, Ljubljana, Slovenia (2000); Fondazione Olivetti, Rome, Italy (2000), ndër të tjera.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Në ekspozitën e artistit në Prishtinë

Në dashuri me lopët e Xhafës