MENU
klinika

“Folklore”

Taylor Swift thyen rekord me albumin e ri

28.09.2020 - 11:52

Këngëtarja e njohur amerikane, Taylor Swift e ka thyer edhe një rekord tjetër. Tani ajo e gëzon titullin e artistes femër e cila i ka kaluar më së shumti javë në pozitën e parë të toplistës “Billboard” të 200 albumeve më të mira.

Albumi i saj i fundit me titull “Folklore” u rikthye në pozitën e parë të toplistës “Billboard” këtë javë, pas shitjes së 87 mijë kopjeve ekstra nënë javë pas lansimit të tij. Kështu, Swift tani i numëron në total 47 javë të qëndrimit në pozitën e parë të kësaj topliste, gjatë karrierës së saj.

Në të kaluarën këtë rekord e mbante ikona e muzikës, Whitney Houston, e cila e kishte arritur këtë sukses në vitin 1987 me albumin e saj të dytë të incizuar në studio, “Whitney”.

Ndërkaq, para pop këngëtares Swift në renditjen e artistëve që kanë kaluar më së shumti javë në pozitën e parë të “Billboard 200” prijnë: grupi “The Beatles” me 132 javë, Elvis Presley me 67 javë, Garth Brooks me 52 javë dhe Michael Jackson me 51 javë. Këta janë artistët meshkuj të cilët me albumet e tyre kanë kaluar më së shumti javë në maje të toplistës së njohur muzikore.

Sipas toplistës “Billboard”, Swift tani ka shënuar rekord të qëndrimit për më së shumti javë në pozitën e parë, që nga lansimi i albumit të reperit Drake, “Views” në vitin 2016.

“Folklore” po ashtu e mban rekordin e albumit të vetëm jo R&B ose hip-hop nga një artiste femër, që e ka shënuar një sukses të këtillë, që nga lansimi i albumi “25” nga ylli i muzikës Adele.

Albumi i vetëm i Taylor Swiftit që nuk është pozicionuar në vendin e parë ishte ai me të cilin këngëtarja debutoi në muzikë në 2006.

Albumi i tetë i këngëtares i incizuar në studio erdhi si befasi në korrik të këtij viti, dhe është krijuar në bashkëpunim me themeluesin e bendit “The National”, Aaron Dessner dhe vokalistin e grupit “Bleachers”, Jack Antonoff.