MENU
klinika

Kërcimi me shkop

Thyhet rekordi botëror 26-vjeçar i Bubkas

17.09.2020 - 21:32

Rekordet janë bërë për t’u thyer, por kur ata kalojnë një çerekshekulli apo më shumë, marrin më shumë jehonë. Suedezi Armand Duplantis ka shkruar historinë në kërcim me shkop, në eventin e atletikës “Golden Gala” që po zhvillohet në Romë.

Ai disa muaj më parë në Gllasgow kishte thyer rekordin botëror të sallave të mbyllura duke kërcyer 6.18 metra, por dhuroi një tjetër rezultat të pabesueshëm.

Duplantis zhvlerësoi rekordin botëror “outdoor” të Sergey Bubka-s, duke regjistruar rezultatin 6.15 metra, pra 1 cm më shumë se ukrainasi. Në stadiumin olimpik të kryeqytetit italian të boshatisur për shkak të normave “anti-COVID”, suedezi habiti botën me kërcimin e tij fluturues.

Kështu, pas 26 vitesh, Bubka e lëshon fronin dhe tashmë legjenda i takon atletit nordik. Një ëndërr kjo për Duplantis, i cili është vetëm 20 vjeç (në nëntor mbush 21).