Ambasadori i Izraelit në Serbi, Jahel Vilan, ka thënë se Izraeli e ka njohur Kosovën më 4 shtator dhe nuk ka më ndonjë pikëpyetje për këtë.
Vilan këtë deklaratë e ka bërë në një intervistë për televizionin serb N1, duke shtuar se Izraeli e ka mirëpritur njohjen e ndërsjellë me Kosovën.
“Nuk ka asnjë pikëpyetje nëse Izraeli do ta njohë apo jo Kosovën, sepse Izraeli e njohu Kosovën më 4 shtator dhe tani ne duhet të shohim se si të mos lejojmë që kjo të ndikojë në marrëdhëniet Serbi-Izrael. Izraeli nuk nënshkroi asgjë në Washington, ne nuk ishim pjesë e atij takimi. Një marrëveshje u nënshkrua midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Shteteve të Bashkuara. Kryeministri ynë [Benjamin Netanyahu] ka mirëpritur njohjen e ndërsjellë të Izraelit dhe Kosovës”, tha Vilan.
Ai ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq nuk ka qenë i lumtur me këtë njohje, por sipas tij ky është vendim i Izraelit.
“Izraeli është shtet sovran dhe ky është vendimi ynë. Është nënshkruar marrëveshja, dhe nuk është një gjë që unë apo Vuçiçi mund ta ndërrojmë. Ne duhet të punojmë në përparimin e marrëdhënieve e të mos merremi shumë me diçka që është kryer para dy javë e gjysmë”, ka shtuar ai.
Kujtojmë se, Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Washington kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik.
Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.