MENU
klinika

Rezultatet e Europa League

Wolfsburg i fortë për Kukësin, Drita shkruan historinë

17.09.2020 - 20:58

Nëse eliminimi i Laçit dogji jo pak tifozët shqiptarë, skualifikimi i Kukësit edhe pritej, pasi Wolfsburg ishte një rival tepër i fortë, që në fund fitoi 4-0 në “Air Albania” dhe kaloi në turin e tretë të Europa League.

Gjigantët e Bundesligës e shënuan golin e parë në minutën e 21-të. Obanor gabon, duke larguar topin dhe e përplas te një shok skuadre. Kështu, kthehet në një assist për Weighorst, i cili nuk fal. Pas 10 minutash miqtë shënojnë edhe golin e dytë, ku gabon portieri kuksian.

Megjithatë, verilindorëve u jepet një mundësi e artë për të ngushtuar në minutën e 35-të me penallti, por gjuajtja e Rocës pritet nga portieri i Wolfsburg. Mbyllet 0-2 pjesa e parë.

Kukësi nuk dorëzohet dhe provon të bëjë të pamundurën për të hapur ndeshjen, por në 74’ Weighorst shënon golin e dytë personal dhe të kapitullimit për Kukësin. Mbyllet 0-4, pasi në ’90 shqiptari Mehmedi shënon golin e katërt për miqtë nga Gjermania.

Megjithatë, një nga ekipet shqiptare në këtë tur arrin të bëjë mrekullinë. Drita e Gjilanit ka fituar 2-0 në fushën e Sileks, ekip i Maqedonisë së Veriut. Hera e parë që një ekip kosovar shkon në turin e tretë të Europa League.

Drita i shënoi të dy golat në pjesën e dytë. Në fillimin e këtij fraksioni Gërbeshi gjuajti saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Në 78’ vendasit mbesin me 10 lojtarë dhe 2 minuta më pas Limani shënon golin e dytë dhe të sigurisë. Një triumf historik jo vetëm për ekipin, por edhe për Kosovën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Turi i dytë eliminator i Europa League

Granada nuk fal, Teuta kapitullon në Durrës