MENU
klinika

"Radio Corriere", 1980

Ylli i parë i ekranit! Fehmiu, magjepsës dhe magnetik…

20.09.2020 - 11:52

      “Radio corriere” ka botuar, më muajin janar të 1980, në faqet n°32-34, një shkrim të gazetares Stefania Barile me rastin e kthimit në ekran me ngjyra të serialit të famshëm botëror “Odisea”, me aktor kryesor Bekim Fehmiun, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Një udhëtim i gjatë dhjetë vjet – Historia është tremijëvjeçare. Homeri i verbër e ka rrëfyer atë, por kritikët preferojnë të besojnë se këtë e ka transmetuar (rrëfyer) tradita popullore. Është historia e kthimit të Uliksit dhe legjenda e dinakërisë së tij. Mbreti ishte krijuesi i atij kali që shkaktoi rënien e Trojës. Pastaj kthimi në shtëpi, i cili për arsye të mallkimeve të perendive, qe i hidhur: fazat e tij janë të gjitha vuajtje dhe tortura. Por edhe shumë arratisje (frekuentime) me shumë gra, nga Culipvo te Circe, tek e ëmbla Nausicaa. Dhe më në fund, në Itakë ku do të jetojë me Penelopën besnike që e kishte pritur dhe me djalin Telemakun. Si në një përrallë. – Burimi: Radiocorriere (1980)

Romë, janar

Ai ishte ylli i parë televiziv. Pas tij, vetëm Sandokani ka ngjallur të njëjtin entuziazëm fanatik tek shumë vajza.

Në një garë hipotetike indiani Sandokan (Kabir Bedi) dhe ai do të përfundonin njëkohësisht në foto-finish. Bekim Fehmiu, jugosllav pothuajse grek ose Uliksi. Ishte viti 1968. Dhe shikuesve italianë të mësuar me lotët e shumë romancave, të xhiruara në studio me vetëm pak të huaj dhe me shumë aktorë me një fytyrë të qetë italiane, u ndodhi të shikonin “Odisenë”. Ata që ishin dyshues e gjetën veten para një filmi të madh (blockbuster-i). I pari i prodhuar nga televizioni.

Ishte një kasting i ngjashëm me Hollywood-in : ishte Juliette Mayniel, yll i ri (nouvelle vague); ishte Scilla Gabel e jona dhe një modele atëherë shumë në modë, Barbara Bach, si dhe disa të panjohur. Ndër të cilët ai, protagonisti, Bekim Fehmiu. Por, sapo u shfaq ndodhi suksesi i madh. Vështrimi magnetik dhe i ëmbël, i vuajtur dhe i zymtë, i magjepsi të gjithë. Siç kishte magjepsur ndrikullën e tij, Silvana Mangano-n.

“Ishte ajo që e kishte parë në Kanë”, kujton regjisori Franco Rossi, “me intuitën e të gjitha grave. Ajo kishte të drejtë. Mjaftoi t’i vinim një mjekër dhe doli jashtë ky vështrim”. Ai ishte në Kanë sepse ishte protoganist i një filmi jugosllav, “Ciganët e lumtur”, që luftoi për Palmën e Artë deri në fund, me Antonionin. Dhe atje, znj. De Laurentiis (gruaja e producentit, i cili po realizonte filmin e madh me TV-në) nuk ishte e vetmja që e vuri re: thuhet se Shirley MacLaine-it, e fiksuar pas tij, i ra të fiktë.

Ndryshe nga Uliksi homerik, ai nuk është me të vërtetë grek. “Unë kam lindur në Sarajevë, në ’36. Sidoqoftë, kam jetuar shumë në Shqipëri. Nuk ka asnjë vështirësi për t’u bërë Uliksi grek: meqenëse jam profesionist, menjëherë e gjeta veten grek”. Ka filluar të recitojë në moshën 19-vjeçare, së pari, në Prishtinë (“Unë qëndrova atje për një vit në Repertoire Théâtre”), pastaj në Beograd (“këtu kam studiuar me Mara Millosheviçin, një nga artistet më të mëdha jugosllave”) Debutimi nisi në ’58-ën: me pjesë të vogla në Teatrin Sperimentale dhe me Grupin 212. Dhe së fundmi, kinemaja: në ’62 “Sasha” të Radenco Ostovjiç, “me të cilin u vlerësova nga kritika”.

Vitin tjetër ende teatër në Jugosllavi: të Harold Pinter “The Guardian – Roja”.

Dhe së fundi, Uliksi. Një triumf, jo vetëm në Itali, por edhe në Gjermani dhe, mbi të gjitha, në Francë. “Këtu”, kujton Rossi, “në fillim ishte planifikuar një herë në 15 ditë dhe jo në mbrëmje. Pas episodit të parë, u planifikua në mbrëmje dhe dy herë në javë”. Gjithçka sugjeronte që aktorët dhe regjisori do të kishin një të ardhme triumfuese. Sidomos ai, Uliksi i bukur, ndoshta ai ishte i destinuar të ishte Omar Sharif-i i ri.

“Unë e fillova këtë karrierë në një mënyrë shumë hollivudiane, në vitin 1968 me filmin “Aventurierët”. Regjisori ishte Lewis Gilbert, ai i “Alfie”, suksesi i madh i Michael Caine. Kisha partnerë: Candice Bergen, Olivia de Havilland dhe Ernest Borgnine. Në fakt, ndodhi ndryshe. Filmi nuk pati sukses. Dhe unë, pavarësisht Uliksit, u ktheva mbrapa. Më ka mbetur teatri, në Jugosllavi.”

Atëherë, keqardhje? “Jo, natyrisht, unë do të bëja sërish gjithçka që kam bërë. Edhe Odisenë. Me kënaqësi. Kam një kujtim kaq të bukur! Në fillim kishte shumë vështirësi, sepse trupa përbëhej nga italianë, francezë dhe gjermanë, ne nuk mund ta kuptonim njëri-tjetrin. Atëherë gjithçka u bë e lehtë. Ndoshta meqë xhirimet bëheshin në shtëpi, në Jugosllavi”. Dhe ai ka shumë kujtime. Gjithashtu sepse atëherë, në ato skena, ato të rrezikshmet, ai nuk kishte një dublues. “Në skenën e Polifemit u hodha me të vërtetë në det nga gjashtë metra lartësi. Dhe kështu në skenën e stuhisë deti dhe stuhia ishin vërtet reale. Për më tepër, ishte muaji dhjetor. Ekzistonte rreziku për t’u prekur nga pneumonia”.

Guximtar, e kujton Franco Rossi: “Kur në fund zhvillohet lufta me pretendentët e Penelopës, mendova se ai do të vriste vërtet disa. Por, papritmas duke parë gjakun e rremë që dilte nga plagët e një aktori u ndal dhe filloi të qante. Pyes veten, pse”. Mbase këto ankthe vënë në pah sharmin e tij. Megjithatë, duke e parë atë në realitet (dhe kjo konfirmohet edhe nga të gjitha intervistat që ka dhënë ndër vite), ai është një njeri i qetë, pothuajse banal. Vetëm magnetizmi i syve është i ndryshëm: “Këtë e thonë tashmë, të gjithë”, thotë ai në mënyrë agresive. Sa për pjesën tjetër është i njëjtë me shumë të tjerë, madje edhe me shijet: në muzikë, preferon klasiken, të Beethovenit; këngët e Tom Jones; në sport: notin, tenisin, basketbollin (dhe boksin që gjithashtu, e ka praktikuar); në kuzhinë, gatimin klasik të nënës dhe për t’u argëtuar, të zakonshmet si vallëzimin (ballon) dhe kinemanë. Me pak fjalë, një i qetë: megjithatë, mund të imagjinohej ndryshe, të paktën i munduar, në “kërkimin e furishëm për të…”.

Përkundrazi, ai nuk po kërkon as dhe një grua. Edhe në dashuri është një njeri i qetë. “Dashuria ime e parë”, kujton ai, “quhej Drava, ajo ishte e vogël dhe brune. Isha pesë vjeç”. Dhe pastaj, në moshën 30-vjeçare, dashuria e vërtetë. Branka Petriç, bjonde me sy blu. Ndoshta, gruaja edhe nëse këtë nuk e konfirmon. Me pak fjalë, njeriu tërheqës është ndoshta një burrë i qetë. Aq paqësor saqë ka humbur rrugën e tij drejt famës dhe suksesit. Dhe, siç thamë, edhe aktorët e tjerë të “Odisesë”, nuk kanë fituar famë me kalimin e kohës: francezja Kira Bester-Calipso është zhdukur. “Nuk di asgjë për të”, – thotë Franco Rossi. Po të tjerët ? “Telemakun – Renaud Verley, nuk e mbaj më mend. Edhe Juliette Mayniel u harrua gjithashtu. Rezistuan vetëm ata që tashmë kishin në farë lloj drite të caktuar artistike”. Dhe mes këtyre, Irene Papas. Së pari aktore elitare, pastaj shumë e njohur (popullore). Diva e angazhuar e Costa Gavras-it (Z, orgjia e pushtetit) dhe tani Ifigjenia e Cacoyannis. Ende është aktore e filmave televizivë (me Rosin në “E in Crista si è fermato a Eboli”). Por, mbase për publikun e gjerë mbetet ende Penelopa. Dhe me Uliksin me ngjyra provon sërish popullaritetin. STEFANIA BARILE