I martuar tri herë, i njohur si një zetorist i zoti në fshatin e tij Xarrë të Sarandës dhe i mirinformuar për armët.
Lefter Zhidru mësohet se në Elbasan kishte punuar në Uzinën e Demontimit të Armëve dhe ka shumë gjasa që të kishte marrë prej andej sasi të konsiderueshme tritoli, si edhe municione të cilat i ruante në banesë.
Në zonën ku banonte atë e tregojnë si një njeri negativ edhe pse pak shumë e njihnin. Herë pas here dhunonte bashkëshorten e tij në sy të vajzës dhe bërtiste në pallat, shante dhe ofendonte banorët më së shumti djemtë e rinj kur qëndronin në hyrje të pallatit.
Duke qenë se ishte njeri me shumë probleme, asnjë banor nuk i fliste në pallat, madje kishin kërkuar që ai të largohej prej aty.
Pesë herë ai ishte denoncuar nga bashkëshortja e tij në Polici, pasi kjo e fundit e akuzonte se e dhunonte, por sërish pas marrjes në pyetje ai gjithnjë lihej i lirë.
Asnjëherë nuk u mendua nga Policia që të ushtrohej kontroll në banesën e tij, kjo për shkak të moshës, si edhe fizikut që kishte, pasi në pamje të parë nuk ta jepte përshtypjen se ishte njeri negativ dhe i mirinformuar rreth përdorimit të armëve dhe municioneve.
Vetëm rreth një orë para ekzekutimit të Lefterit, ka qenë pikërisht bashkëshortja e tij që ka rrëfyer se ai ka një sasi të konsiderueshme municionesh në banesë, sasi e cila mund të shkaktojë një tragjedi. Ky fakt bëri që RENEA të kryente një aksion të imtësishëm dhe inteligjent për të mos shkaktuar tragjedi në pallatin ku banonte Lefteri, por edhe përreth tij.
LIDHJET ME BANDAT
Lefter Zhidru mësohet se në vitet 1990 emigroi në Rumani dhe në vazhdim ngriti një biznes ambulant të furnizimit me pulla dhe fitila gomisteritë.
Banorët e fshatit ku ai është rritur shprehen që ishte njeri i çuditshëm, por i qetë, megjithëse të tjerë e cilësojnë dhe si problematik.
Ndërkohë, uniformat blu në Policinë e Shtetit kanë dyshime se 71-vjeçari është marrë me tregti lëndësh shpërthyese dhe fishekësh dhe kjo shpjegon faktin se dje pas ekzekutimit të tij Policia i gjeti në banesë lëndë plasëse. Po ashtu, besohet se ai ka pasur lidhje me bandat në Elbasan, Vlorë dhe Sarandë, e po ashtu, ka lidhje të forta në Rumani dhe Bullgari.
Lefter Zhidru u vra pas 5 orësh rezistencë duke mos iu bindur thirrjeve të vazhdueshme të Policisë për dorëzim. Pak para se të vritej, ai kishte nisur të qëllonte mbi forcat RENEA dhe nuk u bindej thirrjeve për dorëzim, duke qëlluar në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa në fund Policia arriti të hapte derën me shpërthim.