MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

A është e rrezikshme leishmanioza, infeksioni që përhapet nga qeni?

23.10.2020 - 10:37

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: A është e rrezikshme leishmanioza, infeksioni që përhapet nga qeni?

Mjeku: Leishmanioza është një infeksion parazitar, njëqelizor, i përhapur në gjithë botën. Burimi i infeksionit është qeni, por edhe disa kafshë të egra si çakalli, dhelpra etj. Që të zhvillohet ky infeksion përveç qenit të sëmurë, patjetër, nevojitet edhe hallka e ndërmjetme, që është mushkonja.

Qeni është rezervuari kryesor i këtij infeksioni. Cikli biologjik i plotë i Leishmaniozës zhvillohet nëpërmjet vektorëve transmetues siç janë mushkonjat, rriqnat, pleshtat etj.

DINAMIKA

Mushkonja pickon qenin e sëmurë, pastaj pickon edhe njeriun. Në vendin e pickimit krijohet një papul e vogël, që mund të rrijë aty për javë ose muaj. Në momente të caktuara, nëpërmjet gjakut paraziti kalon në gjëndrrat limfatike, duke u shumëzuar kryesisht në shpretkë dhe jep anemi.

Pra, vlen të theksohet se inkubacioni është i gjatë, 4-10 muaj pas pickimit zhvillohen shenjat e sëmundjes.

Sëmundja zhvillohet në dy forma :
1- Forma e lëkurës dhe
2- Forma e prekjes së organeve të brendshme.

EPIDEMIOLOGJIA:
Në vitet e fundit raportohen shtim të rasteve me leishmaniozë, në të gjithë botën. 88 vende konsiderohen si zona endemike, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Incidenca vjetore, në të gjithë botën, sipas OBSH është 400 000 raste të reja në vit për formën në lëkurë dhe 100 000 raste çdo vit për formën me prekje të organeve të brendshme.

Kryesisht prek moshën 1-5 vjeç, por kohët e fundit e gjejmë edhe tek të rriturit.

Janë mbi 30 tipe protozoaresh që qarkullojnë në natyrë. Pas kalimit të infeksionit fiton imunitet vetëm për tipin që ke kaluar.\

SIMPTOMAT

Fillimi është gradual, me temperaturë 3-4 ditë dhe shenja të përgjithëshme si psh dhimbje muskulare, dhimbje fyti, fryrje barku, lodhje, dobësi trupore.
Në përgjithësi kalon si një Katar stinor. Pas disa javësh ose muajsh, përsëri ngrihet temperatura ( në formë ondulante), dhimbje barku, zbehje dobësi trupore, djersitje. Në vizitë mjeksore konstatohen zmadhim i shpretkës dhe mëlçisë. Shpesh, ajo shenja e vogël në lëkurë është harruar ( pas kaq muajsh), ndërkohë që çfaqet përsëri një temperaturë e pashpjegueshme.

DIAGNOZA

Diagnoza vendoset në bazë të shenjave klinike. Bëhen analiza e gjakut dhe punksion-biopsia e kockës. Aty gjenden parazitët intraqelizor.

Mjekohet me Glukantinë.
Forma me prekje të lëkurës ka një ecuri më të mirë. Mund erdhe të vetshërohet.
Çfaqet në formën e noduseve të vogla, të forta, të padhimbshme. Në qendër të nodusit krijohet një krustë. Kur tentojmë ta heqim dallojnë një numër rrënjësh të forta ( shenja Montpellie).
Një pjesë e kësaj forme mund të gjeneralizohet, duke hyrë në vazhdimësi në organizëm.
Diagnoza diferenciale bëhet me të gjitha infeksionet që shoqërohen me temperaturë.
Gjithashtu edhe me disa anemi të tjera.
Një infeksion tjetër parazitar që transmetohet nga qeni është edhe Ekinokoku.
Është një parazit që kërkon dy mbartës të ndërmjetëm: qentë dhe gjedhet. Është më i rrallë.
Shenjat e sëmundjes tek njeriu çfaqen me ato të prekjes së mushkërive, ose në formën e cisteve në mëlçi. Kur mbeturinat e kontaminuara ekskretohen në mjedis, bartësit i ndërmjetëm kanë potencialin të kontaktojnë parazitin duke kullotur në kullota të ndotura, duke përmbyllur ciklin jetësor të parazitit.
Profilaksia.
Njeriu i sëmurë me Leishmaniozë është burim infeksioni, ai duhet shtruar në repartin e infektivit.

Nga ana e pushtetit vendor duhet organizuar lufta kundër qenve infektuar sidomos atyre të rrugës). Rëndësi më të madhe kanë lufta kundër mushkonjave, pleshtave, rriqnave, për të bërë të mundur ndërprerjen e hallkës së transmetimit tek njeriu.

Leishmanioza është një parazit njëqelizor që strehohet brenda në qelizat e njeriut. Kjo e bën më të vështirë për tu identifikuar. Kjo veti e bën që t’i shmanget imunitetit humoral të organizimit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.