MENU
klinika

Analistët thonë se...

A po shkon Kosova drejt një koalicioni LVV-PDK?!

22.10.2020 - 11:48

Njohësit e çështjeve politike në Kosove nuk e shohin të mundur një koalicion LVV-PDK, nëse mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, shkruan Gazeta Blic.

Analisti, Fitim Salihu thekson se koalicionet ndërmjet partive të mëdha nuk funksionojnë pasi ata nuk e shohin veten si partnerë koalicioni por si rivalë.

Ai thekson se në rast se Vetëvendosje del e para në zgjedhje dhe PDK-ja e dyta, është e pamundur të bëhet një koalicion i tillë.

“Në rast se Lëvizja Vetëvendosja del e para dhe PDK-ja e dyta, kjo e bën më të pamundur një koalicion. Në Kosovë por edhe gjetiu është dëshmu që koalicionet mes partisë më të madhe dhe partisë së dytë vështirë se mund të funksionojnë sepse ato njëhërit nuk janë vetëm partnerë të koalicionit por edhe rivalë kryesorë për vendin e parë. Për rrjedhojë është e pamundur me u funksionu koalicione të atilla. Në Kosovë dy herë e kemi pas koalicionin PDK-LDK dhe njëherë VV-LDK, pra tre herë kemi pas koalicione mes partisë së parë dhe të dytë dhe është dëshmu se janë shumë të vështira pasi e shohin njëra-tjetrën me mosbesim dhe kanë rivalitet për vendin e parë. I kemi shembullin e freskët kur u ba koalicioni LDK-LVV, ka qenë shumë i vështirë të bëhet dhe ka zgjatur shumë pak. Nëse PDK-ja është në vend të tretë ose e kundërta atëherë po, por nuk besoj se në Kosovë do të funksiononte” tha Salihu për Gazeta Blic.

Ndërsa profesori Muhamed Kelmendi thotë se parimisht nuk përjashtohet asnjë koalicion mes partive politike.

Kelmendi thotë se megjithëse këto koalicione do të duhej të ndërtoheshin në bazë lidhjeve ideologjike këto po ndodhin në bazë të interesave për pushtet.

“Parimisht nuk përjashtohet asnjë koalicion midis partive politike ne skenën e ndërtimit te pushtetit pas zgjedhjeve.Eshtë e rrugës që koalicionet të ndërtohen midis partive me pikëpamje ideo-politike te njejta apo te ngjajshme.Mirëpo, në Kosovë nuk po vendoset ne bazë të kesaj lidhjeje ideologjike, por në bazë te interesave dhe pushtetit qe po ofrohet”

“Koalicionet nuk po ndertojnë platformë politike për pushtet, por kryesisht po mbështeten në pozitat që marrin dhe ne interesa te tjera.Në këtë kuader nuk ka asgjë kundër asaj që edhe në mes VV dhe PDK-se pas zgjedhjeve te kemi koalicion. Në këtë anë flasin raportet e ashpra midis PDK dhe LDK apo AAK dhe VV e, megjithate ne faza te caktuara pati koalicione midis tyre. Kryesisht varet ky koalicion nga dy faktorë: 1. Nga pozitat shtetërore që ofrohen për njërën dhe partinë tjetër dhe 2. Nga programi politik mbi ndertimin e pushtetit ne bazë te koalicionit. Këto dy janë faktorë dhe në bazë të kësaj përcaktohet edhe koalicioni midis VV dhe PDK-së”, thotë Kelmendi.

Sekretari i Përgjithshëm i Nisma-s Socialdemokrate, Bilal Sherifi, deklaroi mbrëmë se në bazë të një sondazhi të bërë Lëvizja Vetëvendosje merr vendin e parë me 40 deputetë ndërsa partia e dytë pritet të dalë PDK-ja, me një diferencë të vogël me LDK-në.