MENU
klinika

Të vërtetat e pathëna...

“A Refugee’s Tale” si ecje në dy kohë me regjisorin nga Kosova

24.10.2020 - 12:21

Saga shqiptare e fundshekullit të kaluar që u përshkua me shkulme refugjatësh, nuk është vetëm një fakt i “arkivuar” në histori. Nga qindra mijëra sosh, një histori e tillë është veçuar për të ngritur pikëpyetje mbi realitetet e sotme me refugjatë.

Duke evokuar fillimvitet ‘90, regjisori i filmave dokumentarë në “Al Jazeera”, Eki Rrahmani, ka kontrastuar përvojën e tij me ato të refugjatëve të ngecur në portat e Evropës.

“Tani e quaj Londrën si shtëpinë time. Këtu erdha më 1994”, thotë Rrahmani në fillim të dokumentarit të tij “A Refugee’s Tale”, i cili u shfaq mbrëmjen e së enjtes në “Al Jazeera”. I njëjti është transmetuar live edhe gjatë të premtes e po kështu do vazhdojë gjer në fund të këtij muaji.

Duke e ftillëzuar historinë e tij personale në ngjarjet e dallgëzuara në Kosovë, regjisori prishtinas ka sipërmarrë një udhëtim të pazakontë.

Për të dokumentari vjen edhe si ripërjetim personal në kohë, kurse për publikun një njohje tjetër e vuajtjeve të refugjatëve nga Lindja e Mesme.

“Vendimi për të ikur ishte i lehtë, por ndarja e vërtetë ishte e vështirë. Kurrë s’i pyeta prindërit se si u ndjenë kur u largova”, thotë Rrahmani, teksa kamera kap pamje nga rrugët e “Kodrës së Trimave”.

Mu aty shpërgjumen kujtimet kur si i ri mbante të plagosurit gjatë demonstratave të studentëve. Një plumb gome e kishte platitur për tokë. E megjithatë jeta kishte qenë më e fortë se vdekja si për ta bërë të mundur një “Rrno vetëm për me tregue”.

Me një kohëzgjatje prej rreth 50 minutash, nga një rrëfim personal dokumentari është kthyer në një udhëtim revalues për të vërtetat e pathëna për refugjatët.

“Jam i tmerruar se çfarë përjetojnë këta djem për të shkuar në Evropë”, thotë Rrahmani, ndërsa ndërmend përvojën e tij kur si i ri braktisi Kosovën për të ikur me një kamion-cisternë. Mes ankthit e të papriturave, ai megjithatë ia kishte dalë mbanë të vendosej fillimisht tek të njohurit e tij në Suedi e më pas në Britaninë e Madhe.

Kështu, pasi çmallet me prindërit e tij në Prishtinë, refugjati i dikurshëm nis udhëtimin e tij drejt pikës kufitare të Gjevgjelisë për të vazhduar drejt Selanikut.

Derisa BE-ja kishte shtrënguar kufijtë e saj ndërkohë që Turqisë i kishte dhënë disa miliarda euro për refugjatët e strehuar aty, dhjetëra mijëra fatkëqij, njerëz të të gjitha moshave, mbetën nën mëshirën e askujt.

Një qendër kujdesi në Selanik është një galeri e trishtueshme fatesh: ecja e gjatë deri në rraskapitje ka lodhur edhe të rinjtë. Shumica e tyre janë me këmbë të ënjtura e të mavijosura.

Caku tjetër i Rrahmanit është udhëtimi drejt ishullit grek të Lesbosit, që ka përkundrejt brigjet e Turqisë, aty ku ndodhet Moria. Bëhet fjalë për kampin më të madh me refugjatë në BE.

“Natën është shumë ftohtë këtu. Shumica e fëmijëve janë të sëmurë e nuk ka kurrfarë kujdesi mjekësor”, thotë një burrë esmer me kalamajtë e tij të vegjël.