MENU
klinika

Sfidë mbetet borxhi i lartë që pengon investimet

BB nuk ka lajme të mira për ekonominë shqiptare

07.10.2020 - 10:30

Banka Botërore ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit, si rrjedhojë e pasojave më të forta të pandemisë, sesa pritej këtë vit. Sipas Rishikimit Ekonomik të vjeshtës për Europën dhe Azinë Qendrore, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie prej -8.4% në vitin 2020, nga -5% që ishte parashikimi i mëparshëm.

Konsumi privat pritet të bjerë me 8%, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve parashikohen të tkurren me 37% këtë vit, sipas tabelave të Bankës Botërore.

Më herët, ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar që rishikoi në ulje vlerësimin ekonomik për 2020-n, nga -5% në -7.5, ndërsa Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka mbajtur pritshmërinë prej -9% për Shqipërinë, por uli ndjeshëm parashikimin për një rimëkëmbje të shpejtë në 2021, në vetëm 4.5%, nga 12% që e kishte më parë.

Edhe Banka Botërore, në raportin e saj të fundit vlerëson se rimëkëmbja do të jetë e ngadaltë, me 5% vitin e ardhsëm dhe 3.9% në 2022.

“Duke supozuar vënien nën kontroll të pandemisë deri në fund të vitit 2020, PBB parashikohet të rimëkëmbet me 5 për qind në 2021 ndërsa eksportet, konsumi dhe investimet do të rikuperohen pjesërisht. Rindërtimi i mëtejshëm nga tërmeti duhet gjithashtu të nxisë rritjen, në përputhje me përvojën nga katastrofa të ngjashme në ekonomitë në zhvillim. Nën këtë skenar bazë të rikuperimit, ekonomia do të ishte akoma 10.7 për qind më e vogël se sa në projeksionin e Bankës Botërore para-COVID-19 për 2021. Në vitet në vijim, konsumi privat do të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në rritje.

Investimet private dhe publike do të kontribuojnë gjithashtu në rritje nëse qeveria vazhdon të zbatojë reformat për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe investon në infrastrukturë. Në nivelin sektorial, shërbimet, të udhëhequra nga turizmi dhe ndërtimi pritet të jenë faktorët kryesorë të rritjes. Deficiti i llogarisë korente pritet të ulet në 11 për qind të PBB-së në 2021 dhe të ulet më tej në 8 pë rqind në përputhje me tendencat e para krizës, të nxitura nga përmirësimet e parashikuara në bilancin tregtar.

Eksportet e shërbimeve, përfshirë turizmin dhe zgjerimi i bizneseve duhet të ngushtojnë deficitin tregtar për një periudhë afatmesme. Rritja e importit do të jetë e lartë në 12.8 për qind në 2021, teksa investimet në infrastrukturë përshpejtohen. Flukset hyrëse të IHD-ve, përfshirë turizmin, energjinë dhe prodhimin janë parashikuar të financojnë pjesën më të madhe të deficitit të llogarisë korente. Me rritjen e aktivitetit ekonomik, të ardhurat parashikohet të rikuperohen në 27.6 për qind të PBB-së deri në 2022-2025.

Borxhi publik i Shqipërisë parashikohet të bjerë gradualisht për një periudhë afatmesme, në përputhje me angazhimin e autoriteteve për forcimin e qëndrueshmërisë fiskale. Perspektiva e punësimit varet kryesisht nga rimëkëmbja e sektorëve të shërbimeve dhe shumat e investuara në rindërtim.

Sfidat, borxhi i lartë pengon investimet

Sipas raportit, Sektorë kyç të ekonomisë, si turizmi apo industria përpunuese, po vuajnë pasojat e recesionit në Bashkimit Europian, që është parneri kryesor tregtar i vendit dhe burimi kryesor i investimeve të huaja direkte, por edhe nga kufizimet e udhëtimeve dhe masat e distancimit social.

Ekonomia shqiptare mori një shtysë pozitive nga projektet e mëdha të investimeve në energjetikë, me një rritje mesatare të Prodhimit të Brendshëm Bruto 3.4% në periudhën 2015-2018. Por, Banka Botërore nënvizon se ekonomia ngelet e brishtë ndaj rënies së kërkesës së jashtme, por edhe ndaj atastrofave natyrore, si tërmeti i nëntorit 2019. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përfaqësojnë mbi 90% të sipërmarrjeve private, klima e biznesit është problematike, aksesi në financim është i kufizuar, ndërsa tregjet kanë shkallë të ulët integrimi dhe mungesë sofistikimi të produkteve. Shkalla e ulët e grumbullimit të të ardhurave fiskale dhe borxhi i lartë publik i kanë ngushtuar ndjeshëm hapësirat fiskale që do të mundësonin përmirësimin e infrastrukturës dhe investimin në capital njerëzor.

Një nga të paktët faktorë optimizmi është gjendja e mirë e sektorit bankar, që që ngelet likuid dhe i mirëkapitalizuar, pavarësisht ndikimit të parë të pandemisë. Megjithatë, pasiguria e lartë për ërtëritjen e ekonomisë dhe numri në rritje i huamarrësve të prekur nga kriza ka krijuar rreziqe në rritje për bankat.

Projeksionet për ecurinë ekonomisë së vendit këtë vit janë të zymta. Pak ditë më par, edhe Bnaka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim konfirmoi parashikimin për rënie të PBB-së me 9% për vitin 2020. Të dhënat e Instat treguan se për tremujorin e dytë të vitit, që shënoi edhe pikun e ndikimit të pandemisë, ekonomia shqiptare u tkurr me 10.23%. Ekonomia shqiptare është në rënie prej tre tremujorësh radhazi, pas goditjes së njëpasnjëshme që pësoi fillimisht nga tërmeti e më pas nga Covid-19, të theksuara edhe më tej nga cikli në rënie I projekteve të mëdha trë investimeve të huaja direkte.

Ekonomitë në zhvillim do bien 4.4%

Ekonomitë e reja dhe në zhvillim të rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore pritet të tkurren me 4,4 për qind këtë vit, recesioni më i rëndë pas krizës botërore financiare të vitit 2008, tha banka në raport. Tkurrja ekonomike e shkaktuar nga pandemia pritet të zhysë në varfëri deri 6 milionë njerëz në të gjitha vendet e rajonit. Raporti i Përditësimit Ekonomik të Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore përvijon sfidat më të cilat po ndeshen njerëzit dhe thekson hapat që duhet të ndërmarrin politikëbërësit për të mbrojtur jetën dhe mirëqenien e njerëzve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


The Guardian/ Më 'elastikë' për një tjetër krizë!?

A po tronditet ekonomia globale në të menduarit afatgjatë?

Civici: Si po përballohet kjo situatë emergjence?

ANALIZA/ “Filozofia’ e masave ekonomike ‘antikoronavirus”