MENU
klinika

"Më 25 prill është fundi i Edi Ramës"

Basha e Kryemadhi në një zë për inceneratorët

17.10.2020 - 16:16

Partia Demokratike vijon akuzat ndaj qeverisë për inceneratorët. Në një konferencë me gazetarët, kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëroi personat e përfshirë në kontratat korruptive se pas 25 prillit do të jenë në burg.

“Në 2021 të gjithë ata të përfshirë në këtë aferë do të jenë në bankën e të akuzuarve, ndoshta edhe të dënuar. Sot pyetja është: Ku i ke çuar 23-24 milionë euro që ia ke marrë taksapaguesve shqiptarë, vetëm për inceneratorin e Elbasanit? Sepse inceneratori nuk punon. Është ndezur 2, 3, 4 apo 5 herë, pak rëndësi ka, nuk punon”, tha Basha.

Edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nga inceneratori i Fierit deklaroi se qeveria Rama do e marrë përgjigjen në 25 prill.

“Ky incenerator nuk është gjë tjetër, por do jetë gropa, e cila mbyti qeverinë e Edi Ramës, mbyti të gjithë interesaxhinjtë që rrotullohen rreth Edi Ramës. Jo vetëm që do të jetë pika e shkëputjes përfundimtare të së keqes nga ky vend, por do të jetë dhe ai momenti, që do t’i japë verdiktin përfundimtar dhe dënimin përfundimtar më 25 prill Edi Ramës”, tha ajo.

Për Kryemadhin, qeveria jo vetëm po vjedh me inceneratorin e Fierit, por po largon edhe të rinjtë nga Shqipëria.