MENU
klinika

Champions League

Bayern e nis me “poker”, përmbys City, ngec Inter

21.10.2020 - 21:58

Bayern Munchen e ka nisur sezonin e ri të Champions League aty ku e la. Bavarezët fituan 4-0 supersfidën e mbrëmjes ndaj Atletico Madrid, duke dominuar totalisht dhe duke mos i dhënë asnjë shans kundërshtarit.

Coman realizoi golin e parë në 28’ me një veprim fantastik, por merita më e madhe ishte e Kimmich me rikuperimin dhe pasimin e artë. Në 41’, tjetër gol i bukur, kësaj radhe është Goretzka që realizon. Pjesa e parë mbyllet 2-0.

Në të dytën, në 66’, Tolisso realizon një supergol nga distanca. Fantastike gjuajtja e tij. Në 72’, është sërish Coman që shënon, teksa bën kërdinë në zonën spanjolle dhe në fund shënon për 4-0. Bayern merr kreun e Grupit A, pasi Salzburg-Lokomotiv Moska përfundoi 2-2.

Në Grupin B, gjermanët e Monchegladbach për pak bënë mrekullinë në “San Siro” ndaj Interit, teksa përmbysën 1-2, por në fund zikaltrit barazuan 2-2. Të katër golat u shënuan në pjesën e dytë.

Fillimisht ishte Lukaku në 49’ që shënoi për vendasit. Miqtë barazuan në 63’ dhe në 84’ kaluan në avantazh. Gjithsesi, Inter shmangu humbjen në 90’. Ishte sërish Lukaku që shënoi. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Real Madrid humbi në shtëpi me Shakhtar Donetsk, 2-3.

Në Grupin C, Manchester City përmbys Porton 3-1. Miqtë portugezë shënuan në 14’, por Aguero barazoi në pjesën e parë. Ndërsa në të dytën Gundogan dhe Torres përmbysën shifrat. Në këtë grup fiton 1-0 edhe Olimpiacos ndaj Marseille.

Në Grupin D, fitore fantastike e Atalantës në Danimarka ndaj Midtjylland. Bergamaskët triumfuan 0-4, duke hedhur një hap jo të vogël për të kaluar sërish grupin si në sezonin e kaluar. Në këtë grup, Liverpool fitoi 0-1 në fushën e Ajax me një autogol në 35’.