MENU
klinika

“Boeing Boeing”, rikthehet!

Bernardi ka tri gra, po si do të “shpëtojë”?..

21.10.2020 - 12:03

         Komedia ishte një sukses i menjëhershëm. “Boeing Boeing” rikthehet këtë javë, për publikun. Shfaqja do të jetë mbrëmjen e të enjtes dhe të shtunës, në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve.

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, vlerëson se është komedia më e pëlqyer dhe se, nuk duhet humbur.

“Rikthehet për publikun, komedia më e pëlqyer “Boeing Boeing”, për të mos e humbur më 22 dhe 24 tetor, ora 18:30, në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. Më shumë se çdo gjë, kemi nevojë për të qeshura dhe pozitivitet” – shkruhet në faqen zyrtare të teatrit.

Me autor Marc Camoletti, përkthyer mjeshtërisht nga Nasi Lera, vepra është vënë në skenë me regji nga Kiço Londo. Në një reagim të tij, regjisori Kiço Londo, thotë se publiku ka treguar shumë interes për këtë vepër teatrore.

“Një komedi që është pritur shumë mirë. “Boeing Boeing” ka pasur deri tani, mbi 130 shfaqje. Nga publiku, ka dyndje për biletat” – shprehet regjisori Londo, në reagimin e tij, për këtë shfaqje, që gjatë fundjavës do të jetë për publikun duke dhuruar të qeshura.

Në këtë komedi, interpretojnë aktorët: Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katerina Fili. Komedi franceze e autorit Marc Camoletti ka pasur sukses në skenat e huaja, por dhe në ato shqiptare ku është prezantuar deri tani para publikut.

Si zhvillohen ngjarjet?

Ngjarjet në komedinë franceze “Boeing Boeing”, i përkasin Parisit të ditëve të sotme.

Një komedi e bujshme, që të kujton komeditë e Shekspirit, me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” sjell aventurat e beqarit francez Bernard, me tri stjuardesa; një franceze, një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e tij.

Më parë, Bernardi ka ditur t’i sjellë rrotull gratë, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të secilës. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij, mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij, Robertit, lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën… Bernardi sakaq e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën pezull.

Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dalë nga kjo situatë, falë mikut të tij, Robert.

Bazuar në një farsë klasike, të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbejë dy çmime: “Tony Award” në 2008-ën dhe “Broadway Revival Edicion,” po atë vit.

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në shkurt të këtij viti e riktheu për publikun e Tiranës, në skenë, komedinë “Boeing Boeing”, që u shfaq në “Ar Turbina”, por sërish, kjo shfaqje do të vijojë dhe dy mbrëmje me radhë, këtë herë në një ambient të hapur.

Shfaqja ka shënuar sukses edhe më parë, në Durrës, Elbasan, Fier, Tiranë, Shkodër dhe në Korçë