MENU
klinika

Nga Ishaan Tharoor

Çfarë domethënie kanë zgjedhjet në SHBA për Evropën?

10.10.2020 - 19:48

Evropianët nuk aprovojnë që president i SHBA-ve të jetë sërish, Donald Trump dhe një deklarim i tillë bazohet në sondazhet e kryera së fundmi.

Sipas qëndrës kërkimore Pew, aq i ulët është vlerësimi ndaj Trump sa të anketuarit besojnë se më shumë probabilitet për të zgjidhur çështjet globale ka presidenti kinez Xi Jinping, sesa Trump.

Në një sondazh të kryer së fundmi një shumicë në kontinentin evropian kanë thënë se preferojnë fitoren e Biden më shumë se Trump.

Kjo pasqyron një dëshirë të mirëfilltë për një presidencë të Biden pas katër vitesh qeverisjeje të paqëndrueshme nga Trump.

Një Shtëpi e Bardhë liberale në 2021 pritet të rigjallërojë aleancën transatlantike, të kthejë Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen e klimës së Parisit, të heqë shumicën e tarifave që Trump u vendosi aleatëve të SHBA-ve dhe, të paktën, do të shmangte prepotencën me të cilën tentoi të prekte Bashkimin Evropian.

Për zyrtarët në Bruksel, kjo do të nënkuptonte diçka të ngjashme me një rigjenerim.

Në një nivel më të thellë edhe pikëpamja e Evropës për Amerikën po ndryshon gjithashtu.

“Qëndrimet evropiane ndaj amerikanëve po kalojnë nga zilia në dhembshuri”, shkroi Simon Kuper i Financial Times.

Ai shtoi se “ka më shumë mundësi për t’u bërë miliarder në Skandinavi sesa në SH.B.A.”, duke treguar shtimin e pabarazisë në Shtetet e Bashkuara dhe zbehjen e nocioneve romantike të “Ëndrrës Amerikane”.

Trump dhe Evropa

Zotëruesi aktual i Shtëpisë së Bardhë hyri në zyrë duke u ankuar kundër të dy institucioneve përcaktuese të kontinentit, Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Trump beson se i pari është organizuar si një bllok për të “përfituar” nga Shtetet e Bashkuara dhe madje quajti një numër vendesh evropiane si kërcënim të sigurisë kombëtare për të justifikuar tarifat proteksioniste mbi mallrat e BE.

Është një prirje që bie ndesh me shumë vite qeveri të njëpasnjëshme Demokratike dhe Republikane në SHBA, të cilat inkurajuan një integrim më të thellë Evropian.

Trump e sheh NATO-n si mbrojtëse të Evropës, e cila strehohet nën ombrellën e sigurisë amerikane me monedhën amerikane.

Ai këshilloi vendet evropiane që të shpenzonim më shumë në mbrojtje dhe vuri në dyshim dobinë e aleancës ushtarake.

(Mos harroni se shumë qeveri evropiane kishin filluar tashmë të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake gjatë mandatit të Obamës në SHBA.)

Marrëdhënia personale e Trump me Presidentin rus Vladimir Putin si dhe përqafimi i tij i figurave të ekstremit të djathtë, joliberal nacionalist dhe euroskeptik në margjinat e politikës së Evropës vetëm shtoi përshtypjen e një lideri amerikan armiqësor ndaj projektit liberal evropian.

Trump ka qenë në kundërshtim me aleatët e ngushtë evropianë në forume ndërkombëtare si me Grupin e Shtatë kombeve të industrializuara dhe Kombet e Bashkuara, duke prishur marrëveshjet kryesore përfshirë marrëveshjen bërthamore të Iranit. Megjithëse nuk shprehu mbështetje për asnjë  kandidat të veçantë për president të SHBA-ve kur u pyet për zgjedhjet e nëntorit, Presidenti francez Emmanuel Macron e bëri të qartë se ai shpresonte për një të ardhme ku Shtetet e Bashkuara të ndryshonin.

“Ajo që është shumë e rëndësishme në kontekstin ndërkombëtar është që Shtetet e Bashkuara të mund të luajnë rolin e tyre si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i një anëtari plotësisht të angazhuar në çështje shumëpalëshe,” u tha Macron gazetarëve në gusht. “Ne kemi nevojë për angazhimin e Kombeve të Bashkuara në zgjidhjen e konflikteve dhe të kemi një SH.B.A. që është një partner i sigurisë kolektive të një Evrope sovrane”.

Nëse Trump rizgjidhet, “ai do të ndihet plotësisht i lirë dhe nuk do të ketë asnjë limit”, tha Gerard Araud, i cili deri vitin e kaluar ishte ambasador i Francës në Uashington. Kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme për Evropën, duke përfshirë, mundësinë e tërheqjes së plotë të Shteteve të Bashkuara nga NATO.

Biden dhe Evropa

Tek Biden, shumë evropianë shohin kthimin e një internacionalisti më tradicional i cili vlerëson marrëdhënien historike të BE me Shtetet e Bashkuara dhe vlerat e saj liberale. Bashkëpunimi i ngushtë dhe më miqësor do të vijë natyrshëm në një mori drejtimesh, përfshirë tregtinë dhe përpjekjet për përmirësimin e ndryshimeve të klimës.

“BE është tregu më i madh në botë. Ne kemi nevojë të përmirësojmë marrëdhëniet tona ekonomike,” tha këshilltari i lartë i Biden, Tony Blinken.

“Ne duhet t’i japim fund kësaj lufte artificiale tregtare që administrata Trump ka filluar…që ka helmuar marrëdhëniet ekonomike, duke kushtuar punë, duke rritur kostot për konsumatorët.”

Përkthyer dhe përshtatur nga washington post/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN