MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Çfarë është purpura e thjeshtë (purpura simplex) dhe a ka mjekim?

25.10.2020 - 10:26

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja:Çfarë është purpura e thjeshtë (purpura simplex) dhe a ka mjekim?

Mjeku: Termi purpura e thjeshte (purpura simplex) i referohet manifestimeve të lehta purpurike (hemoragjike) në lëkurë tek personat e shëndoshë, sidomos tek femrat (“devil’s pinches”). Ekimoza të vogla, të izoluara, ose në grupe, të padhimbshme, shfaqen në mënyra spontane, pa shkak të dukshëm, zakonisht tek këmbët (dhe tek duart) dhe eleminohen pa patur ndonjë mjekim specifik. Më të shpeshta janë në periudhën e menstruacioneve.

Si vlerësohen ?

1. Në fillim sqarohen nëse janë njolla hemoragjike, ose jo.

2. Duhet theksuar se flitet vetëm për elemente purpurike në lëkurë dhe jo nga mukozat. Pra nuk ka hemoragji aktive nga mukozat (hunda, gingivat, stomaku, nuk ka hemoragji të shtuar dhe të zgjatur të Ciklit Menstrual).

3. Elementet purpurike do të vlerësohen nëse janë të reja apo në rezorbim. Purpura Simplex – ekimoza, hemoragji “spontane”, që kalojnë të gjithë fazat e hemoragjisë subepidermale/subepiteliale (e kuqe, e zezë, jeshile, e verdhë deri në eleminim), kalimtare.

4. Prek vazat e vogla të lëkurës dhe mukozave (vazat e mëdha – hematoma, vezikula). Dalin dhe në krah, në trup, njëkohësisht me lezionet në anësitë e poshtme dhe nuk kanë lidhje me zgjerime varikoze.

5. Të përjashtohen dhe shkaqet e tjera, të lindura dhe të fituara, të hemostazës. Përjashtohet përdorimi i preparateve antikoagulante, antiagreguese (preparatet “holluese të gjakut”).

6. Nëse testet e hemostazës; PT, APTT, Fibrinogjeni, numëri i trombociteve dhe Koha e Hemoragjisë janë normale, nuk është shkaktar gjaku (si lëng) i fenomeneve hemoragjike. Janë të lidhura me rezistencën e vazave të gjakut. Dhe këto fenomene janë të shpeshta tek femrat. Dalin më shpesh tek anësitë e poshtme ku presioni i gjakut është më i madh. Pacientët kur paraqiten tek mjeku janë anksiozë, për shkak të këtyre elementeve, frikës për sëmundje të tjera, rrezikun për hemoragji në lokalizime të tjera, por dhe për efektet kozmetike.

7. Nuk ka mjekim. Më tepër kanë rëndësi estetike, kozmetike, nuk kanë rrezik për jetën dhe terapi nuk kërkohet. Këshillat që përdorim është të shmangin qëndrimet e gjata në këmbë dhe ekspozimet e zgjatura në Diell.

8. Lëvizjet e fuqishme muskulare mund të shkaktojnë një rritje të presionit intrakapilar duke shkaktuar rupturë të vazave dhe ekstravazion subkutan të gjakut (ekimoza). Këto quhen purpurat mekanike. Lokalizohen në qafë, kokë, ekstremitete.

9. Purpura ortostatike, përfshin purpurat që zhvillohen me të njëjtin mekanizëm si purpurat mekanike, në anësitë e poshtme gjatë qëndrimit në këmbë për një kohë relativisht të gjatë. Pra zhvillohen në zona ku presioni venoz ose kapilar i gjakut është i rritur.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.