MENU
klinika

“Të administrohet komplet dosja e…”

Çfarë vendosi sot Gjykata e Korçës për Zani Çaushin

29.10.2020 - 11:46

Sot në Korçë është zhvilluar seanca gjyqësore për ish-kreun e bandës së Vlorës, Zani Çaushi, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, por që kërkon lirimin. Gjykata e Korçës ka vendosur sot që të administrohet komplet dosja e vuajtjes së dënimit.

Zani Çaushi kërkon llogaritjen e viteve të burgimit. Çaushi kërkon të vërtetojë se ai ka vuajtur 6 vite më tepër dënim nga sa i janë llogaritur, ndërsa pak muaj më parë ai nisi betejën e tij për të fituar lirinë me kusht, kërkesë nga e cila u tërhoq përsëri pasi sipas pretendimit të tij i ishin llogaritur gabim vitet e dënimit.

MASA DISIPLINORE

Pak ditë më parë, Gjykata e Korçës ka shfuqizuar edhe masën disiplinore ndaj Myrteza Çaushit, i cili vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Drenovë. Në muajin prill, komisioni disiplinor në burgun e Drenovës vendosi një masë disiplinore ndaj Çaushit pas një sherri me tre të burgosur të tjerë. Në muajin maj, ai iu drejtua Gjykatës duke ankimuar këtë masë disiplinore, ndërsa Gjykata e ka mbyllur procesin të enjten e kaluar, duke vendosur shfuqizimin e saj.

Pas procesit që nisi të zhvillohej në muajin maj të këtij viti, disa seanca gjyqësore u shtynë si rrjedhojë e mungesës së juristit të burgut të Drenovës, ndërsa Gjykata pranoi ankimin e “të fortit të Vlorës”, duke e konsideruar masën ndëshkuese të vendosur ndaj tij në kundërshtim me ligjin. Përmes këtij vendimi është përmbyllur kështu edhe një prej tri kërkesave të Zani Çaushit, i cili kërkon të përfitojë lirinë me kusht, proces nga i cili u tërhoq. Heqja e masës disiplinore ishte një proces i nisur paralelisht me kërkesën e lirisë me kusht, ndërsa ai po përballet me gjykatën duke kërkuar rillogaritjen e viteve të dënimit të vuajtur. Heqja e masës disiplinore ndaj Zani Çaushit shënon përmbushjen e një prej kritereve që i nevojiten synimit të tij për të fituar lirinë me kusht.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Kam fëmijët e mitur për të rritur"

Zani Caushi kërkon lirimin me kusht