MENU
klinika

Nga David Ignatius

Çfarë duhet për të arritur paqen mes Armenisë dhe Azerbajxhanit?

21.10.2020 - 20:42

Gjatë një vizite katër vjet më parë në Nagoro-Karabak, popullsia armene që mbizotëron enklavën dukej aq e fortë dhe e qëndrueshme sa kodrat shkëmbore që rrethojnë rajonin. ” Ne jemi malet tona”, shkruhet në një statujë masive prej guri në rrugën për në aeroportin e kryeqytetit.

Armenët bënë këtë deklaratë të fortë para se lufta e dronëve të mbërrinte në terrenin e thyer të Karabakut.

Përdorimi i dronëve të prodhuar nga Turqia dhe Izraeli nga ana e Azerbajxhanit ka ndryshuar ekuilibrin e këtij konflikti duke kaluar armenët e fortë, në mbrojtje.

Gati 800 armenë kanë vdekur që nga fillimi i luftës më 27 shtator, sipas raporteve zyrtare; ndërsa pala azerbajxhanase nuk ka njoftuar akoma viktima, por besohet se edhe në të ka një numër të lartë.

Konflikti Armeni-Azerbajxhan mund të duket një grindje e largët, antike. Por për shkak se dronët kanë rezultuar të fuqishëm në betejë, janë një demonstrim se si teknologjia moderne e armëve mund të zhbllokojë papritmas ato që dukeshin si ” konflikte të ngrira” dhe të krijojë mundësi joshëse, të rrezikshme për të shkatërruar status kuo-në.

Një sugjerim i thjeshtë për Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, i cili pritet të takohet të Premten me ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit: Rruga drejt negociatave të vërteta dhe stabilitetit në Karabak mund të fillojë me ndalime fluturimesh (kryesisht dron) mbi enklavë, të vendosur nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Franca, tre bashkëkryetarët e “Grupit të Minskut” që janë përpjekur pafryte për të zgjidhur çështjen e Karabakut që nga viti 1992.

Pompeo ka një sfidë të madhe. Rusia dhe Franca ndërmjetësuan dy armëpushime këtë muaj dhe të dy dështuan. Ajo që është e nevojshme është një plan që fut tre fuqitë e mëdha më drejtpërdrejt në rrëmujën e Karabakut dhe siguron një platformë për adresimin e çështjeve themelore të sovranitetit dhe refugjatëve. Shtetet e Bashkuara gjithashtu dëshirojnë të kontrollojnë Turqinë, aleatin e Azerbajxhanit, të cilin Pompeo e kritikoi në një intervistë këtë javë për “ndihmën e dhënë në armë dhe ushtarë”.

Të dy palët tani duken më të hapura për negociata se më parë, sipas një raporti të Politico. Elin Suleymanov, ambasadori i Azerbajxhanit në Uashington, tha, “Ne duam një bisedë të rëndësishme”. Homologu i tij armen, Varuzhan Nersesyan, tha, “Nuk shohim asnjë alternativë tjetër për zgjidhjen paqësore të këtij konflikti bazuar në kompromise të ndërsjella.”

Armenët e Karabakut janë luftëtarë këmbëngulës. Superioriteti i tyre në artileri dhe luftë tankesh që hoqi enklavën nga kontrolli nominal i Azerbajxhanit në 1994 ka vazhduar në luftimet që janë përsëritur me ndërprerje që nga ajo kohë.

Dronët e sotëm kanë shpërthyer këtë paradigmë konvencionale ushtarake. Duke përdorur automjete të sofistikuara turke dhe izraelite pa pilot, azerbajxhanasit identifikuan sistemet e mbrojtjes ajrore armene në ditët e para të luftës dhe u pasuan duke sulmuar artileri të rëndë, automjete të blinduara dhe formacione trupash.

Armenisë i mungonin mjaft armë moderne për të luftuar flotën e dronëve azerbajxhanas. Mbrojtja e Armenisë kundër dronëve mund të përmirësohet nëse mund të fitojë mjaft sisteme të reja të saj, tha një burim armen. Kjo mund të lejojë armeninë të vazhdojë një luftë të përgjakshme por është një strategji mbijetese në rastin më të mirë.

Ndjeshmëria e Armenisë në këtë luftë shqetëson një komb ende të përhumbur nga genocidi osman që vrau rreth 1.5 milion armenë në 1915. Për armenët, kjo luftë kundër një kundërshtari të mbështetur nga turqit ndihet si një luftë ekzistenciale, jo si një lojë rajonale për pushtet.

Tani që dobia e dronëve është demonstruar kaq fuqishëm, aktorët e tjerë rajonalë mund të konsiderojnë të rindezin konfliktet e tyre të ngrira. Serbët dhe kosovarët ende ushqejnë inate të hidhura nga lufta në vitet 1990. Separatistët në Ukrainën lindore kanë luftuar një bllokim me Kievin që nga viti 2014.

Fuqitë e mëdha kanë nevojë për disa rregulla për këtë lojë të re dhe Pompeo duhet të fillojë me ndalimin e fluturimeve (dronëve) për Karabakun.

Përkthyer dhe përshtatur nga: The Washington Post/ F.H, konica.al 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN