MENU
klinika

Shifrat dhe formacionet e mundshme

“El Clasico” pa tifozë, por në fushë spektakël i garantuar

24.10.2020 - 09:35

Sot rikthehet “El Clasico”, një nga supersfidat më të shikuara në botë, që afrohet me një finale Botërori. Në një “Camp Nou” bosh, nga ora 16:00, luhet Barcelona-Real Madrid i parë i këtij sezoni.

Barcelona pret në shtëpi Realin e Madridit në një sfidë e cila nuk do të ketë adrenalinën e dikurshme, sepse do të jetë klasikja e parë në histori që luhet pa tifozë.

Nuk e kemi më një duel Mesi-Ronaldo, por “skenën” në këtë ndeshje pritet ta marrin talentet e të dy klubeve. Barça e Real mbyllën ciklin e dominimit spanjoll prej dekadash dhe tashmë kanë nisur punën për tu rikthyer, duke rinovuar ekipet dhe i dhënë një dorë talenteve të rinj.

Katalanasit do të provojnë të tregojnë se janë ende të fortë dhe Koeman në fushë do të aktivizojë thuajse formacionin e ndeshjeve të mëparshme, 4-2-3-1. Në portë është Neto, që luan “El Clasico”-n e parë në karrierë. Dyshja e mbrojtës është e ditur tashmë me Pique e Lenglet, teksa risia pritet të jetë në krahun e djathtë të difensivës.

Serginho Dest, i sapoardhur te Barça, ka bërë paraqitje shumë të mira dhe pritet ta nisë si titullar sot në krahun e tij të preferuar, të djathtin. Alba e ka lënë pas dëmtimin dhe është gati, me trajnerin që e vendos nga minuta e parë në të majtë të difensivës.

Në mesfushë para mbrojtjes luan dyshja e zakonshme De Jong-Busquets dhe para tyre, “i shkrirë” me sulmuesit është Coutinho. Talenti Fati pritet të luajë nga minuta e parë në të majtë dhe sipas “Sport”, Griezmann rikthehet titullar në këtë sfidë në krahun e djathtë. Messi qëndron në majë të sulmit, të paktën në formacion, pasi “Pleshti” ka treguar se është “elektron i lirë” në fushë.

el clasico

Real Madrid vjen me formacionin klasik 4-3-3. Në portë Courtois dhe në mbrojtje duket se është gati ta nisë nga minuta e parë kapiteni Ramos, që ka shfaqur probleme fizike gjatë ditëve të fundit dhe duket se ka kaluar gjithçka dhe është gati.

Në krah të tij si zakonisht është Varane, teksa në të majtë luan Mendy dhe në të djathtë, në mungesë të Carvahal të dëmtuar, luan Nacho. Mesfusha përbëhet nga treshja Kroos-Casemiro-Valverde, me talentin, që fiton balotazhin me Modric për këtë sfidë. Ofensiva përbëhet nga Vinicius në të majtë, Benzema në qendër dhe Asensio në të djathtë.

Është “El Clasico”-n numër 245 në sfidat kompetitive. Takimi i ditës së shtunë është i 181-ti në historinë e ligës spanjolle dhe Barça do të bëj çmos për të përfituar nga momenti jo i mirë që po kalojnë kampionët në fuqi, për të barazuar bilancin e përgjithshëm të fitoreve, në 73-73 në ndeshjet ndërmjet tyre në La Liga.

57-vjeçari Koeman ka qenë pjesë si futbollist në plot 14 “El Clasico”. Ish-kapiteni i skuadrës blaugrana ka shënuar madje edhe 5 gola dhe ka një bilanc pozitiv në këto sfida, duke fituar 6 nga 14 ndeshjet e zhvilluara.

Tre përballjet e fundit në Katalunjë janë mbyllur në barazim, sfida e fundit madje pa gola fare, ndërkaq në fazën e dytë në “Santiago Bernabeu” gjithçka u vendos në 20 minutat e fundit në favor të ekipit madrilen, falë golave të realizuar nga Vinicius Junior dhe Mariano Diaz.

Zinedine Zidane dhe Ronald Koeman nuk janë përballur asnjëherë si lojtarë në fushë, megjithatë kjo do të jetë sfida e parë ndërmjet tyre edhe në stol. Zidane është një ish i suksesshëm, pasi i ka dhënë 3 Champions League ekipit si trajner dhe një titull, pa harruar trofetë e tjerë. I dyti në historinë e Real Madrid për nga numri i fitoreve si trajner.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN