Menjëherë pasi vdiq, ia hoqën trurin nga kafka. Përse u nevojitej bolshevikëve t’ia nxirrnin dhe t’ia studionin trurin Leninit, liderit të Revolucionit Rus?
Pjesë e autopsisë së trupit të Leninit më 21 janar 1924: “Pjesa ballore e hemisferës së majtë, krahasuar me të djathtën, është paksa e futur […] Truri – pa membranë – peshon 1,340 gramë (47 ons). Në hemisferën e majtë, në zonat e gyrusit paracentral, lobeve parietale dhe të zverkut, të çara paracentrale dhe gyrus temporal – zona me futje të fortë të sipërfaqes së trurit […] Kur i bëhet autorpsia trurit, ventrikulat e tij zgjerohen, veçanërisht e majta, dhe përmban lëng. Në vendet e bllokimit – zbutja e indit të trurit me shumë kavitete cistike”. /Konica.al
Në të vërtetë, Vladimir Lenini shfaqi dëmtime të trurit ose probleme fizike, të paktën në vitet që paraprinë vdekjen e tij. Ç’ishin ato dhe si ndikuan në trurin e tij?
Përse u studiua truri i Leninit?
Gjithsecili prej nesh mund të ketë mendime të ndryshme për Vladimir Leninin, por është e vështirë të vihen në dyshim aftësitë e jashtëzakonshme intelektuale të tijat. Ai u diplomua në gjimnazin klasik “Simbirsk” me medalje të artë. Lenini shkruante lehtësisht në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, njëherazi fliste greqisht dhe italisht. Shtetari sovjetik Alexander Schlichter (1868-1940), i cili punoi me Leninin, kujton se ai mund të shkruante një artikull që zinte një kolonë të tërë gazete në vetëm një orë. Shoku i klasës së Leninit, Alexander Naumov (1868-1950) e quante “enciklopedi në shëtitëse”, madje shkruan se Lenini kishte “aftësi fenomenale: një kujtesë të jashtëzakonshme, kuriozitet të pangopur shkencor dhe prodhimtari të pazakontë”.
Së fundmi, qëllimi kryesor i jetës së Vladimir Leninit – shkatërrimi i monarkisë Romanov dhe krijimi i BRSS-së, në fakt u përmbush prej tij përmes viteve të gjata të veprimtarisë tinzare, punës së palodhur, propagandës, spekulimeve financiare dhe intrigave. Kjo i dha Leninit statusin e një ikone edhe në të gjallët e tij. Bolshevikët dhe rusët që e mbështesnin, besonin se Lenini ishte një lloj supernjeriu. Me sa duket, mjekët donin të studionin trurin e Leninit, për të përcaktuar po ashtu arsyet e mundshme për aftësitë e tij të jashtëzakonshme./Konica.al
Çfarë ndodhi me trurin e Leninit?
Jo shumë larg stacionit hekurudhor Kursky në Moskë, në Obukha Lane, gjendet ndërtesa e ish-Spitalit Evangjelist Luterian, e ndërtuar në 1903-1914 nga arkitekti Otto von Dessien. Në këtë ndërtesë, ndodhet Instituti i Kërkimeve të Trurit të Akademisë së Shkencave Mjekësore të BRSS-së (tani, Departamenti i Kërkimit të Trurit të Qendrës Shkencore të Neurologjisë të Akademisë Ruse të Shkencave Mjekësore). Atje u ruajt truri i Leninit, veçmas nga trupi, i cili vijon të qëndrojë në Mauzole në Sheshin e Kuq në qendër të Moskës.
Menjëherë pas vdekjes, ia futën trurin në një tretësirë formaline dhe, në vitin 1925, u krijua një laborator i veçantë për ta studiuar. Oskar Vogt (1870-1959), mjek dhe neurolog gjerman, u ftua në Moskë për të krijuar dhe mirëmbajtur këtë laborator. Truri i Leninit u copëtua nën mbikëqyrjen e Vogt dhe preparatet filluan ta studionin. Sipas raportit përfundimtar, kishte 30,953 pjesë, secila pllakëz me trashësi 20 mikrometra (0,02 mm).
Gjithsesi, në vitin 1928, pasi siguroi vetëm një nga pllakëzat e trurit të Leninit, Vogt u largua nga Moska dhe nuk u kthye më. Ai e përdori shembullin e trurit në demontrime gjatë leksioneve të tij evropiane. Sipas tij, truri i Leninit dallohej nga “qelizat piramidale shumë të mëdha dhe të shumta në shtresën e tretë të korteksit”, shkruan Konica.al. Sidoqoftë, më vonë u bë e qartë se citoarkitektura e trurit nuk kishte asnjë lidhje me aftësitë intelektuale të zotëruesit të tij. Prej vitit 1932, çështja e cilësive fizike të trurit të Leninit është lënë në heshtje.
Në vitin 1969, Boris Petrovsky (1908-2004), Ministri Sovjetik i Shëndetësisë, shkroi në një shënim për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste: “Ministria e Shëndetësisë e BRSS beson, se, pavarësisht faktit se rezultatet e studimit citoarkitektonika (arkitektura e qelizave) e trurit të Vladimir Leninit janë me interes të madh shkencor, ato nuk duhet të botohen”.
Nga se vdiq Lenini?
Shenjat e para të disa sëmundjeve neurologjike e kishin treguar veten në 1922, dy vjet para vdekjes së Leninit. Marramendje, bllokim truri dhe pagjumësi, më pas – dobësi në duar dhe këmbë, më pas – nuk arrinte të shprehej. Mjekët nuk ishin unanimë në lidhje me arsyet e gjithë kësaj, ata dyshuan ose në arterosklerozë (por Lenini ishte shumë i ri për këtë, vetëm 51 vjeç në atë kohë), ose lezione sifilitike. Mirëpo, gjithë mjekët vunë në dukje ruajtjen e jashtëzakonshme të intelektit të Leninit. Ndonjëherë, sëmundja largohej dhe Lenini i kthehej punës në Komitetin Qendror, por në mars 1923, ai e humbi përsëri aftësinë e të folurit. Megjithëse, pas një kohe, ajo rifilloi, Lenini nuk u kthye më në punë.
Në autopsi ishin të pranishëm 11 mjekë, por autopsia u rishkruar të paktën tri herë. Diagnoza përfundimtare ishte “arteroskleroza e zakonshme e arterieve me një lezion të theksuar të arterieve të trurit”. Sidoqoftë, nuk kemi asnjë informacion tjetër. Mjekët heshtën për detajet deri në vdekjen e tyre. Ndërsa ditari i sëmundjes së Leninit, i krijuar në dy vitet e fundit të jetës së tij nga tre mjekët që u kujdesën për të, u klasifikua për 75-vjet pas vdekjes së Leninit. Në vitin 1999, kur mbaroi afati, Olga Ulyanova, mbesa e Leninit, ishte akoma gjallë. Ajo kërkoi që dokumentet të klasifikoheshin edhe për 25 vjet të tjera – deri në 2024, 100-vjetorin e vdekjes së Leninit.
Gerontologu Valeriy Novoselov duket se është i vetmi mjek që ka punuar ndonjëherë me këto ditarë, por atij iu ndalua që t’i kopjonte. Sipas Novoselov, Lenini vdiq nga sifilizi i trurit (në vitet 1920, sifilizi ishte shumë i zakonshëm në Rusi dhe mund të merrej jo përmes kontakteve seksuale, por përmes transmetimit nga objektet e prekura ose të përdorura nga ata që kishin qenë të sëmurë).
Sidoqoftë, Max Nonne (1861-1959), një specialist ndërkombëtar në sifilizin e trurit në atë kohë, i cili mbikëqyri Leninin gjatë sëmundjes së tij të fundit, shkroi: “Nuk kishte absolutisht asnjë provë të sifilizit”. Kohët e fundit, Harry Vinters, Lev Lurie dhe Philip A. Mackowiak nga Universiteti i Kalifornisë propozuan që Lenini vdiq nga kalcifikimi arterial, i shkaktuar nga mutacionet në gjenin 5’-Nucleotidase Ecto (NT5E) (një çrregullim jashtëzakonisht i rrallë, deri në vitin 2020 më pak se 20 individë janë raportuar të kenë këtë gjendje). Sidoqoftë, deri në vitin 2024, nuk është i mundur asnjë hetim i mëtejshëm i shkaqeve të vdekjes së Leninit./Konica.al