E sigurt. Ai nuk ka frikë nga Moska apo Uashingtoni.
Shpërthimi i paparashikueshëm në skenën ndërkombëtare, tregon se Rexhep Tajip Erdogan, sfidon të mëdhenjtë e kësaj bote.
Ai ilustron në Kaukaz një nga realitetet e momentit: peshat e mesme mbajnë nën kontroll peshat e mëdha.
Ku është udhëheqja amerikane kur një nga anëtarët e NATO-s, Turqia, zgjohet, pa paralajmëruar “aleatët” e saj, dhe hap frontin e luftës në Nagorno-Karabakut?
Ku është epërsia ruse në “zonën e saj të ndikimit” tradicionale kur, e mbështetur nga Turqia, një ish-republikë Sovjetike, Azerbajxhani, goditi një tjetër, Armeninë?
Një fuqi rajonale me ambicie të mëdha, Turqia e Erdoganit tallet me Kremlinin dhe Shtëpinë e Bardhë. Nga Vladimir Putin te Donald Trump.
Të nisura më 27 shtator nga Azerbajxhani, luftimet vazhduan edhe këtë javë. Stepanakert, “kryeqyteti” i Nago-Karabakut, një enklavë me shumicë armene në territorin Azerbajxhan, bombardohet çdo ditë nga forcat nga Baku.
Karabaku, republika e vetëshpallur e pavarur, mbështetet nga Armenia fqinje, për të mos thënë që është pjesë e saj.
Cili është qëllimi i Bakut? Po përpiqet të rimarrë një pjesë të tokës së dhënë në betejat e shekullit të kaluar? Të fillojë negociata ndërkombëtare për statusin e Karabakut?
Moska vëzhgon, bën thirrje për armëpushim, me pak fjalë, heziton se çfarë të bëjë.
Sulmi në Azerbajxhan ishte i paramenduar, i përgatitur paraprakisht nga forcat që janë të pajisura tradicionalisht nga Rusia.
Midis Baku dhe Moskës, ka gjithashtu lidhje: Aliyev, Heydar, babai i presidentit aktual të Azerbajxhanit, Ilham Aliev, ishte anëtar i Byrosë Politike të BRSS.
A ishte Putini i vetëdijshëm për qëllimet e të riut Aliev? Gjithmonë mund t’i atribuohen strategut të madh të Kremlinit motivet makiaveliane për të lënë luftën të rifillojë në rajon.
Është e vështirë të shohësh përfitimin nga kjo. Nga ana tjetër, Rusia është edhe më e pranishme: ajo është e lidhur me Armeninë me një traktat mbrojtës i cili nuk mbulon Nagorno-Karabakun; armatos forcat e Jerevanit; ka një bazë ushtarake në territorin e Armenisë.
Rusia është në gjendje shoku, si në shtëpinë e vet, ashtu dhe në Jerevan.
Përkthyer dhe përshtatur nga gazeta franceze ‘Le Monde’/ Konica.al