MENU
klinika

“Meqë duam të hyjmë në BE, duhet të lëshojmë ca ujëra?”

Fatos Lubonja për çështjen e detit: Po shkohet në Hagë pa e ditur se…

22.10.2020 - 17:19

Analisti Fatos Lubonja komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, vizitën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në Tiranë, ku pas takimit me kryeministrin Edi Rama, palët ranë dakord që të dërgonin çështjen e detit në gjykatat ndërkombëtare.

Teksa tha se pala greke është më e fituar nga kjo marrëveshje, analisti Lubonja, referuar edhe shkrimeve në mediet greke, hodhi dyshime të forta që Greqia mund jetë blerë nga qeveria shqiptare për të dhënë “Ok” për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Ata duhet ta japin “Ok” për integrimin, nëse ne e meritojmë. Por, nëse kjo “OK” blihet me ca kilometra det, atëherë çfarë Evrope qenka kjo”, tha Lubonja mes të tjerash.

Pyetje: Si e komentoni vizitën e ministrit grek në Tiranë?

Lubonja: Nuk e kam të qartë një hartë që të më tregojë se si e kishte dizenjuar ai projekti i 2009-s territorin, detin. Çfarë korrigjoi Edi Rama në bisedimet e tij? Për t’i krahasuar të dyja dhe për të thënë se cili e bëri më mirë. Këto dyja duhen krahasuar. Sot dua të di: ky projekti që ka bërë Rama ose Bushati, ku ka ngecur? Çfarë po kontestohet nga pala greke apo nga pala shqiptare, që ne po shkojmë në gjykatë ndërkombëtare. Këtë nuk e dimë, pra ka mungesë transparence.

E dyta, takimi me ministrin e Jashtëm grek ishte shumë i qetë, shumë i mirëpritur, sikur të dy palët bien dakord të shkohet në gjyq. Po përderisa ne po shkojmë në gjyq, kemi një pa dakordësi.

Jo se Rama duhet të bënte sherr me atë ministrin, por ishte një veprim politik i Ramës, ku fjala kyçe që e shpjegon këtë takim miqësor ishte fjala “patriotët”. Kjo nënkupton që kjo ka kosto dhe njëkohësisht e shtyn për pas zgjedhjeve. Kjo nënkupton që nga ajo marrëveshje për të shkuar në gjykatë është më fituese pala greke, ajo është më e kënaqur dhe ka arritur ta detyrojë Shqipërinë. Siç thoshte një gazetë greke, kjo ka lidhje me integrimin.

Unë nuk jam kundër asaj që të shkohet në gjykatë, por ama të jemi të qartë për çfarë po shkohet, cilat janë pretendimet e dy palëve. Jo se s’duhen zgjidhur këto probleme, por unë do të isha për një lloj negocimi, që në fund fare të ruhej sa të ishte e mundur deti. Deti duhet t’iu lihet peshqve, jo sondave.

-Doktrina e Ramës kur erdhi në pushtet ishte ‘zero probleme me fqinjët’, cili është bilanci pas 8 vitesh në pushtet…

Lubonja: Probleme serioze me fqinjët nuk ka krijuar Rama, por për fat të keq ka shumë më tepër probleme me shqiptarët, për shkak të zero problemeve me fqinjët. Po të marrim çështjen e Kosovës, Rama ka mbajtur raporte shumë të mira me Vuçiç, por pas këtyre raporteve ne u kërcënuam nga ndryshimi i kufijve të Kosovës. Tani zero probleme me Greqinë është që meqë duam të hyjmë ne në BE, duhet të lëshojmë ca ujëra. E shkuara në gjykatë po bëhet në një mënyrë pa ditur çfarë pretendimesh kemi. Më duket shumë skandaloze kjo, dhe këtu e kam edhe për grekët. Po pse mjafton që të marrin ca ujëra dhe mbyllin sytë për problemet e tjera? Ata duhet ta japin “Ok” për integrimin, nëse ne e meritojmë. Por, nëse kjo “OK” blihet me ca kilometra det, atëherë çfarë Evrope qenka kjo.