Ndryshe nga Korça dy ditë më parë, në qarkun e Fierit ish-deputetët e listës së 2017-ës u konfirmuan. Ndërkohë anëtarësia e PD-së skualifikoi vetëm dy emra.
Një në Patos dhe një në Divjakë. Ndërsa në degën e Fierit u konfirmuan të 22 kandidatët që kishte vlerësuar si të përshtatshëm komisioni i skualifikimit. Ndryshe nga qarqet e tjera, për qarkun e Korçës selia blu ishte më e rezervuar për të dhënë informacion në lidhje me procesin, por gazeta “Panorama” mësoi përmes burimeve se në degën e Divjakës demokratët skualifikuan Artan Murrizin, ndërsa në Patos skualifikuan Luan Mustafarajn. Ndërkaq, kanë arritur që të marrin mbështetjen e anëtarësisë ishdeputetët Enkelejd Alibeaj e Luan Baçi. Po ashtu, është konfirmuar edhe ish-kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Qarku i Fierit ishte qarku i parafundit ku zhvilluan votimet për konfirmimin nga ana e anëtarësisë. Nesër do të jetë pushim dhe kjo fazë përfundon ditën e mërkurë në kryeqytet.
PROCESI
Në përfundim të procesit të votimit nga anëtarësia e PD-së, kandidatët të cilët janë konfirmuar për të vijuar garën do të rikthehen në komisionin me 5 anëtarë të përbërë nga Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Genc Ruli, Enriketa Papa e Mark Marku. Këta do të bëjnë sërish filtrim të kandidatëve.
Anëtarët e komisionit votojnë bazuar kryesisht në vlerësimin e performancës politike të kandidatit dhe mundësinë e maksimalizimit të votës. Pas këtij vlerësimi përfundimtar, lista me kandidatët që kalojnë fazën e tretë i dorëzohet për vendimmarrje finale Kryesisë së Partisë Demokratike.
Votimi i konsultimit të anëtarësisë ka përfunduar në Qarkun e Kukësit, Dibrës, Gjirokastrës dhe Beratit, Lezhës, Durrësit, Elbasanit, ndërsa sot votohet në Vlorë. Procesi po ndiqet nga afër nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, Sekretari Organizativ, Sahit Dollapi, dhe Sekretari i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli.