Franca kritikoi Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan për komentet që ai bëri në lidhje me shëndetin mendor të homologut të tij francez, Emmanuel Macron dhe trajtimin e muslimanëve.
Një “tepri” në sjellje dhe “një vrazhdësi” e tillë nga ana e Erdoganit është “e papranueshme”, tha zyra e Macron në Elysee në një deklaratë dje, sipas Le Monde.
“Ne kërkojmë që Erdogan të ndryshojë rrjedhën e politikës së tij sepse është e rrezikshme,” tha Elysee.
Franca gjithashtu vuri në dukje se është hera e parë që një diplomat i lartë tërhiqet nga Turqia.
Franca tërhoqi ambasadorin e saj në Turqi dje pasi Erdoğan vuri në dyshim gjendjen mendore të Macron ndërsa kritikonte qëndrimin e tij ndaj Islamit dhe Muslimanëve.
Vërejtjet e tij në një kongres lokal të partisë ishin një përgjigje e dukshme ndaj deklaratave që Macron bëri këtë muaj në lidhje me problemet e krijuara nga muslimanët radikalë në Francë të cilët praktikojnë atë që udhëheqësi francez e quajti “separatizëm islamik”.
“Çfarë mund të thuhet për një kryetar shteti që trajton miliona anëtarë nga grupe të ndryshme besimi në këtë mënyrë: së pari, të bëjë kontroll mendore,” tha Erdoğan gjatë takimit të tij të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) qeverisëse në qytetin qendror të Anadollit Kajseri.
“Cili është problemi i individit të quajtur Macron me Islamin dhe me muslimanët?” Erdoğan pyeti, ndërsa tregoi se ai nuk priste që udhëheqësi francez të fitonte një mandat të ri në zgjedhjet e 2022.
Presidenti turk sot shtoi kritikat e tij ndaj Macron, duke thënë se homologu i tij francez “kishte humbur rrugën e tij”.
“Drejtuesi i Francës ka humbur rrugën e tij. Flet për Erdoganin tërë ditën. Shikoni së pari veten dhe ku po shkoni. Unë thashë dje në Kajseri, ai është keq dhe me të vërtetë duhet të kontrollohet,” tha Erdoğan në një fjalim televiziv në provincën lindore të Malatyas.
Sipas AFP, zyrtari i Elysee, i cili kërkoi të mos përmendej me emër, tha gjithashtu se Franca kishte vërejtur “mungesën e mesazheve të ngushëllimit dhe mbështetjes” nga presidenti turk pas vrasjes së mësuesit Samuel Paty jashtë Parisit.
Macron është zotuar të godasë atë që ai e quajti separatizëm islamik në vend pasi Franca u trondit nga prerja e kokës së Samuel Paty më 16 tetor.
Paty ishte një profesor historie që kishte dhënë një klasë mbi lirinë e shprehjes gjatë së cilës ai përdori karikaturat e Profetit Islam Muhamed nga gazeta satirike Charlie Hebdo. Vrasja e mësuesit nga një terrorist i dyshuar në një periferi të Parisit ringjalli tensionet rreth sekularizmit, islamizmit dhe islamofobisë në Francë.
Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat”, tha Macron.
Pas vërejtjeve të presidentit francez, thirrjet për të bojkotuar mallrat franceze janë në rritje në botën arabe dhe më gjerë, tha AFP.
Ministria e jashtme e Jordanisë tha të shtunën se dënon “botimin e vazhdueshëm të karikaturave të Profetit Muhamed me pretekstin e lirisë së shprehjes” dhe çdo “përpjekje diskriminuese dhe mashtruese që kërkon të lidhë Islamin me terrorizmin”.
Partia Islamic Action Front i bëri thirrje presidentit francez të kërkojë falje për komentet e tij dhe u kërkoi qytetarëve në mbretëri të bojkotojnë mallrat franceze.
Bojkotet e tilla tashmë janë duke u zhvilluar në Kuvajt dhe Katar, tha AFP.
Nayef Falah Mubarak Al-Hajraf, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit i quajti fjalët e Macron “të papërgjegjshme” të Premten dhe tha se ato “do të rrisin përhapjen e një kulture urrejtjeje”, sipas AFP.
Tensionet midis Francës dhe Turqisë kanë parë një rritje të vazhdueshme që nga viti i kaluar lidhur me blerjen nga Ankaraja të një sistemi rus raketash ajrore S-400, një operacioni turk që synon forcat kurde në Sirinë veriore dhe përfshirjen e Turqisë në konfliktin libian.
Të dy vendet gjithashtu kanë qenë në mosmarrëveshje për shkak të burimeve të hidrokarbureve në ujërat e diskutueshme të Mesdheut lindor.
Përkthyer dhe përshtatur nga: BBC/ F.H, konica.al