MENU
klinika

Superliga e Kosovës, Java 8

Gjilani në histori, Ballkani shpërdoron 3 gola avantazh

25.10.2020 - 16:45

Për herë të parë në historinë e futbollit Kosovar, skuadra e Gjilanit fiton ndaj Prishtinës në “Fadil Vokrri”, teksa ka mundur 2-0 ekipin kryeqytetas, me dy penallti që ishin përcaktuese për fatin e rezultatit final.

Në një pjesë të parë të mbizotëruar nga vendasit, gjilanasit shënuan pas vetëm një çereku lojë, kur Hajdari u tregua i saktë nga pika e bardhë. Krasniqi ka mundur ta barazonte rezultatin për Prishtinën pak para pushimit mes pjesëve, por Koliçi e ndali goditjen e tij nga gjuajta e lirë.

Mesfushori e bardhekaltërve u mohua përsëri nga Koliçi që ia mbrojti edhe penalltinë në minutën e 65-të. Prishtina i shpeshtoi sulmet kah fundi i ndeshjes, duke i lënë hapësirë gjilanasve të shënonin në kundërsulme.

Dhe pikërisht këtë e bëri Gerhard Progni kur realizoi pas një kundërsulmi të shpejtë, pasi u asistua nga Edison Kçiku. Gjilani tani ngjitet në pozitën e tretë me 13 pikë, nëntë më pak se lideri Ballkani dhe dy më shumë se Prishtina, e cila e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndërsa Trepça ’89 ka bërë mbase rikthimin më mahnitës, më të paparë në historinë e Superligës së Kosovës, duke e mposhtur 4-3 Ballkanin e Ismet Munishit edhe pse po humbiste 3-0 për pjesën më të madhe të takimit.

Klubi mitrovicas ia shkaktoi humbjen e parë Ballkanit në sezonin e ri të Superligës të dielën në Riza Lushta. Gripshi e kaloi skuadrën e Munishit në epërsi me gol fantastik nga distanca në minutën e 30-të, para se Ermal Krasniqi ta dyfishonte epërsinë në minutën e 47-të.

Mirlind Daku e trefishoi epërsinë e skuadrës nga Suhareka në minutën e 55-të, me golin e 15 personal këtë sezon. Kur djelmoshat e Munishit menduan se fitorja tashmë ishte siguruar, Sie e nisi atë që do të ishte mrekullia në Mitrovicë.

Ai shënoi golin e parë të Trepçës në minutën e 64-të, para se Rilind Nimani ta kthente në lojë skuadrën mitrovicase një çerek lojë para fundit. Sie ishte heroi i Trepçës duke shënuar edhe dy herë të tjerë, në minutën e 79-të për 3-3 dhe në minutën e 93-të për fitoren e ëndërruar, 4-3.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN