Greqia ka deklaruar se nëse Turqia nuk anullon rihapjen e një pjese të qytetit fantazëm qipriot të Varoshës, ajo mund të kërkojë të sanksione ekonomike.
Të enjten, trupat turke rihapën një pjesë të ish-zonës turistike që u kthye në një qytet fantazmë gjatë luftës në 1974, duke shkaktuar polemika përpara zgjedhjeve në Qipron e Veriut.
“Turqia duhet të bëjë një hap prapa. Nëse jo, javën e ardhshme si Qipro ashtu edhe Greqia do të shtrojnë çështjen për diskutim në udhëheqësit e BE në Këshillin Evropian në datat, 16-17 Tetor,” tha zëdhënësi i qeverisë Greke Stelios Petsas.
Anëtarët e BE, Greqia dhe Qipro kërkuan sanksione kundër Turqisë javën e kaluar, në shenjë hakmarrje për kërkimet turke për naftë dhe gaz në brigjet e Qipros.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka dënuar masën për të rihapur Varoshën.
“Ky vendim është një shkelje e qartë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të KB. Greqia do të mbështesë të gjitha përpjekjet përkatëse të Republikës së Qipros,” tha ai. Varosha u evakuua dhe u bë tokë fantazmë kur Turqia pushtoi Qipron në 1974, në përgjigje të një grushti shteti të nxitur nga Greqia në ishull.
Qipriotët grekë tani jetojnë në Republikën e Qipros në jug të ishullit, ndërsa Turko-Qipriotët jetojnë në një zonë veriore ende të pushtuar nga trupat turke.
KB ka bërë thirrje që Varosha t’u kthehet ish-banorëve të saj Greko-Qipriotë, ose të paktën forcës paqeruajtëse të KB “UNFICYP”.
Lëvizja e fundit nga Turqia rrezikon përpjekjet ndër dekada për të arritur një ribashkim politik të ishullit si një shtet federal, dy-komunal.
Është gjithashtu një shuplakë për BE, e cila javën e kaluar i rezistoi thirrjeve Greke dhe Qipriote për sanksione mbi kërkimin e hidrokarbureve të Turqisë në rajon.
Të enjten, Mitsotakis dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen lëshuan një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje Turqisë të respektojë rezolutat e kaluara të Këshillit të Sigurimit të KB.
Por zyrtarët turq dhe turko-qipriotë këmbëngulin se vendimi për të rihapur një pjesë të Varoshës nuk do të prekë të drejtat e pronarëve të pronave greko-qipriote pasi që është vetëm plazhi që po hapet.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan njoftoi rihapjen e Varoshës të martën, në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e komunitetit turko-qipriot, Ersin Tatar.
Udhëheqësi turko-qipriot, Mustafa Akinci beson se vendimi është një përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të së dielës në veri të ishullit.
Ai e quajti njoftimin nga Ankaraja një “turp për demokracinë tonë” dhe “ndërhyrje në zgjedhjet tona”. Ndryshe nga anëtarët e tjerë të kabinetit, Akinci është pro një pavarësie më të madhe nga Turqia. Akinci ka folur publikisht kundër rihapjes së Varoshas.
F.H.