MENU
klinika

Vjedhja në Thesarin e Shtetit

Hoti: Mashtruesit s’kanë vend në institucione

22.10.2020 - 09:57

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë të enjten në një konferencë për media se Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami është krye të aktiviteteve për t’u siguruar që sistemi [sistemi informativ i menaxhimit të financave te Kosovës] është i mbrojtur.

Hoti ka thënë po ashtu se organet e rendit dhe ligjit, janë duke bërë punën e tyre.

“Mashtruesit dhe keqpërdoruesit brenda sistemit publik, brenda institucioneve nuk kanë për të pasur vend, do të dalin mbi sipërfaqe si minjtë kur t’ju hynë ujin përfundi”, ka deklruar Hoti në një konferencë për media që është mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ai i ka bërë këto komente pas lajmit se një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Përmes një konference të jashtëzakonshme për media një ditë më parë, ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se ka ndodhur ky transaksion.

Për këtë rast, Bajrami ka konfirmuar se janë suspenduar dy zyrtarë, njëri prej tyre është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Sipas saj, rastin në organet e rendit e ka denoncuar Ministria e Financave. Institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Republikës së Kosovës, ka thënë ndër të tjera Bajrami./REL