MENU
klinika

Eli Fara rrëfen si u njoh dhe u nda me ish-bashkëshortin

“I shkova me vajzën në burg e i kërkova divorcin”

18.10.2020 - 20:03

Eli Fara ishte e ftuara e radhës e rubrikës “Tani mund të këndosh” në “E diela shqiptare” dhe si kurrë më parë rrëfeu me detaje gjithçka që nuk dinim nga e shkuara e saj. Këngëtarja e njohur është martuar në një moshë shumë të re dhe brenda pak vitesh i dha fund marrëdhënies së saj, duke u detyruar të rrisë e vetme vajzën, Marinën.

Sot ajo tregoi se si u njoh me ish-bashkëshortin e saj dhe si mori vendimin për t’u martuar me të pa miratimin e familjes së saj.

“Unë isha në shkollën e mesme dhe studioja për kanto dhe merrja pjesë në aktivitete kulturore. Shumë shpesh isha për prova në pallatin e kulturës dhe aty kalonin djem çapkënë korçarë. Njëri prej tyre m’u qep keq, nuk shpëtova dot.

Ishte dashuria e parë, ato emocionet e para, ndjenjat që të lindnin për dikë që nuk e di se kush është. Unë u dashurova vetëm duke parë pamjen. Ishte çun simpatik dhe nuk mendoja për të tjerat sepse isha adoleshente, nuk më interesonte se kishte një shkollë, profesion apo çfarë punonte, apo se çfarë bënte në jetë. Unë isha 17 vjeç, shumë shpejt familja e mori vesh që unë po dilja me dikë dhe u bë një shqetësim, tërmet i madh.

Jetonim bashkë të gjithë xhaxhallarët e mi, me dajën, me hallat, ishin shumë familje që rrinin bashkë dhe bëheshin me njëri-tjetrin shumë. Fisi bëri një mbledhje të madhe dhe kujtoj që u ndjeva e fyer dhe e turpëruar sepse ndoshta varet nga karakteri dhe natyra, kisha një krenari të tepruar edhe pse shumë e re dhe vendosa që nëse djali do pranonte, unë do ikja nga shtëpia. Ai u tregua i gatshëm dhe ndodhi. Sigurisht tani që jam pjekur, që kam Marinën, nuk jam krenare për atë që bëra, por janë gabime të një moshe shumë të re”, rrëfeu Fara.

Më pas ajo tregoi se marrëdhënia bashkëshortore ishte e mbushur me debate të shumta, pasi ajo e kuptoi se kë kishte zgjedhur të kishte përkrah vetes ndërkohë që priste shumë nga partneri i saj. Këngëtarja rrëfeu se divorci erdhi menjëherë pasi bashkëshorti u dënua me burg për një vrasje.

“Ish-i ishte një nga çunat më çapkën seç duhej në Korçë dhe kishte shokë të vetët. Kjo gjë i çoi në një tragjedi të madhe, sepse ishin grupe çunash që konkurronin me njëri-tjetrin kush ishte më i fortë dhe ndodhi që shokun e ngushtë të ish-it e vranë. Pastaj filloi një tjetër stuhi që ishte goxha e madhe për atë kohë hetime, gjyqe mbas gjyqeve që zgjatën shumë. (…) Gjyqet vazhduan goxha nja 1 vit e gjysmë dhe mbasi u bënë të gjitha përpjekjet dhe për të ulur dënimin, derisa u dha dënimi i fundit dhe e përcaktuan dhe burgun ku do vuante dënimin, atje kam shkuar me vajzën dhe i kam thënë që unë do të bëj ndarjen. Nuk ka pasur ndonjë kundërshtim dhe unë kam parë jetën time. Vazhdoja punën si mësuese në fshat, vajzën e kisha në çerdhe, kisha probleme financiare sepse mora dhe një apartament”, rrëfeu Eli Fara duke u kthyer pas në vite.