MENU
klinika

Kushtet e Brukselit deri në tryezën e parë ndërqeveritare

Integrimi/ Ku kanë mbetur negociatat e Shqipërisë me BE?

19.10.2020 - 11:58

Progres-raporti dhe më pas vizita e Komisionerit të BE-së për zgjerimin, Oliver Varhelyi, ishin mesazhe të qarta se Brukseli do të vijojë të mbështesë, por edhe të kërkojë shumë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian.

Por që nga votimi në janar për t’i hapur negociatat me Shqipërinë, deri në tryezën e parë ndërqeveritare, duket se duhet pritur.

Në vizitën e tij në Tiranë, Komisioneri Varhelyi deklaroi se Shqipëria është më afër se kurrë për t’i nisur negociatat me Bashkimin Europian, por pa dhënë një datë se kur do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare.

Në një kohë që Shqipëria e ka ngritur grupin e saj negociator, që do të udhëhiqet nga Zef Mazi, Brukseli vijon t’u qëndrojë kërkesave të tij që deri në Konferencën e Parë Ndërqeveritare duhet të përmbushen disa kushte.

Vetëm Reforma Zgjedhore mund të konsiderohet si e plotësuar, edhe pse për këtë të fundit ka pasur reagime jo shumë pozitive pas ndryshimeve kushtetuese në 30 korrik.

Ndërkohë, një tjetër kusht emergjent që Bashkimi Europian dëshiron që të plotësohet para tryezës së parë ndërqeveritare është edhe bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit është vetëm me 4 anëtarë aktualisht dhe procedura për zgjedhjen e 3 anëtarëve të tjerë është në proces, por ende pa një garanci nëse do të mund të përmbyllet brenda këtij viti.

Komisioneri Varhelyi theksoi nga Parlamenti shqiptar se edhe zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit do të jenë një test shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. “Kam mirëpritur rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020 për zgjedhjet, e cila zbaton rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it.

Inkurajoj të gjitha palët që të mbajnë fokusin te këto reforma të domosdoshme të Shqipërisë, përfshirë reformat që parashikohen në marrëveshjen e 5 qershorit. Reforma Zgjedhore është kusht për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

Na duhet një reformë e besueshme zgjedhore, në bazë të së cilës të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Ky do të jetë testi. Këto lloj zgjedhjesh do të jenë testi për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, që besoj do të ndodhë sivjet”, theksoi Oliver Varhelyi.

Ai e konsideroi si sfidë edhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe vetingun. “Vetingu është i rëndësishëm”, tha Varhelyi.

Por ndryshe nga progresraportet e tjera, në kohën që Shqipëria është duke pritur një përgjigje për Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe që rruga drejt anëtarësimit të plotë, me gjasë do të marrë edhe një dekadë tjetër, Bashkimi Europian lançoi një program financiar.

Përmes këtij plani, BE-ja synon të injektojë në gjithë rajonin e Ballkanit projekte të rëndësishme infrastrukturore që mund të ngrenë ekonominë e këtyre vendeve dhe mirëqenien e popujve ballkanikë para se ato të integrohen në Union.